Ekonomia

TAP dhe Devoll investuan 1.5 miliardë euro, punësuan vetëm 3500 persona; 70% e investimit është importe

Dy projektet e mëdha të investimeve Gazsjellësi TAP dhe HEC-et në lumin Devoll kanë qenë lokomotiva e rritjes ekonomike gjatë periudhës 2015-2017. Ato  dhanë kontribut të lartë në rritjen e vlerës së investimeve direkte, por patën ndikime modeste në punësim.

Fondi Monetar Ndërkombëtar duke analizuar efektin e këtyre investimeve në rritjen ekonomike referon se, ndikimi i drejtpërdrejtë në rritje nga dy projektet vlerësohet të ketë qenë 0.4 pikë përqindjeje për 2015-16.  Projektet kërkojnë mbështetje me shërbime si në ndërtim dhe transport. Kështu vlera e shtuar nga shërbimet mbështetës (efekti i nivelit ndaj PBB-së) ishte 0.8-1.2 për qind e PBB-së në vitet 2015-16.

Investimet në këto dy projekte janë sa 14 për qind e PBB-së rreth 1.5 miliardë euro. Investimet në projektin TAP janë rreth 1 miliardë euro në HEC-et e lumit Devoll pak më shumë se 500 milionë euro. Të dy projektet punësojnë 3500 persona.

Duke pasur parasysh intensitetin e kapitalit të tyre, importet përbëjnë një pjesë të madhe të kostove (rreth 60-70 për qind) dhe pjesa tjetër rreth 30% korrespondon me pagat, kontraktorët lokalë dhe kompensimin për përdorimin e tokës.

Projektet kanë krijuar rreth 3500 vende pune të drejtpërdrejta ose 6 për qind e totalit të vendeve të reja të punës.

Ndërtimi i projekteve filloi në fund të vitit 2013 dhe u përshpejtua në vitet 2015- 17. Projektet kanë përmirësuar transportin rrugor dhe urat ne to.

Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP), i cili do të transportojë gaz natyror nga Azerbajxhani në Itali, do të sjellë një kontribut kyç në furnizimin me gaz të Shqipërinë.

Projekti TAP në Shqipëri  përfshin 252 kilometër tubacione me një kosto totale prej 1 miliard euro (9 për qind e PBB-së). Gjithashtu do të ndërtohen dhe përmirësohen 175 km rrugë hyrëse.

Në vitin 2016, TAP përfundoi përmirësimin e 58 kilometër rrugë dhe punime në ndërtimin e urave.

Hidrocentralet e Devollit do të rrisin kapacitetin e instaluar të prodhimit të energjisë elektrike me 17 për qind.

Vlera e dy hidrocentraleve llogaritet 535 milion euro (5 për qind e PBB-së). HEC-i më i vogël Banja, tashmë e përfunduar dhe ka nisur prodhimin që në tremujorin e tretë 2016. Ndërtimi i HEC-t më të madh (Moglicës), që filloi në vitin 2014, pritet të përfundojë në vitin 2018.

Projekti në përfundim do të sigurojë një prodhim të qëndrueshëm të energjisë, një pjesë e madhe e së cilës do të eksportohet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button