Shoferi shqiptar kapet duke trafikuar 115 kg kokainë me kamion nga Italia në Francë! Dëshmia pas arrestimit: S’kisha dijen
Një 50-vjeçar shqiptar është arrestuar në Francë, pasi në kamionin që drejtonte u zbuluan 114.6 kilogramë kokainë.
Sekuestrimi i drogës u krye nga shërbimet doganore gjatë një kontrolli në pikën e pagesës së autostradës në Arles, në jug të Francës, gjatë natës mes 18 dhe 19 nëntorit.
Sipas mediave franceze, mes tyre “La Provence”, kamioni me targa italiane transportonte mallra për llogari të një rrjeti të madh tregtar, kryesisht produkte ushqimore të destinuara për furnizimin e pikave të shitjes. Automjeti u ndalua nga doganierët pak pas mesnatës për një kontroll, i cili rezultoi në zbulimin e një sasie të konsiderueshme droge.
Gjatë verifikimit, doganierët zbuluan se kokaina ishte fshehur në mbajtësen e bobinave të kamionit, një pajisje që shërben për të stabilizuar ngarkesën gjatë transportit. Pas kontrollit të plotë të automjetit, u sekuestruan gjithsej 114.6 kilogramë kokainë.
Menjëherë pas zbulimit, drejtuesi shqiptar u arrestua dhe më pas iu dorëzua Zyrës Kundër Trafikut të Narkotikëve (OFAST), pranë policisë gjyqësore në Marsejë. Ai është lënë në paraburgim në pritje të procedurave gjyqësore.
Gjatë marrjes në pyetje, 50-vjeçari ka mohuar përfshirjen në trafikimin e lëndëve narkotike. Ai ka pretenduar se nuk kishte dijeni për kokainën e fshehur në kamion dhe se droga ishte vendosur në automjet pa dijeninë dhe miratimin e tij.
Sipas raportimeve të mediave franceze, shqiptari nuk rezulton të ketë precedentë penalë dhe nuk ka qenë më parë i njohur për autoritetet e drejtësisë në Francë. Identiteti i tij, përfshirë emrin dhe inicialet, nuk është bërë publik në raportimet e deritanishme.
Ai pritet të dalë përpara Gjykatës së Tarasconit të martën, më 24 nëntor, ku do të përballet me procedurën e gjykimit të menjëhershëm.
Ndaj 50-vjeçarit rëndojnë akuza për mbajtje, transport dhe importim të lëndëve narkotike, si dhe për transport të mallrave të ndaluara në shkelje të legjislacionit doganor francez.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të përcaktuar origjinën e kokainës, destinacionin e saj dhe personat që qëndrojnë pas organizimit të këtij transporti. Autoritetet franceze pritet të zbardhin nëse shoferi ka vepruar i vetëm apo në kuadër të një rrjeti më të gjerë të trafikut të drogës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.