Rajoni

Skenarët e referendumit grek, diferencë e vogël mes “Po”-së dhe “Jo”-së

Vetëm disa orë ndajnë grekët nga referendum i së dielës, ku do të vendosin nëse do pranojnë ose jo marrëveshjen që u ofrojnë kreditorët për daljen e vendit nga kriza dhe të ardhmen e tyre.

Mijera kryeqytetas u mblodhën në sheshin “Sintagma” në mbështetje të kryeministrit Tsipras, që cilësohet prej tyre si “njeriu që nuk pranoi të paguanin të varfërit krizën e shkaktuar nga sistemet e kaluara të politikës”.

“Këtë të dielë, ne nuk vendosim thjesht qëndrimin tonë në Europë, vendosim të jetojmë me dinjitet në Europë, të punojmë dhe të jemi të suskesshem në Europë,të jemi të barabartë mes të barabartëve në Europë”, iu drejtua mbështetësve të tij Tsipras.

Disa kilometra më tutje mijëra athinas të tjerë, nën himnin e Bashkimit Europian kanë deklaruar se Greqia duhet të vazhdojë të jetë pjesë e Europës duke ftuar grekët të votojnë “Po” ndaj marrëveshjes së huadhënësve.

“Të votojmë “po”, vetëm “po”, sepse kjo është shpresa për Greqinë. E pamë se çfarë bëri qeveria për ne. Në këto pesë muaj na çuan të pakten dhjetë vjet pas”, thotë një mbështetës i pranimit të marrëveshjes.

Sondazhet e orëve të fundit japin një diferencë mes dy rrymave në kufirin e gabimit statistikor,ndërkohë që shumica e grekëve kërkojnë qëndrimin në Eurozonë. Nëse mbizotëron “Po” Greqia mund të marrë paketën e ndihmës . Por kjo mund të sjellë paqëndrueshmëri politike në vend, pasi Tsipras mund të japë dorëheqjen menjëherë ose pas disa muajsh,në varësi të diferencës mes votave “po” ose “jo”.

Kështu Greqia do të shkonte në zgjedhje të parakohëshme në një moment, kur është pothuajse e shkatërruar ekonomikisht me banka të mbyllura dhe pa likuiditet. Nëse mbizotëron vota “Jo” Tsipras që thotë se do të shkojë menjëherë në Bruksel për të rifilluar bisedimet, e di shumë mirë se partnerët do t’i japin një marrëveshje me masa të ashpra për të nënshkruar, e cila ndoshta nuk do të marrë pëlqimin e shumicës në Parlament dhe kjo përsëri mund të shkaktojë zgjedhje të parakohëshme.

Tsipras ka deklaruar se të hënën në mëngjes, do të bisedojë me liderët e BE-së, si dhe me kreun e BQE-së, Mario Draghi, për të siguruar likuditet në banka, por vlerësohet se kontrolli mbi kapitalet do të vazhdojë për muaj të tërë.

Ndërkohë, frikë dhe shqetësim ka shkaktuar artikulli i fundit i “Financial Times”, sipas të cilit parashikohet një taksë për depozitat bankare  mbi 8000 euro në Greqi, në masën 30 për qind. Lajmi është përgënjeshtruar nga Ministria e Financave, që ka theksuar se gjithë depozitat deri në 100.000 euro janë të mbrojtura nga legjislacioni europian.

Pavarësisht nga rezulatati i referendumit, Greqisë i duhen deri në fund të 2016 mbi 50 mld euro dhe një reduktim i madh i borxhit të saj që t’ia dalë mbanë dhe të kthehet ekonomia e saj në ritme zhvillimi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button