Studimi: Shëndeti i mirë i enëve të gjakut mund të shtyjë shfaqjen e demencës
Çdo vit në botë numërohen rreth 10 milionë raste të reja me demencë, sëmundje degjenerative e trurit. Por një studim i ri ka dalë në përfundimin se të pasurit e tensionit normal të gjakut, mungesa e diabetit dhe mospirja e duhanit nga mosha 48 deri në 68 vjeç lidhen me gati 13 vite jetë shtesë pa demencë.
Studiuesit u fokusuan te faktorët e stilit të jetesës që mund të ndryshohen gjatë moshës së mesme, për një plakje më të shëndetshme.
Studimi, i publikuar në revistën Neurology Open Access, tregoi se ruajtja e shëndetit të mirë të enëve të gjakut, pa diabet, hipertension dhe duhanpirje, gjatë moshës së mesme ndikon drejtpërdrejt në numrin e viteve që një person mund të jetojë pa zhvilluar demencë.
Studiuesit analizuan të dhënat e më shumë se 12 mijë pjesëmarrësve dhe zbuluan se personat me diabet, hipertension ose që pinin duhan kishin një jetë dukshëm më të shkurtër pa demencë.
Personat me të tre faktorët e rrezikut në moshën e mesme kishin gati tre herë më shumë rrezik për të zhvilluar demencë, krahasuar me ata pa asnjë faktor rreziku.
Në moshën 55 vjeç, personat pa asnjë faktor rreziku mund të jetonin mesatarisht 30 vite pa demencë. Ata me një faktor rreziku, 26 vite; ata me dy faktorë, 21 vite; ndërsa ata me të tre faktorët, pak më shumë se 17 vite.
Kjo do të thotë se personat pa faktorë rreziku mund të jetonin rreth 13 vite më shumë pa dëmtime të funksioneve njohëse, krahasuar me ata që kishin të tre faktorët.
U vunë re edhe ndryshime mes gjinive. Gratë, në përgjithësi, jetonin më shumë vite pa demencë se burrat. Në mesin e personave me të tre faktorët e rrezikut, gratë kishin mesatarisht 18 vite, ndërsa burrat 16 vite pa demencë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.