Studenti Petar Zhivkoviq denoncon: Policia serbe më ndjek me ‘metodën japoneze’, njoha shefin e UKP-së
Aktivisti dhe kandidati i ‘Listës Studentore’, Petar Zhivkoviq, denoncoi publikisht se po ndiqet nga policia serbe dhe thotë se mes operativëve ka njohur shefin e Drejtorisë së Policisë Kriminale, Marko Kričak.
Studenti serb Petar Zhivkoviq, aktivist dhe kandidat i listës “Studentska lista – Studenti pobeđuju”, ka denoncuar në një konferencë për shtyp se prej disa kohësh po ndiqet nga policia serbe. Siç njofton Nova.rs, ai pretendon se mes personave që e ndjekin ka njohur edhe shefin e Drejtorisë së Policisë Kriminale (UKP), Marko Kričak.
Zhivkoviq tregoi se që nga 25 shtatori kishte vënë re të njëjtin person në tri vende të ndryshme në Beogradin e Ri. Më vonë, tha ai, u shfaq një makinë “Škoda” që e ndiqte, dhe një mbrëmje, teksa ishte bashkë me babanë e tij, gjeneralin e policisë në pension Bogoljub Živković, panë sërish të njëjtin person.
Ai shtoi se makina e tij u tërhoq nga “merimanga” e Parking Servisit pa iu dhënë asnjë informacion se kur ishte marrë, gjë që e shtyu të dyshojë se në të mund t’i ishte vendosur ndonjë pajisje GPS apo përgjimi. Sipas Nova.rs, natën mes 3 dhe 4 tetorit, para pallatit të tij, ai pa disa makina luksoze dhe rreth dhjetë persona, mes të cilëve njohu Kričakun dhe persona që beson se i përkasin UKP-së.
Ish-inspektori i Ministrisë së Brendshme, Milan Dumanović, me shtatë vjet përvojë në repartin e ndjekjes, e quajti këtë praktikë “metodë japoneze të ndjekjes” në emisionin “Probudi se” të TV Nova, transmeton Nova.rs. Ndryshe nga ndjekja klasike sekrete, ku qëllimi është mbledhja e informacionit pa dijeninë e objektivit, këtu vetë prania e operativëve, thotë ai, është “arma” dhe shërben për frikësim.
Dumanović shtoi se dalja në terren e vetë shefit të UKP-së për ndjekjen e një 23-vjeçari tregon frikën e pushtetit, dhe theksoi se ndjekja ligjërisht mund të bëhet vetëm me urdhër të gjykatës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.