SPANJË – Sanchez përgatit paketë dëmshpërblimi për familjet e viktimave të aksidentit hekurudhor
MADRID, 2 nëntor /ATSH-DPA/ – Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, njoftoi sot një paketë ndihme për viktimat dhe familjet e tyre, pas përplasjes së trenave me shpejtësi të lartë javën e kaluar, ku humbën jetën 69 persona.
Qeveria synon ta miratojë këtë paketë në mbledhjen e së martës.
Masat e planifikuara përfshijnë pagesa të përshpejtuara të dëmshpërblimit; në këtë rast, dëmshpërblimi i parashikuar me ligj për pasagjerët do të dyfishohet. Sánchez premtoi gjithashtu një “hetim të rreptë dhe transparent” mbi shkakun e aksidentit.
Autoritetet rajonale në Castile-La Mancha bënë të ditur të hënën se tre nga 69 viktimat e aksidentit të ndodhur pesë ditë më parë, ende nuk janë identifikuar.
”Pesëdhjetë e katër nga viktimat ishin shtetas spanjollë, ndërsa katër ishin shtetas amerikanë. Viktimat e tjera vinin nga Franca, Kanadaja, Republika Çeke, Japonia, Portugalia, Argjentina, Meksika dhe Tunizia”, sipas autoriteteve.
Autoritetet deklaruan se dy nga viktimat e paidentifikuara mendohet të jenë nga Australia, ndërsa një tjetër nga Japonia. Janë gjetur të afërmit e tyre, të cilët duhet të udhëtojnë personalisht drejt Spanjës për të kryer identifikimin përfundimtar.
Dy trena me shpejtësi të lartë u përplasën pranë bashkisë së Urda-s. Një tren i kompanisë shtetërore hekurudhore “Renfe” goditi nga pas një tren të ndaluar, i cili i përkiste operatorit privat “Iryo”.
Ky ishte aksidenti i dytë i rëndë hekurudhor në Spanjë brenda vetëm nëntë muajve. Në janar, 46 persona humbën jetën kur dy trena me shpejtësi të lartë u përplasën në Adamuz, në rajonin e Andaluzisë. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.