Steinmeier viziton për herë të parë zyrtarisht Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë
Në një intervistë me DW, në prag të udhëtimit, presidenti gjerman tha se synon që t’u japë vendeve sinjalin, se nëse bëhet progres, rruga drejt BE-së është më e qartë.
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, me homologun e tij nga Maqedonia/V, Stevo Pendarovski, qershor 2019, Berlin
Presidenti gjerman Frank Walter Steinmeier nis të martën, një udhëtim katërditor në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri. “Fokusi i udhëtimit është situata në rajon, efektet e luftës së agresionit rus në Ukrainë dhe mbështetja e vazhdueshme e Gjermanisë për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian”, bëhet e ditur në një njoftim të presidencës gjermane.
Steinmeier do të qëndroje në Maqedoni të Veriut deri më 30 nëntor, ku do të takohet me presidentin Pendarovski dhe kryeministrin Kovaçevski, si edhe do të mbajë një fjalim para Parlamentit. Në Maqedoninë e Veriut,, presidenti gjerman, do të takohet edhe me të rinj dhe njerëz nga arti e kinematografia. Si edhe do të vizitojë parkun e parë të erës në Bogdanci.
Është hera e parë që presidenti gjerman i viziton zyrtarisht Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, që kur erdhi në post më 19 mars 2017. Ish-ministri i jashtëm i Gjermanisë megjithatë e njeh mirë Ballkanin Perëndimor. Për dy periudhat që ka qenë ministër i jashtëm, ai e ka rikthyer vazhdimisht rajonin në axhendën e punës së tij.