Politika

Shqipëria dhe Mali i Zi, shembull i bashkëpunimit kufitar në rajon

Shqipëria dhe Mali i Zi japin shembullin në rajon sa i takon bashkëpunimit ndërkufitar me funksionimin e pikës së parë të përbashkët të kalimit kufitar Muriqan-Sukobinë.

Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanović po zhvillon të hënën një vizitë zyrtare në vendin tonë, ku u prit nga kreu i Shtetit, Ilir Meta. Në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun shqiptar, Vujanoviç u shpreh se “mes dy vendeve tona nuk kemi çështje të hapura”.

Ai siguroi se dy vendet do të avancojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat, dhe kësaj, sipas tij, i shërben edhe organizimi i një mbledhje të përbashkët mes dy qeverive, ku do kërkohen hapësira për bashkëpunim, jo vetëm në fushën e ekonomisë, por edhe në fusha të tjera.

“Do të punojmë bashkërisht në drejtim të liqenit të Shkodrës dhe pellgut të ujërave të lumit Buna. Jemi dy shtete që japim shembull të shkëlqyer me një pikë kalimi kufitar dhe do të përpiqemi  që këtë model ta shtrijmë edhe në pikat e tjera kufitare”, tha ai.

Presidenti i Malit të Zi vlerësoi po ashtu miratimin e ligjit “Për pakicat kombëtare”, duke u shprehur se pakicat kombëtare janë ura bashkëpunimi mes dy vendeve.

Ndërsa Presidenti Meta u shpreh se kufiri mes dy vendeve më tepër na bashkon se sa na ndan. “Alpet, liqeni i Shkodrës, Buna dhe Adriatiku janë një pasuri e madhe për të cilat duhet të kujdesemi edhe më shumë për mbrojtjen e mjedisit dhe promovimin e përbashkët, në mënyrë që dy vendet të përfitojnë sa më shumë nga kjo pasuri unike”, tha ai.

Meta theksoi se “ka nevojë për t’u fokusuar edhe më mirë bashkë me Kroacinë, për realizimin e disa projekteve madhore me ndikim në zhvillimin e vendeve por edhe rajonit, si autostrada Adriatiko-Joniane, por edhe realizimi i gazsjellësit IAP.

“Angazhimet e qeverive tona do të vazhdojnë edhe në kuadër të procesit të Berlinit dhe nismave të tjera që synojnë përmirësimin e bashkëpunimit dhe konektivitetit mes gjithë vendeve të rajonit”, tha Meta.

Shqipëria dhe Mali i Zi, sipas tij, janë shembull i bashkëpunimit në rajon dhe do të vazhdojnë kështu dhe në të ardhmen. Duke vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe popujve,  Meta veçoi rolin përcaktues dhe të qartë të shqiptarëve në Malin e Zi.

“Pakica malazeze në Shqipëri është një pasuri e çmuar për ne. Do të bëjmë çdo gjë për të ruajtur dhe zhvilluar identitetin e tyre kombëtar dhe kulturor, sepse për vendet me mendësi evropiane pakicat nuk janë rrezik, por janë pasuri dhe ura të pazëvendësueshme”, tha Meta.

Ai po ashtu theksoi se “kjo është hera e parë që Shqipërinë e viziton Presidenti i Malit të Zi, në pozitat e një vendi anëtar në NATO. Anëtarësimi në NATO i Malit të Zi, sipas Presidentit Meta, është sukses për të gjitha vendet e rajonit.

Shpresojmë, tha Meta, që vitin e ardhshëm edhe Maqedonia të realizojë një sukses të tillë sepse forcon sigurinë dhe stabilitetin në gjithë rajonin tonë.

Edhe kreu i shtetit shqiptar vlerësoi funksionimin e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Muriqan-Sukobinë. “Ka ende vend për përmirësimin dhe lehtësimin e infrastrukturës, pasi shkëmbimet po rriten në mënyrë të jashtëzakonshme”, tha ai.

Demarkacioni me Kosovën- Vujanoviç: Çështje e brendshme e Kosovës 

I pyetur mbi demarkacionin e kufirit me Kosovën, Vujanoviç u shpreh se “për Kosovën ne e kemi përcaktuar qëndrimin tonë shtetëror”. “Kjo marrëveshje është nënshkruar në Vjenë, është ratifikuar në Malin e Zi, ka edhe shumicën në Kosovë. Kjo është një çështje e brendshme e Kosovës dhe ne kemi durim të presim”, tha ai.

Brukseli e ka vendosur zgjidhjen e kësaj çështje si kusht për liberalizimin e vizave të Kosovës, shtoi Presidenti i Malit të Zi. “Ne duam që të liberalizohen vizat dhe këto probleme të zgjidhen sa më parë. Ne nuk kemi dashur të ndikojmë në asnjë rast me asnjë deklaratë, pasi këto janë çështje të brendshme të Kosovës”, tha ai.

Në këtë drejtim, Presidenti Meta u shpreh se “duam të shohim një vullnet të plotë e të mjaftueshëm në Kosovë mes gjithë aktorëve, për të ecur përpara në këtë çështje.

“Dihet që marrëdhëniet mes Kosovës dhe Malit të Zi mund të konsiderohen shumë të mira dhe të qëndrueshme. Mali i Zi është nga njohësit e parë të pavarësisë. Vlerësoj edhe konstruktivitetin me të cilin u përgjigj Presidenti Vujanoviç, i cili tha se kemi durim që të jepet një zgjidhje e plotë dhe përfundimtare, sepse është në interes të të dyja vendeve, por edhe në interes të Kosovës për  liberalizmin e vizave”, shtoi Meta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button