Tensione në Kuvend/ Ndërpriten sërish punimet, opozita bllokon foltoren
Pavarësisht rinisjes së seancës plenare pas një pushimi prej 10 minutash, punimet në Kuvend janë ndërprerë sërish për shkak të tensioneve mes opozitës dhe kryeparlamentarit Niko Peleshi.
Deputetët e opozitës vijojnë të mbajnë të bllokuar foltoren e Kuvendit, duke kërkuar që fjalën ta marrë kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Ky i fundit është përjashtuar nga e drejta e fjalës për të gjithë kohëzgjatjen e seancës së sotme, pas thirrjeve të vazhdueshme që, sipas kryeparlamentarit, nxisnin dhunë ndaj deputetëve socialistë.
Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të Peleshit për lirimin e foltores dhe vijimin normal të punimeve, opozita nuk është tërhequr nga qëndrimi i saj. Për këtë arsye, kryeparlamentari ka vendosur sërish ndërprerjen e seancës, duke bërë të ditur se punimet nuk do të vijojnë deri në lirimin e foltores.
Gjatë fjalës së tij, Berisha iu drejtua deputetëve të Partisë Socialiste me tone të ashpra, duke deklaruar: “Ju meritoni gazin lotsjellës dhe plumbat e gomës”.
Përplasjet mes opozitës dhe drejtuesit të seancës kanë vijuar edhe pas pushimit të shkurtër, duke bllokuar punimet parlamentare.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.