Shqiptarët në Europë/ Drejtor sportiv në Ligue 1, Viktor Bezhani tregon rrugëtimin e tij
Futbolli është një industri gjigante që evoluon dita-ditës, por të jesh drejtues teknik në një klub prestigjioz pa qenë më parë futbollist profesionist është tepër e vështirë. Rastet e suksesshme janë të rralla, ndonëse në futbollin modern gjërat kanë ndryshuar. Një nga rastet më të veçanta është ai i Viktor Bezhanit, i cili konsiderohet një nga figurat më të suksesshme në nivelet drejtuese të futbollit, edhe pse në të shkuarën nuk e ka përjetuar emocionin e të qenit futbollist profesionist.
Toulouse është qyteti i katërt më i madh në Francë, i shtrirë në pjesën jugore të vendit, rreth 150 kilometra larg Detit Mesdhe. Pikërisht në këtë qytet, mbi 600 kilometra larg Parisit, emri i Shqipërisë dëgjohet falë Viktor Bezhanit, i cili prej vitit 2023 është kthyer në një ambasador të vendit tonë në Francë. 41-vjeçari ka ndërtuar një karrierë mbresëlënëse në futbollin europian.
Emri i Viktor Bezhanit po fiton gjithnjë e më shumë peshë në nivelet drejtuese të këtij sporti, ndërsa rrugëtimi i tij në botën e futbollit profesionist ka kaluar edhe nga sektori i edukimit në Shqipëri. Pas studimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që i dhanë një perspektivë më të gjerë, specializimi me licencën UEFA Pro pranë Federatës Shqiptare të Futbollit e kompletoi profilin e tij si drejtues teknik. Në rubrikën e reportazheve “Shqiptarët në Europë”, Viktor Bezhani tregoi rrugëtimin e tij për FSHF TV.
Pas nisjes së karrierës si analist te ekipi U-19 i Kroacisë dhe si ndihmëstrajner te Anorthosis në Qipro, ai vijoi aventurën si skaut në vitin 2017 te Legia Warsaw në Poloni, ku fitoi edhe dy trofe. Më pas bëri hapin e madh drejt Anglisë, ku bashkëpunoi me Brentford, Watford dhe Leicester City, përpara se në qershor të vitit 2023 të bëhej pjesë e Toulouse, duke arritur objektivin e tij, ndonëse kishte qindra aplikime për atë pozicion.
Nga futbolli britanik te ai francez, për Bezhanin kalimi te Toulouse rezultoi zgjedhja e duhur, edhe falë mënyrës së organizimit dhe menaxhimit të klubit. Në ambientin e skuadrës franceze, vlerësimi për drejtuesin shqiptar është maksimal. Presidenti Olivier Cloarec, trajneri Carles Martinez Novell dhe mbrojtësi britanik Charlie Cresswell kanë vlerësuar aftësitë e tij profesionale dhe strategjitë e menaxhimit.
“Është vërtet kënaqësi të punosh me Viktorin dhe është shumë e lehtë të bashkëpunosh me të. Edhe pse, kur erdha para 9 muajsh, nuk njiheshim fare me njëri-tjetrin. U hodhëm menjëherë në aksion, sepse merkatoja kishte nisur tashmë. Ai ishte shef i rekrutimit kur erdha unë dhe ishte gjithashtu drejtor sportiv në detyrë, ndërsa unë mora detyrën si president më 15 korrik. Kishim një periudhë merkatoje shumë të rëndësishme dhe u kuptuam menjëherë shumë mirë. Gjithçka funksiononte në mënyrë perfekte mes nesh dhe mendoj se së bashku, me njerëzit e tjerë të klubit, zhvilluam një merkato shumë të mirë”, deklaroi për FSHF TV presidenti i Toulouse, Olivier Cloarec.
Që nga nisja e këtij sezoni, Bezhani mori mbi supe një nga detyrat më të rëndësishme në një klub futbolli: ndërtimin e skuadrës dhe strategjisë afatgjatë, duke u emëruar drejtor sportiv i Toulouse. Përgjegjësia për vendime që përfshijnë miliona euro, presioni i rezultateve dhe menaxhimi i marrëdhënieve brenda klubit e bëjnë këtë pozicion një nga më delikatët në futbollin modern. Megjithatë, besimi i dhënë nga klubi francez është shpërblyer deri më tani.
Ndër të tjera, Bezhani zbuloi se në të kaluarën ka qenë pranë transferimit të disa futbollistëve shqiptarë në Francë.
“Kam parë 2-3 lojtarë shqiptarë dhe jam munduar t’i sjell këtu, por për arsye të ndryshme nuk u realizuan. Ajo që dua të them është se ne shqiptarët duhet të mbështesim më shumë njëri-tjetrin dhe të promovojmë më shumë sukseset tona. Sidomos njerëz si unë dhe Igli, që jemi në një nivel më të lartë në futboll, kemi një përgjegjësi për të ndihmuar. Unë e marr si përgjegjësi personale, sepse nuk përfaqësoj vetëm veten, por edhe vendin tim. Dhe kur të mbarojë koha ime këtu te Toulouse, pse jo, mund të vijë një tjetër shqiptar dhe të gjejë një perceptim pozitiv për ne”, – u shpreh Bezhani.
Të jesh pjesë e niveleve drejtuese të një klubi elitar në një nga pesë ligat më të forta europiane është padyshim një sukses i jashtëzakonshëm. Bezhani është nga ata njerëz që kanë preferuar të flasin më shumë me punën sesa me daljet mediatike. Një shembull që tregon se, pavarësisht rrugës nga e cila vjen, me përkushtim dhe profesionalizëm mund të arrish çdo objektiv që i vendos vetes.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.