…pas 30 vjetësh…
Të fusësh pak kokën në një bar-kafe modeste në via San Feliçe, në Bologna, e të shohësh në ekran të TV rezultatin e ndeshjes Inter-Bologna 0-1…e të vazhdosh më tej duke turfulluar, si internist i flaktë që je…:…” nuk bëhen ekip me këtë trainer këta…joooo…”
…E ndërkohë që vijon me rishtegëtim nëpër San Felice drejt Centro Storico, të shohësh grupe studentësh rrugëve e bareve të vogla…studentë, pa fund studentë…me nga ndonjë gotë e ndoca meze modeste para…e të të zerë veshi copra frazash në dhjetra gjuhë të ndryshme të botës…Në fakt duhet të flitet aty në rreth 150 gjuhë, aq sa ç’janë kombësi studentësh, në këtë qytet sidomos studentor e antidietik me kuzhinë të pasur e të mrekullueshme italiane e të yndyrshme për tmerr…veç jo vrastare për ta (gllabërojnë çdo gjë, pa i gjetur gjë, rinia)….
…E t’i pyesish disa syresh ç’është kjo ndërtesë në të majtë të statujës së Neptunit, në Piazza Maggiore, e ta dish me mirë se ata, se nuk është thjesht ndërtesë për kongrese, mbledhje e ekspozita ,sa ç’ dinë e të përgjigjen ata, por hershëm, shekuj më parë …është quajtur Palazzo di Re Enzo…se aty për 23 vjet mbreti Enzo i Sardenjës pasi humbi betejën, u mbajt si i burgosur derisa vdiq,…E të fryhesh paksa, por lehtshëm, si me lezet me veten…(të izoluarit e dikurit absurd, dinin aq shumë për çka bëhej jashtë, etur për dije e gjetur mes librash doemos…ku tjetër?…)
…Po gjithsesi të të duket vetja student si ata, në qytetin e studentëve të Universitetit më të vjetër në Europë, ku në çdo 4 banorë, njeri është student…Student si ata…si ai që ke ëndërruar dikur të jesh edhe ti, vetë…pa e realizuar dot ëndrrën, vite më parë në ato kohë të errëta pa pikë shprese për botë të lirë e dije pa censurë…
…Të kthehesh pastaj e të gjesh Interin ta ketë përmbysur gjithçka ne 4:1 në favor…pasi e ke lënë të humbur në 0-1 e të marrësh me demek për ta festuar, gjithë qejf ca feta te vogla të thekura me pak pancette e bollëk parmigiano të shkrirë mbi to (krejt antidetike)e të harrosh dietën..e ta shoqnosh me një kupë vere Sangiovese…te ai bari i vockël me katër tryeza i Via San Felice…mu tek ai ku fute kokën në fillim…e të ndjehesh si mos më mirë…sa pak nevojë ka robi nganjëherë për çudi…(qoftë edhe pak ëndërr), robi që i do të gjitha
…e të dëgjosh pa u indinjuar, si zakonisht, madje gati me adhurim, aty krah teje, ulërimat histerike fitimtare të një çifti me kaska motorrike, ulur ashtu pa i hequr, para ekranit të videogame, që po ju ecen çmendurisht shansi atë nate… Po “shënojnë”, me ç’duket, në të njëjtën kohë e me b. të kthyera pa e çarë kokën për ata të futbollit, si unë, atje në ekranin përbri meje… që unë po e përpij me sy…
…Po lere pastaj të shohësh që Interi shkon 6:1 e të ndjehesh triumfator për një Inter që as e di se ti ekziston në këtë botë…e të të duket sikur e ke fituar ti atë ndeshje…e të kthehesh në hotel idiotësisht i lumtur, aty ku tashme te vegjlit e tu, flenë gjumin e thellë të pafajësisë e të indiferencës totale për futbollin e vjetërsinë e universiteteve…kudo qofshin në botë…
…Jo keq si natë e parë në Bologna…pas 30 vjetësh që atëherë, kur tentoja pa sukses të bëhesha me nder…edhe unë emigrant…në Itali
…E gjithsesi ndjehesh student-bohem në Bologna. Pas tridhjetë vjetësh kërcimi sa çel e mbyll sytë nga ajo kohë diku aty afër fundit të moshës së parë, direkt e në zemër të moshës së tretë…e të Bolonjës së ëndërruar dikur….
…E lere pastaj të flesh me ketë ëndërr të bukur, ndonëse pa kthim… të zhuritur e të djegur prej kohësh…
…Vërtet kështu me atë ëndërr të vjetër fjeta… student tashmë i thinjur i Universitetit më të vjetër europian, të bekuarit universitet të Bolonjës…