Zbulohet banesa me lëndë piroteknike, arrestohet 32-vjeçari që dyshohet se u shiste fishekzjarrë protestuesve të maskuar
Policia e Tiranës ka zbuluar një tjetër banesë ku mbaheshin lëndë piroteknike, të dyshuara si të kontrabanduara dhe të destinuara për t’u shitur te persona të maskuar, të dyshuar për përfshirje në veprime të dhunshme gjatë tubimeve të fundit.
Në kuadër të operacionit të koduar “Fireworks 2”, u arrestua në flagrancë pronari i banesës, një 32-vjeçar me inicialet D. B. Gjatë kontrollit në banesën e tij, në rrugën “Zela”, efektivët gjetën dhe sekuestruan 47 pako me fishekzjarrë, të cilat u morën si prova materiale.
Sipas Policisë, nga verifikimet rezultoi se 32-vjeçari nuk dispononte licencë për shitjen e lëndëve piroteknike dhe as dokumentacionin përkatës që vërtetonte blerjen e tyre.
Hetimet paraprake krijojnë dyshime se ai u kishte shitur lëndë piroteknike personave të maskuar, pjesëmarrës në tubimin e së shtunës, për t’i përdorur gjatë veprimeve të dhunshme.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në kuadër të kontrolleve për identifikimin dhe ndalimin e personave që dyshohet se furnizojnë pjesëmarrësit në protesta me sende të kundërligjshme, të përdorura kundër punonjësve të Policisë dhe objekteve publike e private.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.