🌦️
Tiranë 16°C · Rrebesh i lehtë 13 May 2026
S&P 500 7,446 ▲0.6%
DOW 49,617 ▼0.29%
NASDAQ 26,397 ▲1.18%
NAFTA 101.78 ▼0.39%
ARI 4,707 ▲0.43%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1739 EUR/GBP 0.8675 EUR/CHF 0.9166 EUR/ALL 95.3433 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.3662 EUR/TRY 53.2999 EUR/JPY 185.02 EUR/CAD 1.6078 EUR/USD 1.1739 EUR/GBP 0.8675 EUR/CHF 0.9166 EUR/ALL 95.3433 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.3662 EUR/TRY 53.2999 EUR/JPY 185.02 EUR/CAD 1.6078
₿ CRYPTO
BTC $79,323 ▼ -1.37% ETH $2,257 ▼ -0.8% XRP $1.4295 ▼ -0.21% SOL $91.0000 ▼ -3.68%
S&P 500 7,446 ▲0.6 % DOW 49,617 ▼0.29 % NASDAQ 26,397 ▲1.18 % NAFTA 101.78 ▼0.39 % ARI 4,707 ▲0.43 % S&P 500 7,446 ▲0.6 % DOW 49,617 ▼0.29 % NASDAQ 26,397 ▲1.18 % NAFTA 101.78 ▼0.39 % ARI 4,707 ▲0.43 %
EUR/USD 1.1739 EUR/GBP 0.8675 EUR/CHF 0.9166 EUR/ALL 95.3433 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.3662 EUR/TRY 53.2999 EUR/JPY 185.02 EUR/CAD 1.6078 EUR/USD 1.1739 EUR/GBP 0.8675 EUR/CHF 0.9166 EUR/ALL 95.3433 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.3662 EUR/TRY 53.2999 EUR/JPY 185.02 EUR/CAD 1.6078
13 May 2026
Breaking
Politika

Shqipëri- Maqedoni e Veriut, deputetët dhe OSBE diskutojnë mbrojtjen e pasurive të përbashkëta natyrore

Në datat 12 dhe 13 Maj 2026, Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën dhe Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm zhvilluan një mbledhje të përbashkët në Strugë, Maqedoni e Veriut. Organizimi i aktivitetit u zhvillua nga OSBE.

Mbledhja e dy komisioneve bëri bashkë një përfaqësim diplomatik dhe legjislativ, ku morën pjesë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, si dhe ambasadorë e drejtues të lartë të prezencave të OSBE-së në të dy vendet.

Gjatë mbledhjes u diskutua mbi sfidat mjedisore e klimatike, të cilat përbëjnë një nga kërcënimet më serioze të kohëve moderne, duke ndikuar ndjeshëm në ekosisteme, ekonomi dhe mirëqenien njerëzore, me një ndikim të veçantë në rajon.

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shkup, Kilian Wahl, u shpreh se sfidat e përbashkëta mjedisore nuk mund të adresohen të ndara ndërsa nënvizoi nevojën për dialog, mbikëqyrje të zbatimit të ligjeve dhe shkëmbim të eksperiencave.

“Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut kjo është e rëndësishme. Liqeni i Ohrit dhe i Prespës janë pasuri natyrore dhe përgjegjësi e përbashkët. Kjo vlen edhe për ekosistemet malore. Përballemi me rreziqe të përbashkëta. Dialogu na ndihmon të krijojmë lidhje në vendimmarrje. Anëtarët e parlamenteve kanë rol thelbësor. Të ndajmë eksperiencat dhe perspektivat, të identifikojmë interesat e përbashkëta për bashkëpunim të vazhdueshëm.”, u shpreh Kilian Wahl.

Ambasadori Bakyt Dzhusupov, Koordinator i Aktiviteteve Ekonomike dhe Mjedisore të OSBE-së, gjatë fjalës së tij u shpreh se një rol të rëndësishëm për përballjen me sfidat klimatike, e kanë deputetët si dhe pjesëmarrja aktive nga akademikë e shoqëria civile me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm ekologjik.

“Bashkëpunimi për sfidat e përbashkëta redukton rreziqet dhe thellon bashkëpunimin mes fqinjëve. Deputetët kanë rol të rëndësishëm. Nevojitet pjesëmarrje aktive nga akademikë, shoqëria civile dhe grupet parlamentare. Kontributi ynë është shumë i rëndësishëm për një zhvillim të qëndrueshëm ekologjik. Synojmë të forcojmë bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.”, u shpreh Bakyt Dzhusupov.

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Michel Tarran, u shpreh se takimi i sotëm u organizua në kohën e duhur dhe në momentin kur sfidat e mjedisit dhe ndryshimet klimatike kërkojnë përgjigje të koordinuar.

“Në Shqipëri, përvoja tregoi se menaxhimi efikas dhe bashkëpunimi efikas janë të rëndësishëm, dhe se deputetët kanë rol kryesor në përgjigjen ndaj sfidave të sigurisë dhe mjedisit. Parlamentet nuk janë vetëm për të bërë ligje, por edhe për të bashkëpunuar. OSBE ka siguruar mbështetje për komisionet parlamentare që të punojnë mbi sfidat e mjedisit. Në Shkodër ndihmuam të ballafaqohen me sfidat ndërkufitare me Malin e Zi, sfidat klimatike dhe përcaktimin e aktiviteteve të përbashkëta. Komunitetet ballafaqohen me rreziqet e sigurisë nga prerja ilegale e pyjeve dhe zjarret. OSBE-ja ofron mbështetje që fokusohet mbi fuqizimin e pjesëmarrjes së grupeve parlamentare dhe bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet lokale. Vlera e shtuar e OSBE-së është në lidhjen e faktorëve në nivele të ndryshme dhe nga vende të ndryshme. Kjo është një pikënisje për bashkëpunim mes grupeve parlamentare. Jemi të përkushtuar për aktivitetet në vijim.”, nënvizoi Tarran.

Kryetari i Grupit Parlamentar Ndërpartiak për Mbrojtjen e Natyrës dhe Luftimin e Ndotjes dhe Ndryshimeve Klimatike në Maqedoninë e Veriut, Toni Jarevski, nënvizoi se vështirësitë me të cilat përballemi janë të njëjta ndërsa shprehu me bindje nevojën për takime të mëtejshme.

Kryetarja e Komisionit për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, Anila Denaj, nënvizoi nevojën për një dialog me të gjithë aktorët e rëndësishëm të fushës si dhe hartimin e zbatimin e ligjeve për mjedisin.

“Dialogu me të gjithë aktorët është i rëndësishëm, sidomos kur bëhet fjalë për mjedisin. Përgjegjësia jonë si parlamentarë është e lartë. Kaluam një paketë ligjesh për çështjet e mjedisit vitin e kaluar. Nëse implementojmë ligje që brenda një viti duhet të vihen në zbatim, kemi përgjegjësi. I kërkuam OSBE-së të na mundësonte këtë dialog. Ligjet për mjedisin nuk janë përfunduar. Duhet të ndjekim procesin nga afër. Jemi një vend që të gjithë bashkë ndajmë të njëjtat vlera dhe objektiva.”– deklaroi Anila Denaj.

Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, gjatë fjalës së saj u shpreh se OSBE-ja kontribuon në mënyrë të vazhdueshme në Parlamentin e Shqipërisë. Zhupa u shpreh se bashkëpunimi i përbashkët Shqipëri-Maqedoni e Veriut është i rëndësishëm për mbrojtjen e pasurive natyrore.

“Ndryshimet klimatike ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë. Kur bëhet fjalë për përmbytje, zjarre dhe degradimin e ekosistemeve, këto janë sfida që kërkojnë bashkëpunim. Janë sfida të së ardhmes, por edhe të së tashmes. Duhet të jemi të përgatitur. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndajnë jo vetëm kufij të përbashkët, por edhe pasuri natyrore e kulturore të përbashkëta. Liqenet tona, zonat e mbrojtura dhe trashëgimia kulturore varen nga aftësia jonë e përbashkët për të krijuar bashkëpunim. Besoj se ky duhet të jetë hapi i parë dhe jo i vetmi, që të mos mbetemi vetëm në hartimin e ligjeve, por edhe në nxitjen e dialogut në nivel rajonal. Të rrisim ndërgjegjësimin publik për sfidat mjedisore dhe klimatike. Shpreh gatishmërinë e komisionit që përfaqësoj për të garantuar që vijmë me vizion të përbashkët për mbrojtjen e mjedisit dhe trashëgimisë kulturore.”, u shpreh Zhupa.

Këshilltarja për Çështjet e Klimës, ZKAEM, Ellen Baltzar Mossop, u shpreh se duhet të forcojmë bashkëpunimin rajonal dhe përgjigjet e përbashkëta për sfidat mjedisore si dhe të reduktohet prerja jo legale e pyjeve në zonat e mbrojtura.

Gjatë aktivitetit folën Dimitar Kovaçevski, anëtar i Komisionit për Çështje ekonomike, Punë dhe Politikat Energjetike të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Ylli Hoxha, Drejtor i Agjencisë Kombëtare e Pyjeve, Ministria e Mjedisit në Shqipëri, Tomo Gjorgjeski, Parku Kombëtar Mavrovo, Maqedoni e Veriut, etj.

Diskutimet vijuan më tej nga ekspertë të agjencive kombëtare të mjedisit, drejtues të parqeve kombëtare dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët ndanë përvoja konkrete mbi sigurinë klimatike.

Në përfundim të mbledhjes, deputetët e komisioneve parlamentare ritheksuan nevojën për forcimin e bashkëpunimit mes vendeve, prioritetet e përbashkëta për mbrojtjen e natyrës dhe zhvillimin e qëndrueshëm rajonal.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.