Ekonomia

Taksa progresive, tatimi 23 % vetëm për pagat mbi 250 mijë lekë

960 milionë dollarë janë shpërndarë te qytetarët më pagë të ulët dhe të mesme si rezultat i zbatimit të taksimit progresiv në këto tetë vite vetëm në administratën publike.

Këto para në periudhën 2006-2013 kur në vend zbatohej taksimi i sheshtë prej 10 % mbeteshin në buxhet dhe lehtësohej biznesi i madh dhe ai që kishte një pagë më të lartë.
Taksa progresive do të mbetet një kolonë themelore e programit edhe në qeverinë “Rama 3” për të garantuar mirëqenie për të gjithë.

Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në 8 vite vetëm përmes taksës progresive i janë kthyer mbrapsht qytetarëve 960 milionë dollarë.

“Ne do të vijojmë me modelin e taksës progresive duke besuar në filozofinë se kush fiton më shumë duhet të paguajë më shumë. Në këtë mënyrë do të ndihmohen të gjithë qytetarët me të ardhura të ulëta. Baza e tatueshme do të rritet nga 30 në 38 apo 40 mijë lekë në fund të këtij mandati. Me këtë masë, 435 mijë të punësuar apo 63.8 % e të punësuarve në vend do të paguajnë zero taksa”, deklaroi ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, teksa prezantoi në Kuvend politikat ekonomike dhe fiskale që do të ndiqen përgjatë mandatit të tretë të kësaj mazhorance.

Po ashtu, Ibrahimaj tha se do të mbështesim shtresën e mesme duke rishikuar fashën e sipërme të tatimit progresiv. “Tatimi 23 % do të aplikohet në fund të mandatit vetëm për pagat mbi 250 mijë lekë”, tha ajo.

Sot fakt është se një i punësuar me pagë 34 mijë lekë me taksimin progresiv paguan tatim mbi të ardhurat vetëm 520 lekë, ndërsa paguante 3400 lekë me tatimin prej 10 %.

Një i punësuar me pagë 54 mijë lekë sot paguan tatim mbi të ardhurat në masën 3120 lekë, ndërsa para 2013-ës me taksimin e sheshtë paguante 5400 lekë.

Një i punësuar me pagë 89 mijë lekë paguante me taksimin e sheshtë 8900 lekë ndërsa sot paguan 7670 lekë.

Një i punësuar me pagë 130 mijë lekë paguante 13 mijë lekë tatim mbi pagën, po aq sa paguan edhe sot.

Ndërsa një i punësuar me pagë 180 mijë lekë paguan sot 22 500 lekë tatim nga 18 mijë lekë që paguante para 2013-ës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button