Suedia thotë se plani saj kundër koronavirusit ka funksionuar. Statistikat flasin ndryshe
Vendi nuk është bashkuar me shumë nga fqinjët evropianë, në strategjinë e mbylljes së kufijve.
Fëmijët e vegjël kanë vazhduar të shkojnë në shkolla, megjithëse universitetet kanë zhvilluar mësimin në distancë.
Bizneset – nga sallonet e flokëve e deri te restorantet – kanë mbetur të hapura, megjithëse njerëzit janë këshilluar të punojnë nga shtëpia, aty ku është e mundur.
Shkalla e vdekjes në Suedi tani është rritur në mënyrë të konsiderueshme dhe është më e lartë se shumë vende të tjera në Evropë, duke arritur në më shumë se 22 të vdekur për 100,000 njerëz, sipas shifrave nga Universiteti Johns Hopkins. Suedia ka regjistruar 18.926 raste me Koronavirus dhe 2,274 vdekje në një popullsi prej 10.3 milion njerëz.
Danimarka ka pasur 9.049 raste dhe 427 vdekje në një popullsi prej 5.8 milion, Norvegjia 7,599 raste dhe 206 vdekje në 5.4 milion njerëz, dhe në Finlanda 4,695 raste dhe 193 vdekje, në popullsinë e saj prej 5.5 milionë.
Danimarka dhe Norvegjia tani kanë filluar të lehtësojnë masat, me fëmijët që do të kthehen në shkollë në 10 ditët e ardhshme, në klasa më të vogla dhe të përshtatura me shenja, për t’i ndihmuar që të mbajnë dy metra distancë. Sallonet dhe bizneset e tjera do të rihapen në Norvegji nga e hëna. Finlanda i ka shtrirë kufizimet e saj deri më 13 maj.
Qasja suedeze
Më 28 Mars, një peticion i firmosur nga 2,000 studiues suedezë, përfshirë Carl-Henrik Heldin, kryetar i Fondacionit Nobel, i bëri thirrje qeverisë që “menjëherë të ndërmarrë hapa për të ndjekur rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH)”.
Shkencëtarët shtuan: “Masat duhet të synojnë të kufizojnë kontaktin midis njerëzve në shoqëri dhe të rrisin shumë numrin e testeve për infeksionin e Covid-19.Këto masa duhet të merren sa më shpejt që të jetë e mundur, siç po ndodh aktualisht në vendet fqinje evropiane,” kanë shkruar ata. “Vendi ynë nuk duhet të jetë një përjashtim nga norma, për të frenuar pandeminë”.
Peticioni thoshte se përpjekja për të “krijuar imunitetin e tufës, në të njëjtën mënyrë që ndodh gjatë një epidemie të gripit të zakonshëm, ka mbështetje të ulët shkencore”.
Autoritetet suedeze kanë mohuar të kenë një strategji për të krijuar imunitetin e tufës.
Lena Hallengren, Ministrja Suedeze për Shëndetësi dhe Punët Sociale, i tha CNN: “Nuk ka strategji për të krijuar imunitet të tufës si përgjigje ndaj Covid-19 në Suedi. Suedia ndan të njëjtat objektiva si të gjitha vendet e tjera – të shpëtojë jetë dhe të mbrojë shëndetin publik”. / CNN /