Tërheqja e bombarduesve amerikanë nga baza në Britani, Rubio: Jo e pazakontë
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio u shpreh të hënën se largimi i bombarduesve amerikanë nga baza ushtarake britanike në Fairford nuk është e pazakontë duke refuzuar ta lidhë drejtpërdrejt largimin e avionit me planin e supozuar të sulmit.
“Po përqendroheni te aeroplanët Fairford vetëm për shkak të kërcënimit të javës së kaluar. Nuk është e pazakontë të shohësh rotacione dhe lëvizje ciklike të forcave bazuar në ushtrime të planifikuara”, tha Rubio nga Baza Ajrore Andrews në Maryland, duke shtuar se SHBA-të dhe Britania e Madhe punojnë ngushtë së bashku për sigurinë e bazës.
Nga ana e saj, zyra e Kryeministrit Britanik në Downing Street refuzoi të komentonte mbi operacionet ushtarake të shteteve të huaja.
Duke iu përgjigjur shqetësimeve nga banorët vendas, një zëdhënës tha se Mbretëria e Bashkuar ka “metoda të provuara për të mbrojtur bazat e saj”.
Në të njëjtën gjatësi vale, Ministria Britanike e Mbrojtjes gjithashtu shmangu çdo qëndrim. SHBA -të kanë tërhequr bombarduesit B-1 të stacionuar në bazën ushtarake britanike të Fairford, pas një incidenti që çoi në arrestimin e gjashtë të dyshuarve, njoftoi të dielën Pentagoni.
“Të gjithë bombarduesit amerikanë të vendosur në RAF Fairford janë kthyer në bazat e tyre amerikane”, tha Ministria e Luftës në një deklaratë.
Në fund të shtatorit, policia britanike iu përgjigj një thirrjeje drejtuar shërbimeve të emergjencës pranë bazës Fairford në Anglinë jugore në lidhje me tre automjete të dyshimta.
Gjashtë burra u arrestuan më pas, pesë britanikë në vendngjarje, pastaj një britaniko-iranian disa ditë më vonë, pasi dyshohen për “përgatitjen e një akti terrorist”. Ata u liruan përkohësisht me kusht nga gjykatat.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.