☁️
Tiranë 35°C · Vranët 26 June 2026
S&P 500 7,357 ▼0.01%
DOW 51,921 ▲0.14%
NASDAQ 25,359 ▼0.46%
NAFTA 69.74 ▼3.03%
ARI 4,070 ▲0.55%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1362 EUR/GBP 0.8617 EUR/CHF 0.9215 EUR/ALL 94.3641 EUR/MKD 61.6930 EUR/RSD 117.3967 EUR/TRY 52.9539 EUR/JPY 183.85 EUR/CAD 1.6147 EUR/USD 1.1362 EUR/GBP 0.8617 EUR/CHF 0.9215 EUR/ALL 94.3641 EUR/MKD 61.6930 EUR/RSD 117.3967 EUR/TRY 52.9539 EUR/JPY 183.85 EUR/CAD 1.6147
₿ CRYPTO
BTC $59,410 ▼ -3.17% ETH $1,547 ▼ -5.36% XRP $1.0255 ▼ -4.21% SOL $68.7000 ▲ +0.59%
S&P 500 7,357 ▼0.01 % DOW 51,921 ▲0.14 % NASDAQ 25,359 ▼0.46 % NAFTA 69.74 ▼3.03 % ARI 4,070 ▲0.55 % S&P 500 7,357 ▼0.01 % DOW 51,921 ▲0.14 % NASDAQ 25,359 ▼0.46 % NAFTA 69.74 ▼3.03 % ARI 4,070 ▲0.55 %
EUR/USD 1.1362 EUR/GBP 0.8617 EUR/CHF 0.9215 EUR/ALL 94.3641 EUR/MKD 61.6930 EUR/RSD 117.3967 EUR/TRY 52.9539 EUR/JPY 183.85 EUR/CAD 1.6147 EUR/USD 1.1362 EUR/GBP 0.8617 EUR/CHF 0.9215 EUR/ALL 94.3641 EUR/MKD 61.6930 EUR/RSD 117.3967 EUR/TRY 52.9539 EUR/JPY 183.85 EUR/CAD 1.6147
26 Jun 2026
Breaking
Opinion

Teza serbe e “mercenarëve të UÇK-së” dhe marrëzitë e zëdhënësve të saj në Tiranë

Nga LUAN RAMA

Gjetja apo sajimi, e më pas edhe përdorimi publik i një kinse “shkrese me emra luftëtarësh të paguar të UÇK-së” për të “provuar” se protestuesi “që i shërben Iranit”, Dritan Goxhaj, paska qenë “komandant” me pagesë në ushtrinë që luftoi për çlirimin e Kosovës, është fund e krye një marrëzi.

Dhe, ç’është më e keqja, në dallgët e kësaj marrëzie publike ka rënë edhe vetë Kryeministri i Shqipërisë, me gjasë pa e ditur se, duke u kapur pas këtij “argumenti”, i ka dhënë edhe ai zërin e vet tezës serbe se “në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ka pasur mercenarë të dërguar nga Shqipëria”!

Para, gjatë dhe pas luftës për çlirimin e Kosovës, propaganda serbe, që në atë kohë kishte në krye e përkrah Millosheviqit vetë atë që është sot Presidenti i Serbisë, theksonte me të madhe se “në radhët e UÇK-së ka mercenarë të paguar nga Shqipëria dhe nga vende të tjera myslimane”.

Synimi i tyre ishte i qartë: jo vetëm të delegjitimonin luftën e drejtë çlirimtare të UÇK-së, por ta paraqisnin atë në sytë e botës si një luftë mercenarësh të paguar, të organizuar nga Shqipëria, si një luftë të financuar me paratë e krimit të organizuar, të trafikut të drogës dhe të grupeve terroriste të fundamentalistëve islamë.

“Shkresa”, e shërbyer me zell të lig për të demaskuar Dritan Goxhajn dhe, përmes tij, edhe për të bërë pis protestën qytetare, që prej gati një muaji është bërë makthi i qeverisë, si edhe përdorimi i disa zërave që flasin shqip, në Tiranë apo të ardhur nga Prishtina, për të na thënë se Dritan Goxhaj “nuk ka qenë luftëtar, por mercenar nga Shqipëria, i paguar në UÇK”, është gjetja më idiote, për ta mbajtur në këtë rast në një regjistër më të ulët përcaktimi, pa dashur ta shkoj më tej.

Naiviteti idiot, i yshtur nga dalldia se ja, e gjetëm më në fund faktin që na duhej për të thënë se në krye të protestës qenka një i paguar nga UÇK-ja, i ka çuar të gjithë ata që, pas Kryeministrit e bashkë me të, e përdorën këtë “fakt” si argument, në një pozitë mjerane dhe qesharake.

Për opinionin publik dhe për qytetarët në protestë nuk ka asnjë rëndësi nëse Dritan Goxhaj, i akuzuar si “i paguar”, ka qenë apo jo në radhët e UÇK-së. Nuk ka asnjë rëndësi nëse ka luftuar apo jo me armë në dorë, me apo pa uniformën e UÇK-së, apo nëse është paguar apo jo me paratë e saj.

E rëndësishme është që Kryeministri i Shqipërisë dhe qeveria e tij të kuptojnë, një orë e më parë, motivet e vërteta se përse qytetarët janë ngritur në protestë, se përse qytetarët nuk mund të pranojnë më arrogancën dhe injorancën e pushtetit, korrupsionin dhe bashkëpunimin me grupet kriminale, që paratë e drogës i shndërrojnë në kulla e resorte turistike, pa pyetur për ligjin, për pronën private apo publike, pa pyetur për interesin qytetar apo interesat e vendit.

Pastaj, nëse një si Dritan Goxhaj apo edhe të tjerë si ai janë në atë protestë sepse u shërbejnë interesave të Iranit, të Serbisë apo të kujtdo tjetër, Kryeministri, më parë se të na i thotë këto në Facebook apo përmes të ndërsyerve të tij kokëboshë, le të kërkojë nga organet e zbatimit të ligjit të bëjnë detyrën. Shteti nuk drejtohet me “më thanë” e “të thashë”, me “ishte” apo “nuk ishte”, por vetëm duke zbatuar ligjin.

Dritan Goxhaj nuk është deputet, nuk është as ministër apo zëvendëskryeministër, që të duhen votat e deputetëve të Kuvendit për ta arrestuar dhe për ta çuar para drejtësisë, nëse realisht ka prova se ai po i shërben Iranit.

Ngutja për të gjetur “prova” me çdo kusht, vend e pavend, dhe verbëria për t’i përdorur ato sipas logjikës “të dalë ku të dalë”, të çojnë vetëm në marrëzi.

Përkundër të gjithave, historia e UÇK-së meriton nderim, jo përdorim si armë në përplasjet e politikës së ditës dhe as në retorikën e Kryeministrit dhe të tijëve kundër protestës.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.