SLLOVENI – “Super Intelligence” e Trumpit ndez garën për domenet ”.si”
UASHINGTON, 29 shtator /ATSH-AFP/ – Njoftimi i presidentit amerikan Donald Trump se administrata amerikane do të përdorë termin ”super intelligence” (SI) në vend të ”artificial intelligence” ka shkaktuar një rritje të menjëhershme të kërkesave për regjistrimin e emrave të internetit me prapashtesën ”.si”, domeni kombëtar i Sllovenisë.
Gjatë fjalimit të tij javën e kaluar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti Trump tha se termi ”super intelligence” ishte më i përshtatshëm dhe tingëllon shumë më mirë.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta përdorin këtë shprehje në dokumentet zyrtare.
Deklarata pati një efekt të papritur në tregun e domeneve.
Klara Herman, zëdhënëse e Register.si, organizata që administron domenin slloven, tha se që prej fjalimit të presidentit Trump është vërejtur një rritje e konsiderueshme dhe e qëndrueshme e kërkesave për domenet “.si”.
Shifrat tregojnë përmasat e interesit.
Gjatë gjithë muajit gusht u regjistruan rreth 3 500 domene “.si”, ndërsa pas deklaratave të Trump numri është rritur në një mesatare prej rreth 3 700 regjistrimesh në ditë.
Megjithatë, rritja e kërkesave nuk ka shkaktuar probleme në funksionimin e Register.si apo të vetë domenit slloven.
Autoriteti u ka bërë thirrje ndërkohë kompanive dhe mbajtësve të markave tregtare që nuk kanë ende një adresë “.si” të mendojnë për regjistrimin e saj.
Sipas të dhënave të publikuara nga Register.si, numri total i domeneve “.si” të regjistruara kishte kaluar 220 000 deri sot.
Rasti është një shembull i pazakontë se si një ndryshim terminologjik në politikën amerikane mund të krijojë kërkesë të papritur në një treg krejt tjetër, në këtë rast në sistemin e emrave të domain-eve të Sllovenisë./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.