Teatri i Operës dhe Baletit shpall disa nga fituesit e Konkursit “Tish Daija”
Në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së kompozitorit Tish Daija, Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor shpalli veprat fituese të Konkursit Kombëtar të Krijimtarisë Muzikore “Tish Daija”, në kategorinë e krijimtarisë për orkestër simfonike.
Katër veprat fituese janë: “Rapsodia e Jugut” e kompozitorit Endri Sina; “Eclipsis Lunaris” kompozuar nga Fjolla Gashi; “Rugovë” kompozuar nga Jurgen Muharremi dhe “Voices” e kompozitorit Kris Sopiqoti.
TKOBAP uroi kompozitorët fitues dhe bëri të ditur se këto krijime do të marrin jetë në skenë, duke pasuruar repertorin orkestral dhe duke vijuar traditën e çmuar të muzikës shqiptare.
Më herët TKOBAP ka shpallur edhe fituesit në kategorinë e krijimtarisë për orkestër harqesh:
- Ajet Çekiçi – “Skerco”
- Arjan Brahimi – “Peizazh Baritor”
- Armand Broshka – “Përgjimi”
- Denis Baftjari – “Variacione String”
- Endri Sina – “Sunset to Sunrise”
- Erli Lila – “Automaton”
- Ina Kosturi – “Fantasy for String Orchestra”
- Jetmir Zaganjori – “Fractal of Stillness”
- Justin Petoshati – “Nocturn”
- Justinian Kissi – “Labëria”
Konkursi ka mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe synon nxitjen e krijimtarisë së re dhe mbështetjen e kompozitorëve të muzikës së kultivuar shqiptare.
Veprat e shpallura fituese do të bëhen pjesë e edicionit të parë të Festivalit “Netët e Muzikës Shqiptare”, i cili do të organizohet nga Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor gjatë muajit nëntor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.