Si të përdorni celularin për të pakësuar stresin
Dihet se celularët e shtojnë stresin te njeriu, por ju mund të përdorni aplikacione të ndryshme që do t’jua bëjnë jetën më të lehtë dhe do t’ju shpëtojnë nga situatat stresuese
Celularët mund të kenë një reputacion të keq sepse ndikojnë në ndjesinë se gjithnjë duhet të jemi duke bërë gjithçka dhe për stresin që kjo sjell. Megjithatë, ka disa mënyra se si ju mund të tregoheni të zgjuar dhe ta përdorni celularin tuaj për të pakësuar stresin.
Ja se cilat janë këshillat e vlefshme, shoqëruar me arsyen psikologjike përse këto tipare të celularit tuaj do t’ju ndihmojnë në pakësimin e stresit.
Kujtesa për vendndodhjen
Mbajtja mend e informacionit mund t’ju çojë në mbingarkesë. Listat e gjërave që duhen bërë janë të padobishme nëse nuk arrini t’i kujtoni në çastin e duhur. Për këtë arsye ju duhet ta stërvisni veten për të parë në këto lista në momentin ideal. Kur një event ka specifikim kohor, një kujtesë kalendari funksionon shumë mirë. Megjithatë, është diçka edhe më e zgjuar të përdorni kujtesa që lidhen me një vendndodhje specifike.
Celulari juaj mund të përdorë lokalizuesin GPS për të krijuar një alarm se çfarë duhet të bëni kur mbërrini në një vend të caktuar. Për shembull, nëse shkoni në një zonë të caktuar të qytetit apo në një dyqan, ai ju kujton të blini disa artikuj dhe ju këshillon të mos harroni të blini të tjerë artikuj kur jeni në një vend tjetër. Gjithashtu mund t’i kërkoni celularit t’ju kujtojë diçka pasi të largoheni nga një vend.
Përdorni një aplikacion të rrahjes së zemrës për qetësim
Ju mund të përdorni si një mënyrë meditimi një aplikacion që mat rrahjet e zemrës. Duke pasur mundësi të shihni nga afër se sa është norma e rrahjeve të zemrës suaj mund të kuptoni edhe se kur është çasti i duhur për të praktikuar frymëmarrjen e ngadaltë dhe të shihni ndikimin që ka kjo në zemrën tuaj në kohë reale.
Bëni një foto për të kujtuar ku keni parkuar makinën
Në parkingjet e mëdha ku mund të ketë qindra makina kursejani stresin vetes duke shkrepur një foto që do t’ju bëjë të kujtoni vendin e duhur se ku keni parkuar. Nuk keni përse të mbani informacion në mendje kur celulari juaj mund ta bëjë këtë për juve. Ju mund të fotografoni gjithashtu shenjat që përmbajnë informacion që doni ta kujtoni, faturat, kartëvizitat dhe gjëra nga më të ndryshmet.
Krijoni lidhje kur jeni larg personave të dashur
Lidhjet e shëndetshme janë të mundura edhe në largësi ndaj hiqeni stresin nga mendja. Ju mund të përdorni teknologjinë për të ruajtur lidhjet e afërta me njerëzit që i keni fizikisht larg. Mund ta arrini këtë përmes fotove, videove dhe shumë aplikacioneve që mundësojnë komunikimin në distancë.
Parashikimi i motit
Mos lejoni që t’ju zërë shiu papritur. Celulari juaj tashmë është i pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme për të shkuar përtej kujtesës me vendndodhje për në kujtesën në rast të një ngjarjeje. Porositeni celularin tuaj t’ju kujtojë të merrni një çadër në rast se parashikimi thotë se do të bjerë shi.
Porosi sipas dëshirës
“Më kujto të bëj diçka pas pesë minutash”, celularët tuaj mund ta bëjnë këtë gjë. Harrojeni stresin e të parit vazhdimisht nga ora. Teknologjia ju mundëson të përdorni vetëm zërin për të vendosur një kronometër në rast se doni t’ju kujtohet një gjë pas disa minutash. Përdoreni këtë strategji për të mos djegur ushqimin apo për të kufizuar kohën që kaloni duke bërë diçka të caktuar.
Stresi do t’ju pakësohet kur të mos ju duhet të mbingarkoheni me kaq shumë mendime dhe t’ia lejoni vetes të shpërqendroheni paksa.
Lista e blerjeve
“Siri (emër aplikacioni), shtojeni këtë artikull në listën time të pazarit”. Kur mendoni se ju duhet diçka e caktuar, shtojani listës së pazareve duke përdorur celularin. Si e pakëson kjo stresin? Duke përdorur këtë metodë ju nuk keni përse të ndërprisni asnjë veprim për të kërkuar listën e gjërave që do të blini. Mësoni si të shtoni artikuj duke përdorur zërin, pasi kështu ndërprisni shpërqendrimet.
Më pak trafik
Sa herë i keni thënë vetes se e dini shumë mirë rrugën për diku përpara se të humbisnit? Nëse nuk ndiheni të bindur te vetja, atëherë përdorni aplikacionin e hartës në celularin tuaj për t’u orientuar më lehtë dhe më shpejt. Ju mund të praktikoni edhe dhënien e udhëzimeve përmes zërit, gjë që është më e lehtë dhe duart tuaja mbeten në timon. Për më tepër, ju mund të merrni informacion për trafikun në rrugë dhe të shmangni frekuentimin e asaj zone.
Eliminoni procedurat shtesë përmes kamerës
Nëse në një situatë të bezdisshme dikush ju kërkon t’i çoni me faks një formular, mund t’i shkrepni një foto dhe ta dërgoni këtë email ose me një shërbim online faksi. Kjo ju kursen telashet e përdorimit të një skaneri dhe një vajtje deri te faksi.