Shqipëri-Itali, forcim i bashkëpunimit në fushën e gjyqësorit
Shqipëria dhe Italia do të forcojnë më tej bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, si pjesë e marrëdhënieve të forta që ekzistojnë midis dy vendeve.
Kjo u konfirmua gjatë takimit që dy ministrat e drejtësisë Etilda Gjonaj dhe Alfonso Bonafede zhvilluan në Romë, në kuadër të vizitës dy ditore të ministers shqiptare në Itali.
Temat kryesore të diskutimit mes ministrave Gjonaj dhe Bonafede ishin lufta kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, masat kundër korrupsionit si dhe bashkëpunimi në fushën e sistemit penitenciar.
Ministrat pasi kanë shprehur vlerësimet e tyre për bashkëpunimin midis dy qeverive ranë dakord për zbatimin e një plani të përbashkët masash në kuadër të zbatimit të marrëveshjes dypalëshe të nënshkruar në fund të vitit 2017.
Për këtë qëllim javën e ardhshme do të nisin nga puna në Tiranë ekipet e përbashkëta të ekspertëve të të dyja ministrive respektive.
Zbatimi i plotë i Reformës në Drejtësi, që tashmë po jep rezultatet e para, reforma në sistemin penitenciar, drejtësia për të miturit dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit, janë shtyllat kryesore të bashkëpunimit bilateral, të parashikuar në marrëveshjen kuadër midis dy ministrive.
Ministri Bonafede theksoi se “për Italianë është e rëndësishme të ketë një partner të sigurt në përballimin me sukses të sfidave të përbashkëta”.
Duke vlerësuar reformat që ka ndërmarrë Shqipëria, ministri italian shprehu gatishmërinë e qeverisë italiane për të dërguar në Shqipëri ekspertë të fushës për të mbështetur dhe asistuar në zbatimin e reformës në drejtësi.
Ministri italian shprehu dëshirën për të vizituar edhe personalisht Shqipërinë, në vijim të kontakteve institucionale.
Vizita dy ditore e ministres së Drejtësisë dhe Prokurores së Përgjithshme në Itali u organizua nga misioni i asistencës së Bashkimit Europian PAMECA 5, në kuadër të mbështetjes që ky mision u ofron institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.