🌤️
Tiranë 20°C · Kryesisht kthjellët 09 September 2026
S&P 500 7,674 ▼0.58%
DOW 52,786 ▼1.18%
NASDAQ 26,421 ▼0.32%
NAFTA 94.57 ▲1.66%
ARI 4,391 ▼1.09%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1623 EUR/GBP 0.8586 EUR/CHF 0.9409 EUR/ALL 92.1512 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3482 EUR/TRY 56.3403 EUR/JPY 179.51 EUR/CAD 1.6057 EUR/USD 1.1623 EUR/GBP 0.8586 EUR/CHF 0.9409 EUR/ALL 92.1512 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3482 EUR/TRY 56.3403 EUR/JPY 179.51 EUR/CAD 1.6057
₿ CRYPTO
BTC $78,739 ▼ -0.59% ETH $2,494 ▲ +0.17% XRP $1.4205 ▲ +1.57% SOL $103.7900 ▼ -0.06%
S&P 500 7,674 ▼0.58 % DOW 52,786 ▼1.18 % NASDAQ 26,421 ▼0.32 % NAFTA 94.57 ▲1.66 % ARI 4,391 ▼1.09 % S&P 500 7,674 ▼0.58 % DOW 52,786 ▼1.18 % NASDAQ 26,421 ▼0.32 % NAFTA 94.57 ▲1.66 % ARI 4,391 ▼1.09 %
EUR/USD 1.1623 EUR/GBP 0.8586 EUR/CHF 0.9409 EUR/ALL 92.1512 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3482 EUR/TRY 56.3403 EUR/JPY 179.51 EUR/CAD 1.6057 EUR/USD 1.1623 EUR/GBP 0.8586 EUR/CHF 0.9409 EUR/ALL 92.1512 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3482 EUR/TRY 56.3403 EUR/JPY 179.51 EUR/CAD 1.6057
09 Sep 2026
Breaking
Ekonomia

Shqipëria vendos në fuqi kontrollin e detyrueshëm të investimeve të huaja në sektorët strategjikë

Shqipëria ka kaluar në zbatimin e plotë të një mekanizmi të ri për kontrollin paraprak të investimeve të huaja direkte, duke vendosur detyrimin që investime të caktuara në sektorë strategjikë të marrin miratim përpara përfundimit të transaksionit.

Zhvillimi është analizuar më 7 shtator 2026 nga firma ndërkombëtare e avokatisë Schönherr, e cila thekson se, pas përfundimit të periudhës kalimtare, sistemi shqiptar i kontrollit të investimeve të huaja tashmë zbatohet në të gjithë sektorët e përcaktuar nga rregullorja.

Mekanizmi u krijua fillimisht përmes ndryshimeve të vitit 2025 në ligjin “Për investimet e huaja”, ndërsa procedurat konkrete u përcaktuan më pas me Vendimin nr. 226 të Këshillit të Ministrave. Sistemi është modeluar sipas kuadrit të Bashkimit Evropian për kontrollin e investimeve të huaja që mund të prekin sigurinë kombëtare ose rendin publik.

Ndryshimi kryesor për investitorët është se Shqipëria tashmë aplikon atë që në terminologjinë juridike quhet “mandatory pre-closing notification”: në transaksionet që hyjnë në kategoritë e përcaktuara, investimi nuk mund të përfundojë pa kaluar më parë procesin e kontrollit dhe autorizimit.

Sektorët e përfshirë janë të gjerë. Në kategorinë e sektorëve “të ndjeshëm” hyjnë, ndër të tjera, energjia, transporti, shëndetësia, telekomunikacionet, bankat, mediat, inteligjenca artificiale dhe siguria kibernetike.

Në këta sektorë, kontrolli aktivizohet në përgjithësi kur një investitor i huaj synon të arrijë 25 për qind të pjesëmarrjes, ndërsa procedura mund të aktivizohet përsëri kur pjesëmarrja arrin nivelet 30, 40, 50 ose 75 për qind.

Për sektorët që konsiderohen veçanërisht të ndjeshëm, pragu është shumë më i ulët: vetëm 10 për qind.

Në këtë kategori përfshihen industria e mbrojtjes, infrastruktura kritike energjetike dhe dixhitale, rrjetet 5G, qendrat e të dhënave, furnizimi me ujë dhe teknologjitë financiare, ose FinTech.

Rregullat nuk synojnë vetëm investitorët që vijnë drejtpërdrejt nga vende jashtë Bashkimit Evropian. Kontrolli mund të zbatohet edhe ndaj një kompanie të regjistruar në BE nëse ajo kontrollohet nga një vend i tretë ose nëse struktura e pronësisë tregon ndikim të konsiderueshëm të kapitalit nga vende të treta.

Ndër faktorët që autoritetet shqiptare mund të marrin në konsideratë përmenden strukturat e paqarta të pronësisë, lidhjet me interesa ushtarake, rreziqet e terrorizmit dhe kërcënimet ndaj pluralizmit të medias.

Vendimmarrja i takon Komitetit Ndërministror për Shqyrtimin e Investimeve të Huaja Direkte, i drejtuar nga ministri përgjegjës për ekonominë.

Pasi paraqitet kërkesa për autorizim, komiteti ka fillimisht 30 ditë për të vendosur nëse transaksioni mund të vazhdojë apo nëse duhet hapur një hetim i detajuar. Në raste të caktuara, afati mund të zgjatet deri në 90 ditë.

Autoritetet mund ta miratojnë investimin pa kushte, ta miratojnë me kushte, ta refuzojnë ose ta pezullojnë në pritje të informacionit shtesë.

Por kompetencat shkojnë edhe më tej. Komiteti mund të hapë kryesisht një kontroll ndaj investimeve që nuk janë deklaruar, të kërkojë masa korrigjuese dhe madje të urdhërojë zhbërjen e një transaksioni.

Në rastet kur një investim është realizuar në kundërshtim me ndalimin ose pa respektuar kushtet e vendosura, marrëveshjet përkatëse mund të konsiderohen të pavlefshme ose të prodhojnë efekte vetëm sipas kushteve të përcaktuara nga autoritetet.

Një element me rëndësi të veçantë është se kontrolli nuk kufizohet domosdoshmërisht vetëm te investimet e ardhshme. Sipas analizës së Schönherr, edhe investime të realizuara përpara hyrjes në fuqi të rregullores mund të rishikohennëse shfaqen rreziqe reale për sigurinë ose rendin publik, nëse ndryshojnë në mënyrë substanciale apo nëse evidentohen shenja të ndikimit nga një vend i tretë.

Kuadri fillestar ishte miratuar nga Kuvendi në korrik 2025 dhe, sipas UNCTAD-it, e bëri Shqipërinë një nga vendet e para të Ballkanit Perëndimor që ndërtoi një sistem formal kontrolli të investimeve të huaja sipas modelit të BE-së.

Rëndësia ekonomike e këtij zhvillimi qëndron në ndryshimin e filozofisë së politikës shqiptare ndaj kapitalit të huaj. Për shumë vite Shqipëria ka pasur një regjim relativisht liberal për investimet e huaja. Tani, për sektorët strategjikë, origjina e kapitalit, struktura e pronësisë dhe ndikimi potencial mbi sigurinë kombëtare bëhen pjesë e procesit të miratimit.

Rregullorja është gjithashtu pjesë e afrimit të legjislacionit shqiptar me Bashkimin Evropian. Sipas Schönherr, ajo parashikohet të shfuqizohet kur Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së, moment kur vendi do të hyjë drejtpërdrejt në kuadrin juridik evropian për kontrollin e investimeve të huaja.

Lexo analizën e Schönherr të 7 shtatorit 2026

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.