Sulmet me bombë në Argjentinë, ish-Presidenti Menem humb seancën gjyqësore
Ish-Presidenti i Argjentinës, Carlos Menem ka humbur ditën e parë të seancës gjyqësore, ku ai dhe 13 të tjerë akuzohen se kanë penguar hetimet për sulmin me bombë që ndodhi në një qendër hebraike në zemër të kryeqytetit Buenos Aires në vitin 1994.
85-vjeçari Menem ka thënë se nuk ka mundur të marrë pjesë në seancë për shkak të problemeve shëndetësore. Ai në vazhdimësi ka mohuar akuzat që janë ngritur ndaj tij.
Sulmi në Qendrën Kulturore Hebraike “Amia” shkaktoi vdekjen e 85 personave, ndërsa mbi 300 të tjerë u lënduan. Prokurorët argjentinas thanë se ajo ishte planifikuar dhe financuar nga Irani, ndërsa është kryer nga Hezbollahu.
Qeveria iraniane ka mohuar akuzat, ndërsa gjyqi pritet të zgjasë së paku një vit, pasi pritet të dëgjohen mbi 100 dëshmitarë.
Seancën e parë e humbi për arsye shëndetësore edhe ish-shefi i Intelegjencës në kohën e Presidentit Menem, Hugo Anzorreguy.
Ndërkohë, në fillim të këtij viti, prokurori special, Alberto Nisman u gjend i vdekur në apartamentin e tij në Buenos Aires.
Ai kishte akuzuar Presidenten Cristina Fernandez de Kirchner se po mbron Iranin nga lidhja që ka ky vend me sulmet e vitit 1994. Pas vdekjes së tij, Gjykata e Apelit vendosi të pushojë çështjen kundër Presidentes Fernandez.