Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit në Tiranë, 17 shfaqje në 9 hapësira
Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit në Tiranë (IDFT) nis nesër edicionin e pestë, duke sjellë nga 3 deri më 21 tetor një program të pasur me kërcim bashkëkohor, artistë shqiptarë e ndërkombëtarë dhe trupa të ndryshme artistike.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se programi i këtij edicioni përfshin 17 shfaqje në 9 hapësira të ndryshme, duke forcuar bashkëpunimin artistik dhe dialogun kulturor.
Një prej emrave të rëndësishëm të këtij edicioni është koreografi me origjinë shqiptare Angjelin Preljocaj, i cili do të prezantojë veprën e tij më të re, “Soulevement”, krahas trupave ndërkombëtare.
Një rol të rëndësishëm në festival do të ketë edhe Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, i cili do të mirëpresë gjashtë mbrëmje artistike, si dhe do të prezantojë një bashkëprodhim me Baletin e Kosovës.
Programi i festivalit përfshin një gamë të gjerë formash të kërcimit, nga ai klasik dhe bashkëkohor te format urbane, duke ndërthurur lëvizjen me muzikën, teatrin, projeksionet dhe kukullat.
Shfaqjet do të zhvillohen në skena teatrosh, hapësira publike dhe ambiente të ndryshme të qytetit, ndërsa një pjesë e programit i kushtohet edhe fëmijëve.
Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, festivali synon të krijojë më shumë hapësirë për artistët dhe ta afrojë kërcimin bashkëkohor me publikun, duke e shndërruar Tiranën në një hapësirë për dialog, krijimtari dhe shkëmbim kulturor ndërkombëtar.
Neighbours from Motherland, nga Brigel Gjoka dhe Rauf “Rubberlegz” Yasit, hap edicionin e 5-të të IDFT me një premierë botërore që është jo vetëm një shfaqje kërcimi mbi rrënjët e përbashkëta dhe identitetin, por edhe një moment historik kulturor.
Dhe për herë të parë, trupat e Baletit të Shqipërisë dhe të Kosovës do të ndajnë të njëjtën skenë, në një bashkëpunim që është cilësuar si një moment i rëndësishëm kulturor për të dyja vendet.
Vepra do të sjellë në skenë një rrëfim për rrënjët e përbashkëta, identitetin dhe marrëdhëniet mes Shqipërisë e Kosovës, që përtej dimensionit artistik, bashkimi i dy trupave të baletit në një produksion të përbashkët përbën edhe një ngjarje të veçantë që do të zhvillohet më 3 dhe 4 tetor në Teatrin e Tiranës dhe më 7 tetor shfaqja do të prezantohet në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Edicioni i pestë i Festivalit Ndërkombëtar të Kërcimit në Tiranë (IDFT) vjen nën drejtimin artistik të koreografit shqiptaro-francez, me famë botërore, Angjelin Preljocaj dhe si mision ka të zhvillojë skenën e kërcimit bashkëkohor në Shqipëri dhe për ta pozicionuar Tiranën si një qendër të këtij arti në rajon.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.