Siljanovska-Davkova takon von der Leyen në Shkup: kontesti Shkup–Sofie mund të kapërcehet me takime intensive dhe dialog
Presidentja falënderoi BE-në për interesin në rritje ndaj rajonit dhe kërkoi mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare sipas metodologjisë së re
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, u takua këtë mbrëmje në Vilën Vodno në Shkup me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në kuadër të turneut të saj në Ballkanin Perëndimor, siç njofton faqja zyrtare e presidentes. Sipas raportimeve, von der Leyen përcolli mesazhin se kontesti Shkup–Sofie mund të kapërcehet me takime intensive dhe dialog.
Siljanovska-Davkova falënderoi BE-në dhe personalisht von der Leyen për interesin dhe përkushtimin në rritje ndaj rajonit. Ajo tha se, megjithëse vendi nuk është formalisht ndër shtetet e Ballkanit Perëndimor me përparimin më të madh, përmes gatishmërisë teknike dhe harmonizimit gjeopolitik me politikën e jashtme dhe të sigurisë europiane e meriton të jetë me ta e jo në rrugë dytësore. Arsyeja e mungesës, sipas saj, është dhënia përparësi e kontestit të imponuar bilateral para kritereve të Kopenhagës, theksohet në njoftimin e faqes zyrtare të presidentes.
Presidentja shprehu bindjen e palëkundur se garantimi i të njëjtave mundësi si për Ukrainën dhe Moldavinë do ta forconte gatishmërinë institucionale dhe do ta ripërtërinte besimin e motivimin për europianizim. Ajo kujtoi nevojën e mbajtjes së një Konference politike Ndërqeveritare sipas metodologjisë së re dhe Kornizës Negociuese, si dhe të një takimi të rregullt të Këshillit të Stabilizim-Asociimit, raporton faqja zyrtare e presidentes.
Nga ana e saj, von der Leyen tha se vendi i Maqedonisë së Veriut është në Union, i cili do të vazhdojë ta mbështesë në rrugën reformuese dhe eurointegruese, duke i vlerësuar reformat e deritanishme si mbresëlënëse.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.