FRANCË – Mbi 5 000 të arrestuar gjatë protestave të nxënësve
– Më shumë se 5 000 persona janë arrestuar që nga e hëna, gjatë protestave të nxënësve dhe studentëve në Francë, njoftoi sot në mbrëmje ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, për televizionin francez TF1.
Nuñez bëri të ditur se 1 747 persona u arrestuan sot, ndërsa 1 954 ditën e djeshme.
Rreth 85% e personave të arrestuar ishin të mitur, shumica prej tyre nxënës shkollash.
Megjithatë, ministri sqaroi se kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ata ishin nxënës të shkollave pranë të cilave u arrestuan.
Sipas ministrit, të premten 735 shkolla u prekën nga protestat, 30% më pak se një ditë më parë. Pranë 158 shkollave shpërthyen trazira.
Nuñez shpjegoi se forcat e sigurisë ndërhynë në mënyrë sistematike, në rastet kur kishte trazira, dëmtime të pronës ose akte dhune.
Ai tha se përmasat e protestave ishin të befasishme dhe ia atribuoi përhapjen e tyre, ndër të tjera, rrjeteve sociale dhe ndikimit të partisë së majtë “Francë e Panënshtruar” (LFI).
Sipas Nuñez, mobilizimi politik i dha më shumë hov protestave, por ai shtoi se situata e dhunës doli jashtë kontrollit. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.