Opinion
Të jemi të ndershëm edhe kur na dhëmb

Policia ndaloi gazetarët e ” Fokus Media News” të hynin në godinën ku ata punojnë. Në vështrim të parë të ngjan sikur jetojmë në një shtet policor despotik që do t’i mbylli gojën shtypit ose mediave të lira. Po a është kjo e vërtetë për këtë rast?
Le të ndjekim rrjedhën e përplasjes midis drejtuesit të ”Fokus Media News” dhe shtetit ”faqezi”:
Kjo shoqëri mediatike është vendosur në mjediset e ish uzinës së autotraktorëve ( që është pronë e SHTETIT) në zonën e Shkozës. Kontrata që pronari i kësaj shoqërie kishte lidhur me Ministrinë e Finacave dhe Ekonomisë përfundoi në maj të vitit 2022. Enti shtetëror i kërkoi subjektit privat të lironte pronën brenda 25 korrikut po të vitit 2022. Drejtuesi i shoqërisë jo vetëm që nuk i largoi mediat e tija nga objekti pronë shtetërore, por as nuk u përpoq të gjente mjedis tjetër për gazetarët e tij. Përkundrazi, edhe pse e dinte që çështjen e kishte të humbur, nisi rrugëtimin e gjatë të procesit gjyqësor kundër shtetit vetëm e vetëm që të fitonte kohë. Si humbi në Gjykatën e Shkallës së Parë, vijoi ankimin në Gjykatën e Apelit. Edhe pasi Apeli ia tha hapur se duhet të lironte godinën, ai me kokëfortësi e çoi çështjen edhe në Gjykatën e Lartë?! Edhe atje po përsëri humbje. Më 14 korrik 2025 edhe pse nga Gjykata e Apelit Administrativ u urdhërua të lironte menjëherë pronën e shtetit, ai bëri të paditurin, duke bërë karshillëk me shtetin për një pronë që nuk është e tija ?! Çfarë duhet të bënte shteti në këtë rast: Gjykata dhe Policia? T’i luteshin shkelësit të vendimeve të të gjitha hallkave të drejtësisë sonë ” Të lutemi, aman, ik se na duhet shumë kjo pronë?!…” Jo dhe jo! U gjet rruga më pak e dëmshme për të: moslejimi i gazetarëve në godinën që nuk i takon ”Fokus Media News”.A më dhëmb mua si gazetar tejet i moshuar ky vendim? Patjetër që më dhëmb shumë. Në këtë rast fajtori nuk është shteti. Është pronari i tyre i cili, edhe si ndërtues i fuqishëm, pati shumë kohë për t’i sistemuar gazetarët e pambrojtur në godina të tjera. Nuk e bëri, ndoshta për t’u dhënë shkak njerëzve të përciptë, hipokritëve apo ”intelektualëve” si deputeti Gjekmarkaj që akuzojnë shtetin padrejtësisht për sulm ndaj fjalës së lirë dhe mediave, kur ”Fokus Media News” kishte tre vjet kohë për t’i akomoduar punonjësit e vet në godina të tjera private. Ka edhe trushkulur të tjerë. Ata krahasojnë bllokimin e hyrjes së gazetarëve të ”Euro News” me djegien që Berisha i pati bërë gazetës ”Koha Jonë”. Ishte jo vetëm djegie dhe bastisje, po dhe rrahje çnjerëzore e gazetarit Zamir Dule. SHIK-u i Berishës nuk kishte pse të merrte autorizim nga Gjykata. Drejtuesi i ”Fokus Media News”ka vite që bën të fortin në dëm të tyre.
Ky rast flagrant i një kokëfortësie dhe përplasjeje të panevojshme me ligjin dhe vendimet e Gjykatave, tregon se jo vetëm ky pronar ” po edhe kori i zhurmuesve, qofshin deputetë apo gazetarë, nuk njohin ligjin ose i vihen me dashje kundër. Ata harrojnë se kur kujtdo i mbaron kontrata e qirasë me cilindo pronar, ai duhet të largohet, po qe se ajo nuk përsëritet. Nuk mund të bësh të fortin ose viktimën me pronën e tjetrit, qoftë kjo edhe e shtetit. Lind pyetja pse shteti nuk e përsëriti kontratën me këtë shoqëri private? Përgjigja është fare e thjeshtë: i duhet për një detyrë të rëndësishme sa shqiptare dhe Evropiane. Kjo është arsyeja që në mars të vitit 2025 Këshilli i Ministrave ia kaloi atë pronë shoqërisë shtetërore ”KAYO” për prodhimin e mjeteve motorike për industrinë ushtarake.


Ky shkrim duket sikur është kopjuar fjalë për fjalë nga njoftimi i qeverisë. Nuk ka asnjë fakt nga pala tjetër, asnjë pyetje kritike, asnjë përpjekje për të kuptuar nëse bllokimi i gazetarëve ka të bëjë vetëm me qiranë apo edhe me mbylljen e një mediaje që nuk i pëlqen shtetit.
Është si të shohësh një ndeshje futbolli ku spikeri flet vetëm për njërin ekip dhe bën sikur tjetri nuk ekziston. Kështu, lexuesit marrin vetëm versionin zyrtar, të paketuar bukur dhe pa asnjë kundërshtim.
Në fund, s’dihet nëse kemi lexuar një artikull gazete apo thjesht fletushkën e Ministrisë, me disa fjalë të autorit për zbukurim.