Tiranë 30°C · Pjesërisht vranët 25 May 2026
S&P 500 7,473 ▲0.37%
DOW 50,580 ▲0.58%
NASDAQ 26,344 ▲0.19%
NAFTA 96.60 ▲0%
ARI 4,523 ▲0%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1630 EUR/GBP 0.8638 EUR/CHF 0.9113 EUR/ALL 95.4430 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.4110 EUR/TRY 53.1269 EUR/JPY 184.93 EUR/CAD 1.6055 EUR/USD 1.1630 EUR/GBP 0.8638 EUR/CHF 0.9113 EUR/ALL 95.4430 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.4110 EUR/TRY 53.1269 EUR/JPY 184.93 EUR/CAD 1.6055
₿ CRYPTO
BTC $77,472 ▲ +0.23% ETH $2,120 ▼ -0.33% XRP $1.3596 ▼ -0.64% SOL $86.0000 ▼ -0.64%
S&P 500 7,473 ▲0.37 % DOW 50,580 ▲0.58 % NASDAQ 26,344 ▲0.19 % NAFTA 96.60 ▲0 % ARI 4,523 ▲0 % S&P 500 7,473 ▲0.37 % DOW 50,580 ▲0.58 % NASDAQ 26,344 ▲0.19 % NAFTA 96.60 ▲0 % ARI 4,523 ▲0 %
EUR/USD 1.1630 EUR/GBP 0.8638 EUR/CHF 0.9113 EUR/ALL 95.4430 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.4110 EUR/TRY 53.1269 EUR/JPY 184.93 EUR/CAD 1.6055 EUR/USD 1.1630 EUR/GBP 0.8638 EUR/CHF 0.9113 EUR/ALL 95.4430 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.4110 EUR/TRY 53.1269 EUR/JPY 184.93 EUR/CAD 1.6055
25 May 2026
Breaking
Opinion

Si demokratët do të votojë dhe populli për mue!

Fejton

Nga PETRO DHIMITRI

I doli gjumi në mesnatë dhe, ashtu ndenjur, mbështetur në jastëk, filloi të fliste me vete…

Bukur, shumë bukur, më mirë nuk ka si të bëhet. 40 000 demokratë votuan për mua. Pritsha edhe më shumë, po edhe me kaq, unë mbetem kryetari edhe i atyre pak bishtave që votuan kundër, si edhe i atyre që nuk deshën të votojnë. Se jemi një familje e madhe, shumë e madhe dhe të gjithë nuk mund të jenë të një mendjeje. Ndryshe do të ishim në diktaturë.

Mori frymë thellë. Akoma i dilnin para syve fishekzjarret e fitores dhe brohoritjet: “Me ty, Sali, në jetë të jetëve!…”

Me mua, po me kë tjetër mund të jenë?! Kush e themeloi partinë? Kush i premtoi shokut Ramiz që të udhëhiqte lëvizjen studentore antikomuniste? Vetëm unë. Kush e pastroi PD-në nga hithrat, ferrat e gjembat këto tridhjetë e gjashtë vjet? Vetëm unë. Bash tashti që kërkohej të bashkoheshim edhe më fort të gjithë për me luftue Ramaduron, tashti nxorën krye dhe u sulën të më rrëmbenin partinë hafijet e të majtëve dhe cmirëzinjtë që u gënjente mendja se ju do t’i votonit për të më poshtëruar mua?! I pari u ngrit kundër meje një fare Salijanji. Harroi se atë gjykata e prangosi dhe e dënoi për falsifikim dhe mashtrim?! Si mundet ta votonit ju një burgaxhi, një agjent të futur në mes nesh nga armiqtë tanë?! Kurrë nuk kishit me e pas votue. Madje do të ishte turp që ai të vihej në listë për me kandidue. Do ta njolloste atë listë.

Nuk ishte vetëm ai si puçist i fshehur. Jo, jo. Edhe ajo Kokolarja, ose më mirë të them Kokëpalarja, donte që një shalë ta kishte në Washington dhe tjetrën në Tiranë si kryetare e PD-së?! Kur hahesha dhëmb për dhëmb me komunistët me emër të ri, ajo shëtiste nëpër Amerikë. Tani ajo çon letra në Washington e shpif kundër meje dhe kundër jush. Kundër jush, sepse unë jam ju e ju jeni unë.

Nuk po i përmend emrat e tjerë që donin të kandidonin kundër meje dhe kundër jush, se nuk ia vlen. Të gjithë komisioni i skualifikoi si të padenjë për të qenë në garë ballë për ballë me mua, themeluesin, dhe me ju. Votimi, që po e quaj referendum, ishte më i pastri, më demokratiku dhe më i rregullti jo vetëm në Evropë, po edhe në botë. Kështu kanë votuar gjermanët edhe për Kohlin, edhe për Merkelin. Ju edhe për mua. Shumë faleminderit! Me votën tuaj keni lënë pa gjumë organizatën kriminale dhe kreun e saj, kartelet e drogës të lidhura si mishi me kockën me qeverinë narkotike.

Edhe pse kanë qenë disa njerëz që kanë shkruar fjalë të nyta në fletët e votimit, të jeni të sigurt që ata kanë qenë hafije të zorrëgjatit që mbajnë teserën e PD-së. Ato fletë paçavure nuk kanë kurrfarë vlere. Se ashtu si më votuan 40 000 anëtarë të PD-së mua, ashtu kanë për të votuar të gjithë shqiptarët për mua që të bëhem kryeministër. Po, po, e parandiej dhe nuk gabohem, prandaj i them Ramaduros se ti je vetëm një kufomë politike. Fundin do ta kesh të shpejtë. Jo fund shumë të mirë. Ke për të provuar freskinë e prangave dhe ke për të ndenjur sus, majmun te kafazi, kur ke për t’u gjykuar për krimet e tua, për vjedhjet në grup bashkë me zëvendësit e tu dhe disa ministra që ishin bërthama mafioze hajdute e narkoshtetit që drejton.

Po ti je aq tinzar dhe i pabesë sa, me të marrë vesh që i ke humbur zgjedhjet, ke për t’ia mbathur atje ku ke depozituar thesarin e madh të vjedhjeve që ke bërë për një çerek shekulli. Eh, po na shpëtove e na dole dore, arratisja jote ka për të qenë një humbje e madhe për ne dhe për Shqipërinë. Ti dhe brigada e narkoshtetit tënd duhet patjetër të jepni llogari. Edhe Dumanët e Gjokat me shokë nuk do të dinë se ku të fusin kryet për njollosjen që i kanë bërë drejtësisë. Për akuzat e shpifjet kundër meje, kundër fëmijëve dhe familjes sime, kundër Ilir Metës dhe kundër çdo opozitari që ka thënë me guxim vetëm të vërtetën. Që u ngrit në protesta të pafundme kundër keqqeverisjes suaj. Janë ata që përflakën me trimëri sheshin kryeministror që ju, kryekusari dhe shpura juaj, të largoheshit sa më parë. Ju nuk na dëgjuat, prandaj vetëm prangat kanë për të qenë ilaçi që populli ka për të rezervuar për ju.

Mjaft u mora me ta. Kur të bëhem kryeministër, pra edhe një herë dhëndër, unë e kam të qartë në kokë planin e zhvillimit të Shqipërisë. Nuk e bëj të njohur se kanë për të ma vjedhë të majtët. Janë mjeshtër në lëmin e kusarisë intelektuale. Edhe pse vendin e kemi të vogël, kemi për ta bërë të madh, shumë të madh. Unë jam ai që do ta fus Shqipërinë në Evropë. Juve kot sa rrekeni dhe ju gënjen mendja. Evropa nuk ka për me ju pranue. Mua po. Të gjitha dyert kanë për t’u më hapë. Se më thonë Sali Berisha, o budallenj!

Ju keni për t’u penduar si qeni që kurdisët bashkë me Sorosin akuzat qesharake kundër meje për korrupsion, kur unë jam i pastër si kristali. Unë kam pasur vetëm rrogën time të shtetarit. Fëmijët e mi të ndershëm, po, ata kanë fituar. Paratë e tyre janë të pastra. Ju i paraqitët si grabitje, si shpërdorim pushteti, si vjedhje masive, deri sa arritët të bindnit aleatët tuaj të mashtruar që të më shpallnin non grata. Edhe ata vetë, me kohë, kanë për ta shqyrtuar mashtrimin tuaj të madh dhe, kur të jem kryeministër, mendja dhe zemra ma thotë se kanë për të më kërkuar edhe falje. Po, po: “Falje për ju, zoti kryeministër Sali Ram Berisha”.

Dita donte disa orë të zbardhte. Qepallat po i mbylleshin. Pas pak e zuri gjumi. Ndihej një dihatje e lehtë. Kishte hyrë në botën e ëndrrave. Ramaduro në pranga, kokëulur para tij. Në krah të djathtë Balluku. Pas saj Dumani, Gjoka… Një fletë e bardhë e tipit A4 endej në ajër. Shkronjat e zeza dalloheshin që larg.

“Vendim. SPAK-u shkrihet. Ministre e Drejtësisë Argita Malltezi… Kryetar i KLGJ-së… Kryeprokuror…

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Kryeministri

Sali Ram Berisha”

Kur u zgjua, fërkoi sytë dhe i tha bashkëshortes se kishte bërë një gjumë të mirë. Kishte parë edhe ëndrra.

— Si e pe veten, doktor?

— Si kryeministër, pse jo?! Qentë le të lehin, karvani ynë nuk ka për të ecur. Ai vetëm ka për të vrapuar.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.