TEL AVIV – Izraeli nuk planifikon sulme ndaj Iranit para zgjedhjeve
TE AVIV, 26 tetor /ATSH-DPA/ – Izraeli nuk ka plane për të sulmuar Iranin përpara zgjedhjeve parlamentare të së martës, deklaroi ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, duke hedhur poshtë raportimet për një përplasje mes kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe drejtuesve ushtarakë lidhur me një operacion të mundshëm kundër Iranit.
“Dua ta bëj plotësisht të qartë se Izraeli nuk ka pasur kurrë si qëllim të nisë një sulm ndaj Iranit përpara zgjedhjeve në Izrael”, shkroi Katz sot në mëngjes në rrjetin social X.
Ai shtoi se Izraeli ka bërë të qartë se do të reagojë me ashpërsi të madhe në rast se Irani sulmon vendin.
Televizioni izraelit N12 raportoi se Netanyahu dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, Eyal Zamir, kishin pasur mosmarrëveshje lidhur me një veprim të planifikuar ushtarak, i cili mund të shkaktonte përshkallëzim të tensioneve me Iranin pak para zgjedhjeve.
Sipas televizionit, Zamir kishte kërkuar konsultime të hollësishme dhe garanci ligjore me shkrim përpara zbatimit të masës së planifikuar.
Drejtuesit ushtarakë shqetësoheshin se Netanyahu mund ta shfrytëzonte konfliktin me Iranin për qëllime të politikës së brendshme, raportoi “N12”. Kryeministri izraelit i ka mohuar këto pretendime.
Ministri Katz i cilësoi raportimet si një përpjekje “të turpshme dhe të papërgjegjshme” nga politikanë të opozitës izraelite për të diskredituar atë dhe kryeministrin përpara zgjedhjeve vendimtare.
Gjatë një vizite dje në një objekt të sistemit izraelit të mbrojtjes antiraketë “Arrow”, Netanyahu deklaroi se ushtria ishte e përgatitur si për mbrojtje, ashtu edhe për sulm.
“Mos na provokoni, pasi do t’ju përgjigjemi me goditje shumë më të ashpra”, paralajmëroi Netanyahu, duke iu drejtuar kundërshtarëve të Izraelit. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.