“Shuplakë” gjermane, deputeti i CDU: Vettingu të shoqërohet me ndjekje penale
Deputeti i Bundestagut gjerman Andreas Lammel shprehet se Gjermania pret që politika shqiptare të tregojë se është e angazhuar në drejtim të luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Lammel, anëtar i grupit të punës për ballkanin perëndimor në grupin parlamentar CDU/CSU në Bundestagun Gjerman si dhe anëtar i komisionit për ekonominë dhe energjinë në CDU/CSU ndalet te zhvillimet e fundit në vend, zhvillimet politike, protestat e studentëve dhe çështjet e integrimit.
Zoti Lammel, a po ecën Shqipëria me ritmet e duhura sa i përket procesit të integrimit? Gjatë 2019 presim hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.
Unë shpresoj që Shqipëria të jetë në rrugën e duhur. Gjatë vitit të kaluar kushtet për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Europian ende nuk ishin plotësuar. Ndërmjet dy vizitave, kësaj vizite dhe vizitës tjetër që unë kam qenë në Shqipëri kanë ndodhur shumë gjëra dhe janë realizuar shumë hapa në vend. Reforma zgjedhore pritet që të vendoset këto ditë ndërkohë që janë kryer hapa dhe ka pasur progres për sa i përket reformës në drejtësi. E rëndësishme është që arritjet e deritanishme nuk do të përfundojnë, por ato duhet të vazhdojnë sipas planeve dhe afateve të parashikuara. Këto zhvillime duhet të vazhdojnë më tej në mënyrë që të presim qershorin e ardhshëm për të parë rezultatin.
Një kusht i rëndësishëm nga BE është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Keni konstatuar hapa konkret në këto dy fusha?
Për ne në Gjermani lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është një prej prioriteteve kryesore. Këto çështje i kemi diskutuar gjatë dhe shpesh me politikanët shqiptarë. Tashmë duket se proceset e rëndësishme në këtë drejtim kanë marrë udhë. Ato kanë nisur. Ne presim që në tremujorin e ardhshëm të ngrihet dhe të themelohet struktura e posaçme për hetimin e krimit të organizuar SPAK dhe presim që gjithashtu kjo strukturë të bëhet sa më shpejt funksionale dhe të ketë mbështetje dhe shtysë politike. Në sytë e Gjermanisë është e rëndësishme që politika shqiptare të tregojë se e mbështet luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar me energji. Ne si Gjermani mbështesim këto procese. por presim që politika shqiptare të tregojë se është e angazhuar në drejtim të luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Zoti Lammel, ndodheni në Shqipëri për të mbledhur informacione mbi situatën aktuale. Cfarë do të raportoni për Shqipërinë kur të ktheheni në Gjermani?
Së pari më lejoni të them se unë vij gjithmonë me kënaqësi në Shqipëri sepse pritja këtu është gjithmonë miqësore. Eshtë vërtet interesante të jesh në Shqipëri për të ndjekur zhvillimet që ndodhin, por për të kaluar te pyetja juaj se çfarë do të raportoj unë kur të kthehem në Gjermani. Së pari do të flas për një gjë pozitive që Partia Demokratike rikthehet në parlament. Për ne si Kristian Demokratë bojkoti parlamentar është diçka e papranueshme pasi mendojmë se debati dhe diskutimi politik duhet të jetë transparent për qytetarët dhe të zhvillohet brenda kuvendit. Shpresoj që të raportojmë për këtë lajm pozitiv për kthimin e partisë demokratike në parlament. Së dyti do të flas edhe për atë çfarë kam parë këto ditë që kam qenë në Tiranë për protestën e studentëve. Kur shoh protestën e studentëve pyes veten sesi reagon qeveria ndaj studentëve dhe protestës dhe kërkesave të tyre. Me çfarë kam vënë re unë shoh pak reagim nga ana e qeverisë në lidhje me kërkesat e tyre. Dua tu them të dyja palëve se nuk mund te arrijnë 100 përqind plotësimin e kërkesave, por e rëndësishme është që të bisedohet dhe secila palë të ketë aftesinë dhe gatishmërinë për të bërë kompromise. Me persona të ndryshëm që kam biseduar gjatë këtyre ditëve më thonë se çështjet e ngritura nga studentët janë të drejta pasi gjendja në universitete është shqetësuese. Së treti do të raportoj edhe për reformën në drejtësi, reformën zgjedhore, procese këto që tashmë kanë nisur, por e rëndësishme është që të mos flihet mbi rezultatet e deritanishme, por këto procese të vazhdohen edhe më tej. Qeveria dhe opozita duhet të bashkëpunojnë me njëra tjetrën në mënyrë që ta çojnë vendin përpara. Së katërti do të flas në Gjermani edhe për faktin se qyteti i Tiranës është zbukuruar dhe ndriçuar në një atmosferë shumë të bukur për Krishtlindje dhe i uroj të gjithëve atyre që i festojnë, por edhe që nuk i festojnë që ky kalim vitesh të jetë sa më i mirë për të gjithë.
Ndodheni në Tiranë në një kohë që kryeqyteti shqiptar është përfshirë nga protestat. Nga njëra anë janë studentët, nga ana tjetër janë disa banorë të cilëve do tu prishen shtëpitë. Cila do të ishte zgjidhja e duhur?
Për këto gjëra kam pasur mundësinë që të bisedoj edhe të diskutoj me shumë partnerë gjatë këtyre ditëve. Natyrisht që është një problem i vështirë po të kemi parasysh faktin se zhvillimet që kanë ndodhur në shqipëri gjatë këtyre 25 viteve të fundit jo gjithmonë kanë qënë të ligjshme apo kanë përmbushur kriteret ligjore. Cështjet e pronësisë, çështjet e regjistrave kadastralë janë çështje që nuk mund të zgjidhen sa hap e mbyll sytë. Por e nevojshme është që qeveria të reagojë, të veprojë me kujdes dhe ndjeshmëri karshi situatës së banorëve dhe e rëndësishme në situata të tilla është që të flitet për problemet, për çështjet e krijuara për gjetjen e zgjidhjeve të mundshme. Unë pata mundësi që të takoj edhe ministrin e brendshëm me të cilin folëm edhe për këtë çështje. Gjatë bisedës arrita të kuptoj që ekziston vullneti i qeverisë për të gjetur një zgjidhje në të mirë të të dy palëve qoftë të banorëve shtëpitë e të cilëve priten që të prishen, por pa penguar vazhdimin dhe çuarjen më tej të projekteve infrastrukturore.
Zoti Lammel, siç e përmendët opozita sapo i ka dhënë fund bojkotit parlamentar. Bojkotet kanë qënë të herëpashershme në vendin tonë.
Debati, diskutimi politik duhet të zhvillohet në parlament dhe jo jashtë parlamentit. Nëse jam përfaqësues i një partie politike, atëherë unë mbaj përgjegjësi për zhvillimin e vendit. Bojkoti, qoftë bojkoti i parlamentit apo bojkoti i zgjedhjeve është diçka e papranueshme të cilës i përgjigjemi me tolerancë zero. Për çdo parti politike është e rëndësishme që debati të zhvillohet në parlament dhe aty është skena ku palët duhet të përballen me njëra tjetrën. Duke shpresuar që çdo vit të mos kemi një rast të ri ku të shërbejë si rast për të bojkotuar punimet e parlamentit.
Zoti Lammel, e konsideroni të suksesshme reformën në drejtësi në Shqipëri?
Këtë gjë nuk mund ta themi ende sepse reforma në drejtësi sapo ka filluar. Do të ndjekim në muajt në vijim mënyrën sesi do të shkojë më tej procesi. Ajo që mund të them është se reforma në drejtësi është një gur shumë i rëndësishëm themeli kur bëhet fjalë për çeljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Edhe nëse do të çelen apo në momentin kur do të çelen këto negociata për anëtarësim në Bashkimin Europian çështjet e drejtësisë apo të shtetit të së drejtës do të jenë edhe kapitujt e parë që do të negociohen për anëtaresimin në union. Ndaj në këtë kuptim mund t’i bej vetëm thirrje apo apel politikanëve shqiptarë që t’i venë këto aspekte, pra reformen në drejtësi dhe shtetin e së drejtës në fokus të punës dhe veprimtarisë së tyre. Natyrisht që përveç këtyre aspekteve ka edhe tema të tjera si çështje të zhvillimit ekonomik, por reforma zgjedhore dhe reforma në drejtësi janë dy prej gurëve të themelit për sa i përket çeljes së negociatave të anëtarësimit.
Ndërkohë procesi i vettingut të gjykatësve dhe prokurorëve po vijon. Jeni i kënaqur me rezultatin?
Edhe në këtë rast besoj se jemi në një proces që është në zhvillim e sipër. Ka pasur një pjesë të gjyqtarëve që nuk kanë dashur t’i nënshtrohen procesit të bindur se nuk do të arrijnë kurrë që t’i plotësojnë kriteret dhe kërkesat për të dalë nga procesi i vetingut. Një pjesë tjetër e gjyqtarëve qe i janë nënshtruar këtij procesi deri tani nuk kanë arritur që t’i përmbushin kriteret për të kaluar reformën, për të kaluar procesin e vetingut. Eshtë një proces i cili si qëllim kryesor ka rikthimin e besimit tek sistemi i drejtësisë në vend, një besim që tashmë u mungon qytetarëve. Reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme edhe në pikëpamjen e zhvillimit ekonomik të vendit. Pasi një sistem i sigurt gjyqësor përbën një bazë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik pasi asnjë investitor, asnjë kompani nuk do të ishte e gatshme që të investonte në vend nëse nuk ekziston një mjedis dhe një klimë e besueshme në sektorin e drejtësisë. Procesi i vetingut ka filluar mirë dhe e rëndësishme është që ky proces të vazhdojë akoma më tej pa vonesa. Por një pyetje tjetër që une shtroj është se nëse po, në çfarë niveli do të ketë edhe ndjekje penale për gjyqtarët apo për personat që nuk e kalojnë procesin e vetingut nëse tregohet se nga ky proces kanë patur lidhje me krimin e organizuar apo lidhje me kriminelë. Nëse do të ketë ndjekje penale në bazë të dispozitave ligjore që janë në fuqi në Shqipëri. Shteti i së drejtës do të thotë që çdokush është i barabartë përpara ligjit qoftë ky politikan, gjyqtar apo qytetar i thjeshtë. Besoj se edhe kjo është një pyetje e rëndësishme që duhet të parashtrohet.
Ndërkohë ka edhe një propozim për vetting në politikë. Eshtë kjo e realizueshme?
Ideja bazë më duket e drejtë pasi si mund të kenë besim qytetarët te politika dhe politikanët nëse nuk janë të bindur dhe të sigurtë nëse nuk janë të bindur dhe të sigurt se politikanët janë të motivuar në veprimet e tyre jo nga lidhjet që kanë me krimin e organizuar. Aktualisht ka një propozim konkret në tryezë. Unë nuk jam jurist dhe nuk mund të them nëse ky propozim është i realizueshëm nga pikëpamja juridike në këtë formë siç është, por mendoj që është e drejtë që të ketë një veting në politikë pasi siç e thashë edhe më përpara shteti i së drejtës nënkupton se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit duke përfshirë edhe politikanët.
Në vitin 2019 Shqipëria do të ketë zgjedhjet lokale. Ka patur kërkesa për një proces elektronik. Jemi ende në kohë për këtë?
Ky projekt pilot është një prej pikave për të cilën është rënë dakord që përpara një viti në marrëveshjen e realizuar mes partisë socialiste dhe partisë demokratike në momentin kur partia demokratike doli nga çadra dhe u rikthye në parlament. Për fat të keq deri në momentin që ne flasim nuk ka pasur ndonjë progres në çështjen e votimit elektronik dhe nga bisedat e këtyre ditëve besoj se nuk është e realizueshme votimi elektronik në zgjedhjet vendore të vitit 2019, por të paktën duhet të merren masat e nevojshme në mënyrë që ky votim elektronik të provohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në mënyrë që të shihet dhe të testohet që ky sistem i votimit elektronik është një sistem i përshtatshëm për të shmangur problemet e ndryshme me zgjedhjet si përshembull blerjen e votës apo mashtrimet me rezultatin zgjedhor./Intervista ne Diplomaticus/