Ekonomia

Tri arsye se përse po bie çmimi i naftës në botë

timthumbNë tregun global të lëndëve të para, bota këto kohët e fundit po përballet me një çudi. Në Irak, milicia e terrorit e Shtetit Islamik po zhvillon një luftë barbare; në Izrael, ushtria bombardon Rripin e Gazës dhe Hamasi hedh raketa, ndërkohë në Tel-Aviv; në Afrikën Perëndimore, epidemia e Ebolës duket se ka dalë jashtë kontrollit; dhe Rusia kërcënon, për shkak të krizës ukrainase, me ngritjen e çmimeve të energjisë. Krizat dhe luftërat kanë kllaposur rajonet më të rëndësishme naftëmbajtëse e energjetike të botës – mirëpo çmimet po bien prej muajsh.

Produkti amerikan WTI dhe nafta bruto e vendeve të OPEC-ut tashmë kushtojnë më pak se 100 dollarë për fuçi (159 litërshe). Dhe koncerni verior “Brent” ndodhet në prag të shkurtimit të tregjeve. Nga mesi i korrikut, një fuçi “Brent” kushtonte rreth 114 dollarë. Në vështrim të parë, ky zhvillim duket një paradoks i vërtetë. Në fakt, ka plot arsye për të ndodhur një fenomen i tillë.

Oferta mbetet stabël

Prodhimi global i naftës deri më tani thuajse nuk është ndikuar fare nga një sërë krizash. Le t’i marrim me radhë:

  • Në Izrael nuk prodhohet fare naftë. Kështu që në të njëjtën masë që zhvillohen luftimet në Rripin e Gazës, nuk ngjan se shihet ndonjë ndikim në furnizimin global me naftë.
  • Siria e shënjuar tashmë fort nga lufta civile, në çështjen e prodhimit të naftës shihej edhe në ditët e saj më të mira, si një xhuxh në rang botëror. Kapaciteti i saj prodhues qysh para krizës politike, mezi kapte shifrën e 380 000 fuçive në ditë, çka përbën rreth 0,4 për qind të nevojave botërore.
  • Rusia sigurisht është njëra ndër prodhueset më të mëdha të naftës në botë. Mirëpo niveli i eksporteve të saj me gjithë krizën në Ukrainë, pak gjasa ka të njohë shpërthim. Sanksionet ruse kundër BE-së dhe SHBA-së në këtë sektor, nuk janë parashikuar. Dhe sanksionet perëndimore vetëm në terma afatmesëm do të mund të bëjnë që Rusisë t’i mungojnë kapitalet dhe teknologjia për nxjerrjen e naftës. “Pasojat do të mund të ndihen vetëm vite më vonë”, thonë disa ekspertë.
  • Afrika Perëndimore vuan nën një epidemi të fortë shkaktuar nga virusi Ebola. Mirëpo në Nigerinë e pasur me naftë, janë konfirmuar deri më tani vetëm 12 raste me virusin vdekjeprurës. Frika për vështirësi në furnizimin me naftë do të ishte serioze vetëm kur epidemia të sulmonte pa fre në atë vend. Pasi në atë rast, do të braktisnin vendin të gjitha kapacitete e huaja teknike, të afta e aq të domosdoshme për mbarëvajtjen e punëve në atë sektor jetik për vendin.

Ndër vendet e tjera të rëndësishme që zhvillojnë naftënxjerrjen, gjendja madje është përmirësuar kohët e fundit.

  • Në Iran shihet në horizont një zbutje e embargos së naftës, të cilën BE-ja dhe SHBA-ja nisën ta aplikonin para më shumë se dy vjetësh, për ta detyruar Teheranin të bëjë lëshime në programin e tij bërthamor.
  • Në Libi, eksportet e naftës me gjithë luftën civile së fundmi çuditërisht janë shtuar, pasi disa porte dhe fusha naftëmbajtëse, janë vënë sërish në funksion.
  • Në SHBA, prodhimi i naftës, falë metodave të reja të shpimit e nxjerrjes po shtohet, dhe nëKanada ajo po shtohet gjithashtu nga sondat moderne.

Kërkesa për naftë ka rënë

Ndërsa oferta për naftë, me gjithë krizën aktuale, po qëndron stabël, edhe kërkesa për të ka shënuar ulje. Kështu, në çerekun e katërt të vitit 2013, ajo, sipas vlerësimeve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), ndodhej në kuotën e 92,7 milionë fuçive në ditë, në çerekun e dytë të vitit 2014, ndërkohë, ajo ishte një milion fuçi më pak.

Për këtë sprapsje, ka dy arsye kryesore. Së pari, po ulet kërkesa në muajt e nxehtë të vitit pa dyshim, e së dyti mbizotëron në shumë vende të botës një rënie ekonomike. Në Eurozonë, ekonomia ka njohur stanjacion përgjatë çerekut të dytë të vitit, në Japoni ajo shpërtheu me forcë, vende në zhvillim si Brazili dhe Kina njohën gjatë kësaj periudhe rritje të ngadaltë.

Në Irak gjendja është (akoma) stabël

Shqetësimet më të mëdha për ekspertët momentalisht i sjell gjendja në Irak. Eksportet irakiane të naftës janë tejet të rëndësishme për stabilitetin e çmimeve botërore. Mirëpo shteti atje duket sikur po bie. Në Veri, kurdët po përpiqen të ndahen, në qendër të vendit milicia e terrorit të ISIS-it ka marrë kontrollin.

Deri më tani, krizat që përmendëm nuk e kanë ndikuar aspak prodhimin dhe furnizimin me naftë. Pasi një pjesë e madhe e prodhimit zhvillohet në Jug të vendit, të cilin regjimi i Bagdadit e ka akoma nën kontroll. Dhe në Veri, kurdët po e pretendojnë gjithnjë e më shumë për vete prodhimin e naftës e benefitet që vijnë prej saj, kur sigurisht se çështja juridike e kontrollit mbi të është zyrtarisht akoma e paqartë, por lënda e parë rrjedh akoma nëpër tubacione.

Milicët e ISIS-it për momentin kontrollojnë vetëm një fraksion prej 80 000 fuçish në ditë, me këtë rreth 2,5 për qind të sasisë totale të eksporteve irakiane. Edhe këtë sasi, gjithnjë nëse e kontrollojnë vërtet: pasi organizata terroriste do ta shesë lëndën e parë. Nga kjo tregti, ajo mund të fitojë më shumë se tetë milionë dollarë në ditë, nëse gjithnjë tregtia në mënyrën se si ajo e koncepton atë, ecën. A. P.

Marrë nga “Der Spiegel”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button