Kronika

Shqiptari famëkeq fyen ligjvënësit amerikanë

Martin Shkreli, shqiptari i bërë i famshëm për rritjen e çmimit brenda natës me 5 mijë përqind të Daraprimit, një medikament që përdoret nga të prekurit me AIDS për të parandaluar infeksionet, doli para një komiteti të Kongresit amerikan.

Përballja e tij me komitetin e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan mbërriti 24 orë pas ngritjes zyrtare të akuzës për mashtrim ndaj tij nga ana e një gjykate federale në Bruklin.

“Çfarë mund t’i thoni ju një gruaje shtatzënë e prekur nga AIDS dhe me të ardhura të pamjaftueshme, për të cilën Daraprimi është i domosdoshëm për të mbijetuar?!”, pyeti kreu i Komitetit Jason Chaffetz.

32-vjeçari Shkreli zgjodhi të mos përgjigjet, duke iu drejtuar një amendamenti të Kushtetutës amerikane.

“Me këshillën e avokatit, referuar amendamentit të pestë kundër vetë-inkriminimit, me respekt vendos të mos i përgjigjem pyetjes tuaj”, tha Shkreli.

Sipërmarrësi me origjinë shqiptare u akuzua nga ligjvënësit amerikanë për “para gjaku”, referuar këtu rritjes së çmimit të Daraprimit. Vetë Shkreli refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve të komitetit dhe shpesh gjatë seancës dëgjimore shfaqte në fytyrë një buzëqëshje ironike.

Kjo bëri që njëri prej anëtarëve të komiteti të kërkonte ekspertizën mendore të tij, përforcuar kjo edhe nga shpërthimi i Shkrelit në Tëitter ndaj ligjvënësve amerikanë.

“E vështirë të pranosh që kemi këta idiotë që prezantojnë njerëzit në qeverinë tonë”, shkruan ai.

“Turing Pharmaceuticals”, kompania farmaceutike që Shkreli themeloi dhe drejtoi deri në muajin dhjetor kur u arrestua, është në qendër të kritikave për rritjen e çmimit të Daraprimit nga 13.5 dollarë për pilulë në 750 dollarë.

Sipas autoriteteve amerikane, që prej blerjes së Daraprimit në muajin gusht, kompania e Shkrelit ka fituar 98 milionë dollarë, ndërkohë që kostoja e prodhimit të kësaj pilule gjatë kësaj periudhe nuk ka tejkaluar 1 milion dollarë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button