Spekulimet për ndryshimin e kufijve janë të papërgjegjshme
Ambasada Amerikane dhe ajo e Gjermanisë reaguan pak minuta më parë, duke theksuar se spekulimet për ndryshim të kufijve, janë të papërgjegjshme. Ky reagim vjen pak ditë pas deklaratës së ministrit të jashtëm rus, Lavrov, i cili aludoi se BE-ja po përzihet në Maqedoni, me synimin e ndarjes së Maqedonisë mes Bullgarisë dhe Shqipërisë. Nga ambasada amerikane theksonin se “akuzat për komplot në destabilizim e situatës së Maqedonisë, janë absurde. SHBA dëshiron një Maqedoni të qëndrueshme dhe paqësore, në kuadër të qëllimit tonë për një Evropë të integruar, të lirë dhe në paqe. Qytetarët e Maqedonisë dhe liderët politikë duan që kjo qeveri të jetë anëtarë e BE-së dhe NATO-s, duke konsideruar se ajo është rruga më e mirë për pavarësi si dhe prosperitet të Maqedonisë. Edhe ne, pajtohemi plotësisht me këtë”- theksohej në reagimin e ambasadës amerikane. Po ashtu, në reagimin e ambasadës së Gjermanisë, theksohej se “ajo dhe partnerët e saj në BE pranojnë integritetin territorial të Maqedonisë. Kufijtë e Ballkanit Perëndimor janë vendosur, ndërkohë që spekulimet për ndryshim të vijave kufitare janë të papërgjegjshme dhe mund të paraqesin fillimin e konflikteve të reja të dhunshme. Pas ngjarjeve të dhunshme në Kumanovë, ndoqëm unitetin e qytetarëve nga të gjitha komunitetet etnike. Edhe më tej, iu bëjmë thirrje të gjitha palëve për qetësi, në mënyrë që raportet mes komuniteteve etnike të mos tensionohen. Gjermania ndan interesin e pakontestueshëm për stabilitet të qëndrueshëm, liri, siguri, dhe prosperitet në rajon, me qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Së bashku, me partnerët tanë, jemi të angazhuar për këtë qëllim. Tani, në plan të parë duhet të jetë zgjidhja e krizës, e cila po zgjat me muaj. Për këtë, nevojitet ballafaqim rrënjësor dhe transparent me përmbajtjen e akuzave që dolën në kuadër të bisedave telefonike të përgjuara. Përveç kësaj, nevojiten reforma sistematike që të kthehet përsëri besimi në institucionet e vendit. Përpjekjet e BE-së për ndërmjetësim, kanë mbështetjen tonë të plotë”- theksohej në reagimin e ambasadës së Gjermanisë.