Situata e zjarreve, Ministria e Mbrojtjes: 9 vatra aktive, mbi 450 forca dhe 5 mjete ajrore në terren për shuarjen e flakëve
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se deri në orën 14:00 të ditës së sotme në territorin e vendit mbeten aktive 9 vatra zjarri, të shtrira në qarqet Tiranë, Fier, Durrës, Gjirokastër, Dibër dhe Korçë.
Gjithashtu bëhet e ditur se për menaxhimin e situatës janë angazhuar mbi 450 forca operacionale, përfshirë efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës, shërbimin pyjor dhe vullnetarë, ndërsa nga ajri ndërhyrja po mbështetet nga tre helikopterë të Forcës Ajrore dhe dy avionë “Air Tractor”.
Njoftimi i plotë:
Ministria e Mbrojtjes informon se, deri në orën 14:00 të datës 12 gusht 2026, në territorin e vendit 9 vatra zjarri mbeten aktive, në qarqet Tiranë, Fier, Durrës, Gjirokastër, Dibër dhe Korçë.
Për menaxhimin e situatës vijon angazhimi i koordinuar i strukturave të sistemit të Mbrojtjes Civile, me të paktën 260 forca operacionale dhe 192 efektivë të Forcave të Armatosura të raportuar me numër të përcaktuar, ndërsa nga ajri janë angazhuar 3 helikopterë të Forcës Ajrore dhe 2 avionë Air Tractor.
Vatrat kryesore aktive dhe angazhimi:
Dajt, Tiranë – Në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës vijon operacioni me 22 forca të MZSH dhe ADZM, të mbështetura nga 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Në Priskë të Madhe po operojnë 15 efektivë dhe 4 automjete zjarrfikëse. Në të dyja rastet nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Drenie, Patos – Vijon puna për shuarjen e riaktivizimit të zjarrit. Forcat operacionale po mbështeten sot edhe nga 30 efektivë të FA-së dhe 1 autoambulancë, pas një angazhimi të konsiderueshëm të MZSH-së, Policisë, shërbimit pyjor dhe vullnetarëve.
Krujë – Në lagjen Abaze operacioni vijon. Aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në lagjen Bojë, ku janë evidentuar dy vatra, forcat zjarrfikëse janë pozicionuar edhe pranë banesave dhe 1 helikopter i FA-së po operon nga ajri, me fokus mbrojtjen e tyre.
Përmet – Në malin e Nëmerçkës dhe në Malin Dhëmbel vijon angazhimi. Në të dyja zonat nuk ka rrezik për banesat.
Gurë-Lurë, Dibër – Një nga operacionet me angazhimin më të madh: mbi 220 forca nga MZSH, bashkia, vullnetarët, Policia, shërbimi pyjor, ADZM, AKMC, strukturat e emergjencave civile dhe FA. Nga ajri po operojnë 2 avionë Air Tractor. Forcat zjarrfikëse janë pozicionuar pranë banesave që mund të ekspozohen ndaj zjarrit.
Mali i Moravës, Devoll – Vatra është izoluar dhe mbahet nën monitorim nga strukturat operacionale. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në tërësi, mbi 450 forca rezultojnë të angazhuara vetëm në vatrat ku raporti jep shifra të plota për personelin, ndërsa kapacitetet ajrore të raportuara përfshijnë 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Prioritet mbetet mbrojtja e jetës dhe banesave, izolimi i vatrave dhe normalizimi i plotë i situatës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.