Shqipëria feston 82-vjetorin e Çlirimit, homazhe te Varrezat e Dëshmorëve, Rama uron shqiptarët
Shqipëria përkujton sot 82-vjetorin e Çlirimit nga pushtimi nazifashist. Paraditen e kësaj të diele, siç njofton Shqiptarja.com, pritet të mbahet ceremonia përkujtimore te Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku krerët e shtetit do të vendosin kurora me lule në memorialin “Nëna Shqipëri”, në nderim të të rënëve të Luftës Nacionalçlirimtare.
Kryeministri Edi Rama uroi shqiptarët për Ditën e Çlirimit, duke ndarë në rrjetet sociale një fotografi të memorialit “Nëna Shqipëri”.
Politika shqiptare e përkujton të ndarë këtë ditë: e majta kremton Pavarësinë më 28 Nëntor dhe Çlirimin më 29 Nëntor, datë që njihet zyrtarisht, ndërsa e djathta i përkujton të dyja ngjarjet më 28 Nëntor.
Pushtimi i Shqipërisë nisi me agresionin fashist italian më 7 prill 1939, ndërsa pas kapitullimit të Italisë në vjeshtën e vitit 1943 vendi ra nën kontrollin e forcave gjermane. Lufta për çlirim kulmoi në nëntor të vitit 1944.
Tirana u çlirua më 17 nëntor 1944, ndërsa Shkodra dhe zona veriore më 29 nëntor, duke shënuar fundin e pushtimit gjerman në të gjithë vendin. Shqipëria mbetet i vetmi vend në Ballkan që u çlirua kryesisht me forcat e veta.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.