Ribashkohen Selena Gomez dhe Demi Lovato, surprizojnë fansat me bashkëpunimin e ri

Selena Gomez ka zgjedhur mikeshën e saj të hershme, Demi Lovato, për të qenë pjesë e fushatës më të re të markës së saj të kozmetikës, Rare Beauty. Projekti, i titulluar “Still Making Each Other Blush”, feston miqësinë e gjatë mes dy artisteve dhe rikthen nostalgjinë e viteve kur ato u bënë të njohura për publikun përmes Disney Channel.
Dy këngëtaret dhe aktoret promovojnë së bashku një set të ri produktesh kozmetike, të quajtur “Delena”, një emër që fansat e krijuan duke bashkuar emrat e tyre, Selena dhe Demi.
Përmes kësaj fushate, Gomez dhe Lovato kanë rikrijuar disa nga pozat ikonike të filmit të tyre të vitit 2009, Princess Protection Program, duke u shfaqur me veshje që kujtojnë personazhet që interpretonin në atë kohë.
Dy artistet kanë publikuar gjithashtu një video në stilin e vlogjeve që realizonin së bashku kur ishin adoleshente, duke rikthyer atmosferën e viteve të para të miqësisë së tyre.
Bashkëpunimi përfshin setin “Delena Soft Pinch Blush Bundle”, i cili përmban dy nuanca të blush-it të lëngshëm të Rare Beauty: “Hope”, e preferuara e Selena Gomez, dhe “Virtue”, e zgjedhur nga Demi Lovato. Seti shoqërohet edhe me një furçë për aplikimin e produktit dhe kushton 50 dollarë.
Selena Gomez dhe Demi Lovato u njohën në vitin 2002, kur të dyja ishin pjesë e serialit për fëmijë Barney & Friends. Më vonë, ato u bënë pjesë e botës së Disney-t, ku Gomez u dallua në serialin Wizards of Waverly Place, ndërsa Lovato në Sonny with a Chance dhe filmin Camp Rock.
Pavarësisht se miqësia e tyre ka kaluar periudha me më pak kontakte, dy artistet duket se kanë gjetur sërish mundësinë për t’u afruar.
Në prill të këtij viti, Selena mori pjesë në koncertin e Demi Lovato-s në Orlando, Florida, ku dy mikeshat u takuan edhe në prapaskenë. Ky moment u prit me entuziazëm nga fansat dhe shënoi një tjetër hap në rikthimin e marrëdhënies së tyre në vëmendjen publike.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.