Shqipëria dhe Mali i Zi drejt forcimit të bashkëpunimit, Hoxha pret në Tiranë homologun Ibrahimoviç
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti këtë të martë në Tiranë zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Mali i Zi, Ervin Ibrahimoviç, në një vizitë zyrtare që përkon me 20-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe me 20-vjetorin e rikthimit të pavarësisë së Malit të Zi.
Në konferencën e përbashkët për mediat, Hoxha vlerësoi marrëdhëniet shqiptaro-malazeze si një model të fqinjësisë së mirë në rajon, duke theksuar se gjatë dy dekadave të fundit dy vendet kanë ndërtuar një bashkëpunim të qëndrueshëm politik, ekonomik dhe rajonal.
“Shqipëria dhe Mali i Zi kanë ndërtuar, me vullnet të përbashkët, një model të vërtetë të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal”, deklaroi Hoxha, ndërsa shtoi se të dy vendet bashkëpunojnë ngushtësisht si aleate në NATO dhe partnere në procesin e integrimit europian.
Kryediplomati shqiptar bëri të ditur se i ka propozuar homologut malazez riaktivizimin e mekanizmit të takimeve ndërqeveritare “Qeveri me Qeveri” (G2G), me synimin për të çuar marrëdhëniet në një nivel më të lartë dhe për të përshpejtuar projektet konkrete infrastrukturore dhe ekonomike.
“I propozova kolegut Ibrahimoviç që të analizojmë gjithçka që kemi arritur deri tani dhe të shikojmë çfarë mund të bëjmë më shumë, më mirë dhe më shpejt në interes të dy vendeve tona”, tha Hoxha.
Ai nënvizoi se fokusi i bashkëpunimit në vitet e ardhshme do të jetë tek projektet ndërkufitare që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe lëvizjen e qytetarëve.
Sipas tij, prioritet mbeten hapja e Pikës së Përbashkët Kufitare Zogaj–Skje, ndërtimi i urës mbi lumin Buna dhe avancimi i projektit për hekurudhën Podgoricë–Hani i Hotit.
“Ky është një mekanizëm i rëndësishëm për të avancuar projektet konkrete ekonomike, infrastrukturore dhe të ndërlidhjes”, deklaroi ministri shqiptar, duke iu referuar takimeve ndërqeveritare mes dy vendeve.
Hoxha u ndal edhe te roli i komuniteteve respektive në dy shtetet, duke i cilësuar shqiptarët në Mal të Zi dhe minoritetin malazez në Shqipëri si ura të rëndësishme lidhëse mes dy vendeve.
“Shqipëria mbetet e palëkundur që minoriteti malazez të gëzojë të gjitha të drejtat që garantohen nga ligji kombëtar dhe ndërkombëtar”, tha ai, ndërsa shtoi se pret që komuniteti shqiptar në Mal të Zi të vijojë të ketë përfaqësim të drejtë dhe proporcional në jetën institucionale.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe procesi i integrimit europian. Hoxha përgëzoi Malin e Zi për progresin në negociatat me Bashkimi Evropian, duke theksuar se çdo sukses i Podgoricës është pozitiv për të gjithë rajonin.
“Shqipëria dhe Mali i Zi konsiderohen sot si vende pararojë të procesit të zgjerimit”, deklaroi ai, duke shtuar se procesi duhet të mbetet i bazuar te meritokracia dhe reformat konkrete.
Nga ana e tij, ministri malazez Ervin Ibrahimoviç vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si të shkëlqyera dhe tha se Tirana dhe Podgorica ndajnë të njëjtin vizion për të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor.
Ai theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe infrastrukturor, veçanërisht për projektet që lidhen me ndërlidhjen rajonale dhe lëvizjen më të lehtë të qytetarëve dhe bizneseve mes dy vendeve.
Ibrahimoviç u shpreh gjithashtu se Mali i Zi mbështet fuqishëm integrimin europian të Shqipërisë, duke nënvizuar se zgjerimi i BE-së mbetet garancia më e fortë për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.
Në përfundim të deklaratës së tij, Hoxha theksoi se Shqipëria dhe Mali i Zi do të vijojnë të bashkërendojnë qëndrimet dhe të mbështesin njëri-tjetrin në procesin e negociatave europiane.
“Synimi ynë është që së shpejti të ulemi bashkërisht si dy anëtarë të rinj në tryezën e Bashkimit Evropian”, deklaroi ai.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.