“Flamurtari për kampion, të mos fshihet pas arbitrimit”, ish-trajneri Mezani gjykon ankesat
Gentjan Mezani kërkon më shumë përgjegjësi dhe përqendrim te gabimet e bëra në fushën e lojës. Ish-trajneri i Flamurtarit, i cili aktualisht drejton Drenicën në Kosovë, në një prononcim për “Panorama Sport”, thekson se skuadra vlonjate ka potencialin për të synuar titullin kampion në këtë kategori, por duhet të përmirësojë konkretizimin e rasteve për gol. Sipas tij, pretendimet për arbitrimin nuk duhet të mbulojnë gabimet e vetë skuadrës, ndërsa dy pikët e humbura ndaj Korabit nuk duhen kthyer në dramë.
“Flamurtari duhet të kapet tek gabimet që janë bërë dhe jo te gabimet e arbitrimit. Arbitrimi është një penallti dhe një penallti Flamurtarit i ka munguar gjithmonë. Për një penallti Flamurtari doli nga Superliga. Unë mendoj se ky Flamurtar është ndërtuar për të dalë kampion dhe jo të mendoj që nuk i dhanë një penallti kundër Korabit, Kukësit apo kundër çdo skuadre tjetër. Përgjegjësia e gjithë aktorëve kryesorë duhet të nisë tek gabimet që janë bërë gjatë lojës.
Ndeshja është dominuar, ka pasur shumë raste. Ne këtu duhet që të fillojmë, të minimizojmë gabimet tona për të arritur tek fitorja. I duhej vetëm një gol dhe Flamurtari kishte fituar. Të shikojnë ku kanë gabuar, në çfarë aspektesh duhet ndërhyrë për të arritur tek fitorja. Nuk duhet t’a bëjmë dramë edhe pse na mungojnë dy pikë në këtë ndeshje.
Por nëse Flamurtari prodhon, ka shumë raste për gol por nuk ka shënuar do të thotë që kjo skuadër di të shkojë në fazën ofensive, deri në sulm por i duhet konkretizimi. Aty duhet të punohet edhe më shumë”, shprehet fillimisht Mezani.
PËR ARBITRAT-
Edhe pse kërkon që përgjegjësia të nisë nga skuadra dhe stafi teknik, Mezani nuk i anashkalon gabimet e arbitrimit. Ai thekson se Flamurtari ka të drejtë të reagojë kur vendimet e gjyqtarëve janë në disfavor të tij, pasi sipas tij nuk mund të gabohen vazhdimisht në kurriz të një skuadre që ka objektiv Superligën. Megjithatë, trajneri vlonjat nënvizon se skuadra duhet të punojë për të korrigjuar gabimet e veta dhe të mos e përdorë arbitrimin si justifikim për rezultatet.
“Unë mendoj që jam në një pozicion të tillë që për arbitrat duhet të flas pak dhe të me mendoj për pjesën e lojtarëve. Dikush duhet të flas për gabimet që bën arbitrimi në kurriz të një skuadre si Flamurtari që objektiv ka hyrjen në Superligë dhe kjo nuk diskutohet. Unë mendoj që përpos gabimeve të arbitrimi është detyra e trajnerit që të marrë përgjegjësitë në vazhdimësi pasi nuk mund të justifikohemi me arbitrimim për pjesën tjetër të gabimeve tona, të lojtarëve tanë.
Këtu që nëse unë do të thosha në këtë pozitë që jam që është gabimi i arbitrit, atëherë unë do të justifikoja dhe gabimet e lojtarëve të mi. Është detyrë që të punohet akoma më shumë për gabimet që kanë bërë gjatë lojës, sepse Flamurtari në ndeshjen me Korabin ka patur shumë raste dhe mund ta fitonte takimin edhe pa atë penallti. Por që këtu duhet të fillojë pjesa e trajnerit, sipas pozicionit që unë kam. Ndërsa për pjesën tjetër, klubi ka të drejtë të kërkojë të drejtën e vetë sepse nuk mund të gabohet gjithmonë në kurriz të një skuadre”, shprehet trajneri njohur.
PËR TIFOZËT DHE VAZHDIMËSINË –
Gentjan Mezani ndalet edhe te pakënaqësitë e tifozëve vlonjatë, të cilët kërkojnë ta shohin Flamurtarin në majat e futbollit shqiptar. Ish-trajneri kuqezi shprehet se reagimi i tyre është i kuptueshëm, por thekson se kampionati është ende i gjatë dhe skuadra ka forcën e duhur për të arritur objektivin. Sipas tij, qetësia dhe ana psikologjike do të jenë vendimtare në vazhdim, ndërsa dy javët në dispozicion duhet të shërbejnë për të korrigjuar gabimet e bëra. “Tifozët në Vlorë e duan që ta shikojnë Flamurtarin në majat e Superligës dhe jo të Kategorisë së Parë dhe është e mirëkuptuar kjo pjesë që ka pakënaqësi në tifozeri. Por është vetëm një fazë, faza e parë. Kampionati është i gjatë.
Flamurtari e ka forcën e duhur për ta mbyllur më së miri këtë kampionat. Ideja është sa durueshëm do të jenë aktorët kryesorë për t’i arritur këtij qëllimi pasi duke qenë i gjatë edhe ana psikologjike është shumë e rëndësishme. Unë mendoj se e ka forcën për të bërë edhe më mirë. Kualiteti dhe qetësia nuk i mungon. Besoj dhe qetësia dhe ana psikologjike në atë klub është në shkallën maksimale. Unë kam kaluar nga ai klub dhe nuk ka presion as nga drejtuesit dhe as nga tifozët. Kanë kohën e duhur që në këto dy javë të korrigjojnë gabimet që kanë bërë”, përfundon Mezani.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.