Shqiptaro-amerikani, Yll Bajraktari që shërbeu në administratën Trump uron presidenten Shiroka-Pula, do të sjell në Kosovë një delegacion prej rreth 60 liderësh të rinj
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pranuar një letër urimi nga Ylli Bajraktari, president i ‘Special Competitive Studies Project’ (SCSP), me rastin e zgjedhjes së saj në detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës.
Në letër, Bajraktari shpreh përgëzimet e tij për zgjedhjen e Presidentes Shiroka Pula dhe rithekson përkushtimin e SCSP-së për të mbështetur përpjekjet e Kosovës në zhvillimin e kapaciteteve teknologjike, avancimin e potencialit të të rinjve dhe forcimin e lidhjeve me komunitetin global të inovacionit.
Ai vlerëson se Kosova ka mundësi të rëndësishme për të përfituar nga zhvillimi i inteligjencës artificiale, duke pasur parasysh potencialin e të rinjve, ekosistemin në rritje të teknologjisë dhe ndërmarrjet e reja inovative që kanë dëshmuar aftësinë për të konkurruar në tregjet ndërkombëtare.
Sipas Bajraktarit, zhvillimi i inteligjencës artificiale po ndryshon rrënjësisht ekuilibrat ekonomikë, teknologjikë dhe gjeopolitikë në nivel global, duke krijuar mundësi të reja edhe për shtetet e vogla që arrijnë të mobilizojnë talentin, të përqafojnë inovacionin dhe të veprojnë me shpejtësi e vizion.
Në këtë drejtim, ai thekson se Kosova ka talent, energji sipërmarrëse dhe lidhje ndërkombëtare të nevojshme për ta shndërruar potencialin e saj në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, siguri kombëtare dhe ndikim ndërkombëtar.
Në letrën drejtuar Presidentes Shiroka Pula, Bajraktari njofton gjithashtu se SCSP-ja planifikon të sjellë në Kosovë, muajin e ardhshëm, një delegacion prej rreth 60 liderësh të rinj nga vende të ndryshme të botës dhe i cili do të takohet me Presidenten.
Ai ka shprehur bindjen se kjo vizitë do të krijojë mundësi për t’ua prezantuar një brezi të ri të liderëve globalë kapacitetet, talentin dhe potencialin e Kosovës.
Ylli Bajraktari është një ekspert shqiptaro-amerikan i sigurisë kombëtare, teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, i cili ka mbajtur pozita të rëndësishme në institucionet e sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai është president dhe drejtor ekzekutiv i Projektit për Studime të Veçanta Konkurruese (SCSP), një organizatë që studion ndikimin e teknologjive të reja në sigurinë kombëtare dhe konkurrueshmërinë e SHBA-së.
Bajraktari ka lindur në Kosovë dhe më pas është shpërngulur në Shtetet e Bashkuara. Ka diplomuar në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin George Washington dhe ka përfunduar studimet pasuniversitare në Politika Publike në Universitetin Harvard. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.