Sir Geoffrey Nice: Gjykata Speciale pasqyron objektiva të fshehta politike
Juristi i njohur britanik, Sir Geoffrey Nice, i cili ka shërbyer si prokuror në Tribunalin e Hagës në rastin kundër ish-presidentit të Serbisë, Slobodan Millosheviç, ka qëndruar këto ditë në Prishtinë, ku ka marrë pjesë në konferencën “Urat e Kujtimit”, të organizuar nga KIPRED dhe organizata “Liria ka emër”.
Në një shkrim të publikuar në platformën online të konferencës, Nice ka ndarë kujtime dhe vlerësime lidhur me proceset në Tribunalin e Hagës dhe krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke pretenduar se themelimi i tyre nuk ka qenë rezultat i një vendimi sovran të institucioneve të Kosovës.
“Në një ndërhyrje të mëvonshme lidhur me Dhomat e Specializuara të Kosovës (KSC), korrigjova një folës që kishte pohuar se kjo gjykatë ishte themeluar si rezultat i një vendimi sovran të Kuvendit të Kosovës. I rikujtova të pranishmëve se përfaqësuesit e zgjedhur të Kosovës, në realitet, u detyruan ta pranonin këtë gjykatë nën presion të vazhdueshëm nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara”, ka shkruar Nice.
Ai ka theksuar se ka qenë pjesë e procesit konsultativ dhe negociues në fazën e themelimit të Dhomave të Specializuara, duke pretenduar se Kosova nuk ka pasur rol substancial në formësimin e statutit të tyre.
“Si pjesë e ekipit negociues të Kosovës, kam qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë se Statuti i Dhomave të Specializuara nuk ishte, në asnjë kuptim domethënës, rezultat i një marrëveshjeje me Kosovën. Sapo negociatorët evropianë u përballën me kundërshtime thelbësore nga pala kosovare ndaj draft-statutit, diskutimet praktikisht u ndërprenë”, ka shkruar ai.
Sipas tij, procesi që pasoi ka qenë i karakterizuar nga imponimi politik i një dokumenti të përgatitur paraprakisht nga aktorët ndërkombëtarë.
“Ajo që pasoi, sipas përvojës sime, ishte imponimi politik i një statuti të hartuar paraprakisht, i formësuar ekskluzivisht nga aktorët e BE-së dhe SHBA-së”, ka theksuar Nice.
Ai ka shtuar se Kosova ka bartur pasojat e këtij procesi pa, siç u shpreh, garanci të qarta për drejtësi apo pajtim.
“Kosova nuk pati zë real në miratimin e tij, megjithatë ishte Kosova ajo që pagoi çmimin e këtyre veprimeve të imponuara, pa asnjë siguri se proceset do të sjellin përfundimisht drejtësi apo do të krijojnë bazë për pajtim”, ka deklaruar ai.
Sir Geoffrey ka ngritur gjithashtu shqetësime mbi qëllimet e mundshme politike të procesit të krijimit të gjykatës, duke iu referuar edhe Raportit të Dick Marty-t.
“Edhe më parë kam paralajmëruar publikisht se mënyra se si u krijua kjo gjykatë, duke filluar nga Raporti i Marty-t e tutje, dukej se pasqyronte objektiva të fshehta politike”, ka shkruar ai.
Sipas tij, mënyra e formësimit të Dhomave të Specializuara ka krijuar perceptime për përfitime të mundshme politike për palë të caktuara në rajon.
“Ka qenë e vështirë të përcaktohen me saktësi këto objektiva, por Serbia dukej qartazi shteti që kishte më së shumti gjasa të përfitonte nga një gjykatë e imponuar në mënyrën si u imponuan Dhomat e Specializuara, të përqendruara vetëm te një etni për luftën e viteve 1998–1999”, ka shtuar ai.
Duke iu referuar procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçin, Nice ka theksuar se nuk e ka ndjekur në detaje rastin, por ka dëgjuar argumente të ngritura në konferencë.
“Nuk kam pasur arsye të ndjek akuzat e ngritura në çështjen kundër Thaçit dhe të tjerëve, dhe nuk e kam bërë këtë. Në konferencë dëgjova argumente se aktakuza e Prokurorisë kundër Thaçit dhe të tjerëve pasqyron një narrativë të përqendruar te Serbia dhe se karakterizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si një strukturë ushtarake e organizuar e angazhuar në një Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale nuk mbështetet nga aktgjykimet e mëparshme të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY). Asgjë nga kujtesa ime mbi provat e paraqitura gjatë gjykimit të Millosheviqit, e as zhvillimet e mëvonshme, nuk më sugjeron se këto argumente janë të pasakta”, ka shkruar Sir Geoffrey Nice.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.