Rajoni

TAP, BE ratifikon marrëveshjen me Greqinë

Komisioni Europian miratoi marrëveshjen me qeverinë greke për gazsjellësin Transadriatik, duke e quajtur atë në linjë me rregullat e BE-së për ndihmën shtetërore.

Komisionerja e Bashkimit Europian për Konkurrencën, Margret Vestager tha se vendimi i hap rrugën ndërtimit të projektit multimiliarder.

“Gazsjellësi TAP do të sjellë gaz të ri në BE dhe do të rrisë sigurinë e furnizimit me energji për Europën jug-lindore”, deklaroi Vestager.

Gazsjellësi Transadriatik është zgjatimi europian i korridorit jugor të gazit, i cili synon të lidhë tregun e BE me burime të reja energjetike. Fillimisht ai parashikohet të furnizojë 10 miliardë metër kub gaz në vit duke filluar nga 2020, por në fazën e mëvonshme ky kapacitet do të dyfishohet.

Gjurma e gazsjellësit nis në Greqi dhe pasi përshkon mes përmes Shqipërinë përfundon në Itali. Projekti po ndërtohet nga një bashkim ndërmarrjesh gjigande në fushën e energjetikës, ku bëjnë pjesë “British Petroleum”, kompania shtetërore e gazit në Azerbajxhan, italiania “Snam”, si dhe “Fluksis Enagas” dhe “Akspo”.

Gazsjellësi do të kushtojë 5.6 miliardë euro, nga të cilat 1 miliard do të investohen në territorin shqiptar. Ndërtimi i gazsjellësit ka filluar që vitin e kaluar, por këtë vit pritet që të kryhen punimet më të mëdha.

FMN dhe Banka Botërore parashikojnë se investimet e këtij projekti do të kenë efekt të ndjeshëm pozitiv në rritjen ekonomike të Shqipërisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button