Testi për marrjen e shtetësisë amerikane pritet të bëhet më i vështirë.

Administrata e Trump po e bën më të vështirë kalimin e provimit me gojë që kërkohet për emigrantët që kërkojnë të marrin shtetësinë amerikane. Testi i ri është gjithashtu më i gjatë.
Mbajtësit e green card-it që aplikojnë për shtetësi pas datës 20 tetor do të duhet t’u përgjigjen saktë dyfish më shumë pyetjeve gjatë intervistës mbi qytetarinë, e cila teston njohuritë e tyre për historinë, politikën dhe qeverinë e Shteteve të Bashkuara – një nga hapat e fundit të procesit të natyralizimit. Lista e pyetjeve të mundshme do të zgjerohet dhe do të përfshijë pyetje më të vështira.
Zëdhënësi i Shërbimit të Shtetësisë dhe Emigracionit të SHBA-së (USCIS), Matthew Tragesser, tha në një deklaratë, kur ndryshimet u shpallën kohët e fundit, se testi i ri do të sigurojë “që ata që bashkohen me ne si qytetarë të rinj të jenë plotësisht të integruar dhe të kontribuojnë në madhështinë e Amerikës.”
Ky është vetëm një nga disa ndryshimet që administrata Trump ka zbatuar për ta bërë më të vështirë marrjen e shtetësisë, ndërsa në tërësi synon të kufizojë mundësinë e emigrantëve dhe mbajtësve të vizave për të hyrë, qëndruar ose u vendosur në SHBA.
Testi i qytetarisë që USCIS përdor që nga viti 2008 kërkon që aplikantët t’u përgjigjen saktë gjashtë pyetjeve nga dhjetë. Testi i ri do të kërkojë 12 përgjigje të sakta nga 20. Lista e pyetjeve të mundshme nga të cilat përzgjedh oficeri do të rritet nga 100 në 128, dhe shumë prej tyre do të jenë më të vështira.
Pyetjet rreth festave kombëtare, gjeografisë dhe ato me përgjigje të shkurtra – si “Cili oqean ndodhet në bregun perëndimor të Shteteve të Bashkuara?” – do të reduktohen ose hiqen, duke u zëvendësuar me pyetje më sfiduese: “Pse hynë Shtetet e Bashkuara në Luftën e Gjirit Persik?” (Përgjigjja, sipas udhëzuesit të studimit: “Për të detyruar ushtrinë irakiane të largohej nga Kuvajti.”) Një tjetër pyetje e re: “Pse hynë Shtetet e Bashkuara në Luftën e Vietnamit?” (Përgjigjja: “Për të ndaluar përhapjen e komunizmit.”)
Përveç testit më të vështirë të qytetarisë, aplikantët do të duhet gjithashtu të bindin oficerin e emigracionit se kanë “karakter të mirë moral.” Deri tani, mungesa e sjelljeve të këqija ose e veprimtarive kriminale ka qenë e mjaftueshme. Tani, ata do të duhet të paraqesin prova të “kontributeve pozitive në shoqërinë amerikane.” Oficerët e emigracionit do të verifikojnë gjithashtu më në detaje të dhënat e aplikantëve, madje mund të intervistojnë kolegë, familjarë ose fqinjë.
Aktivistët që ndihmojnë njerëzit të përgatiten për testin e qytetarisë thonë se ndryshimet paraqesin më shumë pengesa në një proces që është tashmë i ndërlikuar dhe i vështirë.
“Është e vështirë të imagjinohet që këto ndryshime të mos kenë ndikim negativ në numrin e njerëzve që mund ta përfundojnë procesin e natyralizimit,” tha Julie Mitchell, drejtoreshë ligjore e Qendrës për Burime të Amerikës Qendrore në Los Anxhelos, e cila ofron kurse për shtetësi. “Veçanërisht nëse marrim parasysh se këto ndryshime do të ndikojnë individët me nivele të ulëta shkrim-leximi dhe ata që nuk kanë akses në klasa ose materiale përgatitore.”
Ajo shtoi se procesi i natyralizimit mund të bëhet gjithashtu më i pasigurt, pasi nuk është e qartë se çfarë standardesh do të përdorin oficerët e emigracionit për të vlerësuar “karakterin e mirë moral.”
Duke folur në Uashington muajin e kaluar, drejtori i USCIS, Joseph Edlow, tha se testi aktual “është thjesht shumë i lehtë,” sepse disa pyetje kërkojnë përgjigje shumë të thjeshta, si për shembull emrin e guvernatorit të shtetit ku jeton aplikanti ose dy festa federale.
“Duhet të dimë më shumë,” tha Edlow. “Sidomos nëse duam të kuptojmë vërtet nëse dikush ka një lidhje të sinqertë me Kushtetutën, siç kërkohet nga ligji.”
Por Amanda Frost, profesoreshë e së drejtës së emigracionit në Universitetin e Virxhinias dhe autore e librit You Are Not American, që trajton historinë e heqjes së shtetësisë, tha se ndonëse është e arsyeshme të kërkohen kritere për shtetësinë, nuk ka prova që procesi ekzistues i natyralizimit është i pamjaftueshëm.
“A ka ndonjë provë se po lejojmë njerëz të natyralizohen që nuk ndajnë vlerat tona dhe që nuk janë pjesëmarrës të mirë në demokracinë tonë?” pyeti Frost. “Unë nuk shoh asnjë provë për këtë.”
Ajo theksoi se gati gjysma e kompanive të listës Fortune 500 janë themeluar nga emigrantë ose fëmijët e tyre.
“Ata që bëhen shtetas, dhe fëmijët e tyre, lulëzojnë në Shtetet e Bashkuara dhe i kanë sjellë përfitime këtij vendi,” tha Frost.



