Skocia: Exit për shkak të Brexit?
Më 2014 dështoi për pak referendumi për pavarësinë. Por Brexiti që kërcënon tani mund të sjellë një kthesë duke u bërë shkas për shkëputjen e Skocisë nga Mbretëria e Bashkuar.
Në Skoci po zhvillohet aktualisht festivali më i madh i kulturave në Europë „Fringe”. Një shkëputje e mirëpritur e vëmendjes nga shqetësimet e Brexitit kjo për skocezët. Por në këtë festival temat politike kanë vendin e tyre, të paktën si parodi. Roland Saunders është humorist dhe me ironi thekson: “Nëse do ta kisha menaxhuar unë Brexitin, atëherë Britania e Madhe dhe Europa do të ishin ndarë prej kohësh nga njera-tjetra. Sepse do të kishte pasur një mur gjignad përgjatë bregdetit francez, ja pra kjo është ajo që ne preferojmë të bëjmë, separatizmi!”
Por Gordon Nicolson nuk ka arsye të gëzohet për këtë. Ai është një rrobapeqës që qep kostume skoceze. Qysh tani ai po vuan prej krizës së Brexitit. Rreth 1000 Paund kushton një kostum i plotë skocez. Por klientët e tij janë të tërhequr me porositë aktualisht, e kush e di se çfarë vjen më pas. Rrobaqepësi është i ngopur deri në fyt e nuk e duron dot më politikën britanike. Kryeministri i ri, Boris Johnson po mban kurs drejt një Brexiti në kaos. Gordon Nicolson thotë: “Eshtë çmenduri të largohesh nga BE-ja! Ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë. Nuk ka marrëveshje për daljen, as marrëveshje tregtare. Ne na mbetet vetëm shpresa, që në një farë mënyre të funksionojë, por kjo nuk është rruga e duhur për të drejtuar një vend apo një biznes.”
Rritje e nacionalizmit skocez
Fundet skoceze janë shprehje e identitetit vetiak për shumë skocezë madje edhe e identitetit kombëtar. Nacionalistët skocezë ndërkohë përjetojnë një rritje të ndjeshme në elektorat. Rreth 52% e skocezëve duan të jenë të pavarur nga Britania e Madhe, sipas sondazheve të fundit.
Edhe Nicolson e konsideron këtë si rrugën e duhur: “Ne jemi një komb i vendosur. Për vite të tëra ne e kemi treguar, që jemi me shpirt krijues dhe nëse do të bëhemi të pavarur, atëherë ne do të na ndihmojnë forca e karakterit dhe besimi për të bërë atë që duam dhe të tregojmë se cilët jemi ne në të gjithë procesin.” Shumë skocezë i kthejnë shpinën Britanisë së Madhe, madje kthesa është shumë e fortë në kryeqytetin skocez.
Më 2014 u bë një referendum për pavarësinë, asokohe votuan gati dy të tretat e zgjedhësve në Edinburgh kundër shkëputjes. Por sot mendimi ka ndryshuar në mënyrë dramatike: Veçanërisht të rinjtë, brezi i mirëkualifikuar nuk do të lejojë që shanset e tyre të bllokohen prej britanikëve.
Finlay McFarlane ka studiuar një semestër në Çeki dhe sapo ka përfunduar një udhëtim me tren përmes mbarë Europës. Ai ndihet i lënë në baltë prej Londrës: “Një shtresë krejt e re e popullsisë pyet tani, se ndoshta pavarësia do të ishte rruga drejt përparimit? Veçanërisht për ne të rinjtë, që japim votën për të ardhmen e Skocisë dhe nuk duam të mbetemi në vend përsëri me një kryeministër konservator, që Skocia nuk e ka votuar. Gjithçka tjetër do ishte jo korrekte.”
Dilema e pavarësisë
Përpara parlamentit skocez ende valëvitet flamuri i BE-së. Nacionalistët skocezë, që përbëjnë aty shumicën, tregohen hapur miqësorë ndaj Europës. Madje aq, sa të duket sikur ata zhvillojnë bisedime me dyer të mbyllura me Brukslein. Ministri për Europën, Ben Macpherson thekson: “Në rast se skocezët votojnë për pavarësinë, atëherë Skocia do të mirëpritet përzemërsisht në BE si anëtare me të drejta të barabarta, e cila jep kontributin e saj për sfidat e Europës.”Jashtë Mbretërisë së Bashkuar, brenda në BE – kjo është një rrugë e gabuar, thonë kundërshtarët e pavarësisë.
Daniel Johnson i Partisë së Punëtorëve në parlamentin skocez thotë:”Eshtë një çast i papërshtatshëm për të menduar tani për pavarësinë. Kjo do ta përkeqësonte situatën e krijuar nga Brexit. Por një pikë themelore është, se çfarë rasti precedent do të ishte, në rast se ne do ta lejonim një shkëputje të tillë? Kjo do të jetë një çështje e rëndësishme për shumë qeveri në Europë.”
Britania e Madhe ndodhet përpara një Brexit të parregulluar me marrëveshje. Ndërsa e gjithë qeveria britanike e sheh këtë zyrtarisht si shans, skocezët janë skeptikë dhe duan të qndrojnë në BE. Por për këtë atyre u duhet më parë të fitojnë pavarësinë – gjë që Londra e kundërshton në mënyrë strikte.
Referendumi i dytë i kërkuar nga qeveria skoceze duhet të miratohet nga Londra – një pengesë e madhe kjo.