Politika

Tiranë-Verona: Nënshkruhet memorandumi për krijimin e një ndërmarrjeje publike për trajtimin e mbetjeve

Nga sot fillon një epokë e re në menaxhimin e pastrimit, mbledhjes dhe menaxhimit të mbetjeve për Tiranën.

Për herë të parë, Tirana do të nisë të bëjë diferencimin e mbetjeve që në burim, çka do të thotë se, në të gjithë Tiranën do të instalohen kontejnerë moderne, të ndarë sipas kategorive të mbetjeve.

Memorandumi i lidhur mes Bashkisë së Tiranës dhe Bashkisë së Veronës parashikon krijimin e një ndërmarrjeje publike (Sha) të përbashkët të quajtur EcoTirana (në raport bashkëpunimi 51% Bashkia Tirane, me 49% Bashkia Veronës), që do të sjellë mundësi reale për të ndërhyrë fillimisht në skemën aktuale të këtij shërbimi, duke ofruar së pari ristrukturimin e parkut të mjeteve që do të garantonin një shërbim shumë më të kualifikuar në të gjithë treguesit, duke përmirësuar në këtë mënyrë treguesit mjedisorë mjaft të rëndësishëm në këtë proces.

Nga ana e tij, Kryebashkiaku, Erion Veliaj tha se kjo marrëveshje, e re, sa i takon llojit të partneritetit, tërësisht publik, do të përmbushë ambicien e shprehur prej tij për të kthyer Tiranën në qytetin më të pastër në Ballkan.

“Nga sot ne kemi një kompani aktive. Gjysma është në pronësi të Bashkisë së Veronës dhe gjysma është në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Ne kemi dëgjuar shumë për Partneritetin Publik-Privat, por për herë të parë po eksperimentojmë Partneritetin Publik-Publik. Por një kompani e cila funksionon me gjithë etikën dhe me gjithë kërkesën e llogarisë së një kompanie private.

Ambicia jonë është që të fillojmë me mbledhjen e mbeturinave dhe me pastrimin e qytetit të Tiranës, i cili, duhet pranuar, sot është më i pastër se një vit më përpara, por është ende larg ambicies tonë për të pasur qytetin më të pastër në Ballkan, ashtu sikurse Verona është qyteti më i pastër në Itali. Por qytetarët e Tiranës duhet të kenë një garanci që do të kenë të njëjtin nivel takse të pastrimit, të njëjtën tarifë të pandryshuar për të marrë një shërbim shumë më të mirë sesa ai që kanë sot,” u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës shpjegoi se përmes kësaj marrëveshje për herë të parë në kryeqytet do të nisë ndarja e mbetjeve që në burim.

“Të fillojmë fillimisht me Tiranën qendër, ajo që ne quajmë zona e kuqe, zona brenda unazës, për të shkuar pastaj në gjithë territorin e Tiranës ku ne do të bëjmë jo vetëm pastrimin dhe grumbullimin e mbeturinave, por për herë të parë do të fusim edhe konceptin e mbeturinave të ndara që në burim.

Sigurisht që ne do të investojmë në kontejnerë të rinj, në pajisje moderne, në staf të kualifikuar, por do të shpenzojmë të njëjtën energji, siç po e bëjmë për infrastrukturën dhe makinerinë, për kulturën, për të arsimuar fëmijët, të rinjtë, familjet dhe të gjithë qytetarët sesi mund të jenë partnerë dhe bashkëpunëtorë të kësaj kompanie publike. Plani i ekspansionit është që pas 18 muajsh ne të kemi mbuluar gjithë territorin e Tiranës me kompaninë tonë të re “Eco Tirana”, kompania publike. Dhe e gjitha kjo, pa i shtuar asnjë qindarkë asnjë tarife pastrimi në qytetin e Tiranës,” shpjegoi Veliaj.

Ndërsa Kryebashkiaku i Veronës, Flavio Tosi, deklaroi se Shqipëria është në një rrugë transformimi të thellë dhe reformash të mëdha, ndërsa duke iu referuar marrëveshjes tha se ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të përbashkët që do të bëjë të mundur rritjen e cilësisë së jetesës së qytetarëve.

“Kur Kryeministri Rama dhe homologu Veliaj na propozuan këtë bashkëpunim, ne si qytet i Veronës, si ndërmarrje, si grup AGSM, si grup AMIA, u ndjemë krenarë që na u kërkua ky bashkëpunim. U ndjemë krenarë, sepse Kryeministri Rama – dhe kjo gjë shihet në Itali, – po e shoqëron Shqipërinë në një rrugë transformimi të thellë reformash të mëdha. Një person me vendosmëri të fortë, me kompetencë dhe kurajë të madhe, i cili, me personalitetin dhe karizmën e tij po i imponon Shqipërisë një transformim të madh për ta çuar atë me të drejta të plota në parametrat evropianë.

Jam absolutisht dakord që ky është vetëm fillimi, sepse për ne që do të punojmë, sigurisht me një kryesi italiane, sepse “know-how” (dija) është italian, por me punonjës shqiptarë, do të përpiqemi që të zhvillohemi bashkërisht, do e shohim me vëmendje të madhe dhe të veçantë këtë rrugëtim zhvillimi të përbashkët, sepse fakti që Verona, Italia, së bashku me Shqipërinë, të mund të përmirësojnë në mënyrë reciproke kushtet dhe cilësinë e jetës së qytetarëve tanë, është për ne vërtet krenari. Verona është e nderuar që është krah jush, së bashku me Bashkinë e Tiranës që përfaqësohet nga kryetari i saj në këtë rrugëtim zhvillimi të përbashkët,” u shpreh kryebashkiaku Tosi.

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në nënshkrimin e këtij Memorandumi, u shpreh se kjo marrëveshje është vetëm hapi i parë drejt një historie suksesi, në një fushë të pashkelur më parë, siç është diferencimi i mbetjeve që në burim në vendin tonë.

“Një histori e madhe efikasiteti, transparence dhe suksesi, që për mua do të thotë edhe shumë shpresë për atë që mund të bëjmë së bashku këtu në Shqipëri. Është një ndërmarrje shumë e rëndësishme edhe për sa i përket inovacionit, një ndërmarrje që përdor një teknologji që është mjaft moderne, tërësisht e gjelbër dhe me një sistem mjaft të avancuar dhe efikas mbikëqyrjeje dhe sinjalizimi në gjithë territorin ku operon.

Sot jemi akoma në mes të një debati të nxehtë për riciklimin, ndaj është momenti për të dhënë një shembull të fortë për faktin se ne, nga njëra anë kemi një interes kombëtar, publik shumë të rëndësishëm për të mbështetur gjithë industrinë e lehtë shqiptare të riciklimit të mbetjeve të gjelbra, por, nga ana tjetër, kemi gjithashtu nevojë të ngremë në këmbë një sistem të ri për të transformuar qytetarët në partnerë të këtij aktiviteti, i cili është një aktivitet ekonomik i rëndësishëm për ndërmarrjet e riciklimit, por mbi të gjitha është një aktivitet qytetar për një mjedis të shëndetshëm, të pastër që krijon punësim, krijon punë të pastër dhe që e bën ekonominë më të fortë,” u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Nga ana tjetër, Kryeministri tha se kjo nismë do të rrisë sasinë e mbetjeve që riciklohen në Shqipëri.

“Sot ne kemi një industri riciklimi që punon vetëm me 30% të kapacitetit të saj logjistik dhe teknik, për shkak të një moratoriumi që vendosëm në 2013-ën për të gjitha mbetjet që do importoheshin në Shqipëri. Sidoqoftë, gjatë kësaj periudhe kemi arritur ta afrojmë këtë industri më shumë drejt problemit tonë dhe sasia e asaj që riciklohet sot në Shqipëri nuk është një shifër indiferente: 120 mijë ton në vit nga kjo industri lokale e cila ka investuar ndër vite 273 milionë euro në ndërtesa dhe teknologji. Por, sigurisht, është një shifër që duhet ta tejkalojmë. Ndërmarrja e ekselencës, të cilën kryetari i Bashkisë, Tosi, me një bujari vërtet të madhe, e nisi në det të hapur për të tentuar të bëjë diçka në Shqipëri, ndodhet sot këtu dhe është një partnere nën kontratë me Bashkinë e Tiranës dhe unë s’kam asnjë dyshim që do të jetë një histori suksesi,” u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Marrëveshjen e ka përshëndetur edhe Ambasadori i Italisë, Alberto Cutillo, duke e cilësuar atë si një tjetër moment të rëndësishëm në marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve.

“Kjo mbrëmje shënon një tjetër zhvillim të rëndësishëm në marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë. Ky bashkëpunim që duam të festojmë sot lindi si një marrëveshje e firmosur midis kryetarëve të bashkive të Tiranës dhe Veronës në dhjetor të vitit të kaluar, marrëveshje që ka të bëjë veçanërisht me sektorin e mbledhjes, trajtimit dhe eliminimit të mbetjeve urbane, por që është e hapur edhe për zhvillimin në sektorë të tjerë. Tirana ka tani detyrën e rëndësishme që të menaxhojë mbledhjen dhe eliminimin e mbetjeve të ngurta urbane, duke pasur qëllimin që të sjellë këtu praktikat më të mira,” u shpreh ambasadori Cutillo.

Marrëveshja e firmosur mes Bashkisë së Tiranës dhe Bashkisë së Tiranës  synon ristrukturimin e modeleve dhe shpërndarjes së kontejnerëve në territorin e këtij qyteti, duke mundësuar në këtë mënyrë për herë të parë fillimin në territor, të grumbullimit të ndarë të mbetjeve. Po ashtu në bazë të kësaj marrëveshje synohet më pas edhe fillimi i grumbullimit derë më derë të mbetjeve, sipas specifikave, në fillim me operatorët ekonomike, pastaj edhe me familjet, ku shërbimi nuk mund të ndërhyjë me mjete teknologjike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button