🌤️
Tiranë 10°C · Kryesisht kthjellët 21 Nëntor 2026
S&P 500 6,910 ▼3.7%
DOW 48,147 ▼1.93%
NASDAQ 22,618 ▼5.28%
NAFTA 83.41 ▲1.18%
ARI 3,515 ▼4.62%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.0980 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9259 EUR/ALL 90.1176 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6181 EUR/TRY 55.4680 EUR/JPY 175.39 EUR/CAD 1.5727 EUR/USD 1.0980 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9259 EUR/ALL 90.1176 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6181 EUR/TRY 55.4680 EUR/JPY 175.39 EUR/CAD 1.5727
₿ CRYPTO
BTC $60,480 ▲ +3.8% ETH $1,688 ▲ +5.54% XRP $0.9316 ▲ +4.75% SOL $70.5900 ▲ +4.86%
S&P 500 6,910 ▼3.7 % DOW 48,147 ▼1.93 % NASDAQ 22,618 ▼5.28 % NAFTA 83.41 ▲1.18 % ARI 3,515 ▼4.62 % S&P 500 6,910 ▼3.7 % DOW 48,147 ▼1.93 % NASDAQ 22,618 ▼5.28 % NAFTA 83.41 ▲1.18 % ARI 3,515 ▼4.62 %
EUR/USD 1.0980 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9259 EUR/ALL 90.1176 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6181 EUR/TRY 55.4680 EUR/JPY 175.39 EUR/CAD 1.5727 EUR/USD 1.0980 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9259 EUR/ALL 90.1176 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6181 EUR/TRY 55.4680 EUR/JPY 175.39 EUR/CAD 1.5727
21 Nën 2026
Breaking
Ekonomia

Turizmi ndal vrullin, hotelet me fitime minimale

Pas vitit 2021, Shqipëria shënoi një lulëzim të vërtetë turistik, që vijonte një rritje të qëndrueshme të nisur nga 2016-a. Destinacionet turistike të Shqipërisë u bënë virale në rrjetet sociale, ku vëmendjen kryesore e tërhoqi termi “Maldivet e Europës”, me të cilin simbolizohej Ksamili.

Rritja e turizmit e orientoi ekonominë drejt shërbimeve, shtimit të kapaciteteve akomoduese e njësive të banimit e vilave, kryesisht në bregdet. Në vitin 2025, në vend hynë një rekord prej 12.5 milionë shtetasish të huaj, dy herë më shumë se në vitin 2019.

Burimi: INSTAT

Në fund të vitit 2025, kontributi i këtij aktiviteti arriti në 5.48% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, niveli më i lartë i regjistruar deri tani, nga 4.96% në vitin 2024. Deri në vitin 2017, akomodimi dhe shërbimi ushqimor kontribuonte më pak se 2% të PBB-së.

Në vlerë, akomodimi dhe shërbimi ushqimor prodhoi 235 miliardë lekë, ose gati 2.4 miliardë euro në vitin 2025, sipas INSTAT-it, duke arritur një nivel rekord, i ndikuar nga vrulli i turizmit.

Megjithatë, ritmet e rritjes reale u ngadalësuan në vetëm 3.47% në vitin 2025, nga 16% vitin e mëparshëm, duke zbritur në nivel njëshifror për herë të parë që nga pandemia. Hyrjet e shtetasve të huaj u rritën vetëm me 6.5%, sërish hera e parë në zgjerim njëshifror që nga pandemia.

Zgjerimi i turizmit nuk është shoqëruar me të njëjtin ritëm të rritjes së vlerës që ky sektor krijon për ekonominë.

Vitet e fundit, sidomos pas vitit 2021, është thelluar diferenca mes prodhimit, që mat vlerën e përgjithshme të shërbimeve të ofruara nga hotelet, restorantet dhe bizneset e tjera të sektorit, dhe vlerës së shtuar bruto, që është pjesa që mbetet në ekonomi, kryesisht në formën e pagave të punonjësve, fitimeve të bizneseve dhe taksave mbi prodhimin.

Bizneset po përballen me presionin e kostove, duke çuar një pjesë më të madhe të të ardhurave për të mbuluar kostot (materiale, energji, transport), jo për shtim të fitimit apo të pagave.

Burimi: INSTAT

Rënia e euros është një faktor kryesor, që ka ulur performancën e sektorit. Sipërmarrësit e sektorit kanë pohuar vazhdimisht se euro po e shkatërron biznesin e hotelerisë, ndërkohë që fuqia blerëse dhe aftësia paguese e turistëve janë të ulëta.

Shqipëria është reklamuar si destinacion i lirë, duke tërhequr turistë low cost, çka ushtron presion për mosrritje çmimesh, sidomos të strukturave akomoduese hoteliere.

Çmimet e hoteleve të kategorive të larta në Tiranë mbeten ende relativisht të ulëta krahasuar me kryeqytetet dhe destinacionet kryesore europiane. Në Athinë, vetëm tarifa mesatare e të gjitha kategorive të hoteleve ishte rreth 178 euro në vitin 2025, ndërsa në Romë, rreth 190 euro, sipas njësive që japin të dhëna për struktura hoteliere.

Në Milano, një nga tregjet më të shtrenjta të hotelerisë europiane, çmimet në segmentin me 4 dhe 5 yje janë shumëfish më të larta, ku vetëm hotelet me 4 yje kanë një mesatare 200-250 euro nata.

P.sh., “Tirana Marriott”, i klasifikuar me 5 yje, ofron dhoma mesatarisht rreth 200 euro/nata. Në Milano, “Milan Marriott Hotel”, i klasifikuar me 4 yje, për një qëndrim më 17–18 tetor kushton rreth 250 euro/nata dhe është 2.7 km larg nga qendra.

Një treg paralel i krijuar vitet e fundit është ai i qirave ditore të strukturave të tjera akomoduese. Shumë persona të jepnin shtëpitë me qira afatshkurtër, duke konkurruar hotelet, por edhe duke joshur shumë të huaj, për shkak të çmimeve të lira ditore në krahasim me vendet e tjera të Europës.

Të dhënat e “AirDNA”, njësia analitike e platformës së qiradhënies “Airbnb”, të bëra të disponueshme për “Monitor”, tregojnë se në të gjithë vendin, mesatarisht në vitin 2025, jepeshin me qira 26.3 mijë apartamente përmes platformës së qiradhënies, nga vetëm 6 mijë në vitin 2021.

Sipas të dhënave nga “AirDNA”, në vitin 2025, nga qiradhënia në Shqipëri u gjeneruan gjithsej 134 milionë euro, nivel rekord i regjistruar ndonjëherë në vend, nga 15 milionë euro në vitin 2021.

Fitimet e ulëta të hoteleve

Rritja e turizmit ka nxitur dhe hotelerinë, sidomos në zonat bregdetare. Vitet e fundit është shtuar numri i hoteleve që renditen në listën e më të mëdhenjve, si nga xhiro, ashtu dhe fitimi. Në vitin 2023, për herë të parë, një strukturë hoteliere hyri në listën e “Monitor 200”, sipas fitimeve.

Në vitin 2024 ishin dy të tilla dhe po kaq kanë mbetur dhe në 2025-n.

Rënia e euros, rritja e kostove të personelit, pamundësia e reflektimit të shtimit të kostos në çmimet e akomodimit po e bëjnë këtë biznes gjithnjë e më të vështirë.

Për 18 hotele që i kanë të deklaruara të dhënat, shpenzimet e personelit u rritën me gati 14% në vitin 2025, sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor”, bazuar në bilancet e kompanive.

Norma e fitimit të hoteleve në pjesën më të madhe mbetet e ulët, në raport me ndërtimet rezidenciale dhe fshatrat turistikë, duke “justifikuar” dhe rendjen drejt këtyre të fundit në zonat bregdetare.

“Management Hospitality Albania”, që ka në pronësi hotelin “Meliá Durrës” në Gjirin e Lalëzit, një investim i “Concord Investment”, po rezulton si modeli më i mirë se si duhet zhvilluar ky segment në vend. Në vitin e tretë të plotë të aktivitetit, “Meliá” është bërë hoteli më i madh, jo vetëm në bregdet, por edhe në gjithë vendin.

Të ardhurat për vitin 2025 ishin 2.1 miliardë lekë, me rritje 26.5% me bazë vjetore, pas zgjerimit prej 41.5% në vitin 2024. Fitimet u rritën lehtë në 387 milionë lekë, me një normë prej 18%. “Meliá” raporton fitimet më të larta në vlerë në të gjithë sektorin hotelier në vend.

Sipas burimeve nga kompania, hoteli ka 470 dhoma dhe rreth 430 të punësuar në pikun e sezonit.

Grupi “Fafa” është struktura e dytë hoteliere në vend për të ardhurat, ndërsa vijon të jetë ndër më të mëdhenjtë për kapacitetet hoteliere.

Nga viti 2020, aktiviteti i “Fafa” sh.p.k. është i ndarë në dy shoqëri. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2025, të ardhurat e “Grand Blue Fafa” dhe “Fafa Resort” arritën në 2 miliardë lekë, me rritje 16% me bazë vjetore, pas zgjerimit me 20% vitin e mëparshëm.

“Grand Blue Fafa” kishte të ardhura prej 1.1 miliardë lekësh dhe fitime minimale prej 53 milionë lekësh, kurse “Fafa Restort” deklaroi të ardhura 942 milionë lekë në vitin 2025 dhe fitime 77 milionë lekë.

Grupi ka 7 hotele “Grand Blue Fafa”, “Fafa Aqua Palace”, “Fafa Aqua Blue”, “Fafa Beach”, “Fafa Sun Hotel”, “Fafa Mel Holiday”, “Fafa Premium”, në zonën e Golemit dhe Kavajës. Të gjitha hotelet kanë kapacitet prej 900 dhomash, me gati 2 mijë shtretër. Në struktura janë rreth 500 të punësuar.

“The Plaza Tirana”, që menaxhon hotelin më të madh në kryeqytet, “Maritim Hotel Plaza Tirana”, është struktura e dytë më e madhe hoteliere në vend, si një njësi e vetme, pas “Meliá” dhe e treta, duke përfshirë grupin “Fafa”. Kompania deklaroi të ardhura prej 1.27 miliardë lekësh, me rritje të lehtë 3.7% me bazë vjetore.

Sipas burimeve, rritja e ngadaltë lidhet kryesisht me zhvlerësimin e euros, që ka ulur ndjeshëm të ardhurat, si dhe informalitetin e lartë në treg, që nuk mundëson vendosjen e çmimeve të larta sipas kategorizimit të yjeve, ndërkohë që numri i dhomave të shitura ka qenë më i lartë.

Hoteli deklaroi fitime prej 130 milionë lekësh në vitin 2025, me një normë 6%.

“Rafaelo Resort” është struktura e katërt më e madhe hoteliere në vend për të ardhurat dhe një nga operatorët që janë pjesë e listës së “Monitor 200” sipas fitimeve, së bashku me “Meliá Durrës”.

Në vitin 2025, shoqëria raportoi të ardhura prej 1.25 miliardë lekësh, me rritje 2% me bazë vjetore. Fitimet arritën në gati 300 milionë lekë, me një normë prej 23%. Resorti ka 650 dhoma dhe apartamente me kapacitet 2000-2100 shtretër duke qenë struktura më e madhe në vend për numrin e shtretërve.

“Tirana Marriott Hotel”, pjesë e Grupit FINMAN, është ngjitur në strukturën e pestë më të madhe hoteliere në vend, pas rritjes me 17%, duke deklaruar të ardhura prej 1.1 miliardë lekësh.

Ky është viti i dytë që aktiviteti raportohet i ndarë nga “Alb-Star”, përmes shoqërisë “FINMAN Hospitality”. Por, shoqëria është ende me humbje, që në vitin 2025 u përgjysmuan në 120 milionë lekë.

“Golden Eagle”, që menaxhon “Rogner Tirana”, raportoi 927 milionë lekë të ardhura, me rritje vjetore 7.1%.

“Aktiviteti ekonomik gjatë vitit 2025 ka qenë në kuotat e një viti të mirë, duke shënuar, në krahasim me vitin 2024, një rritje në të ardhura nga aktiviteti i shfrytëzimit në masën rreth 6,6%, ndonëse me pothuajse të njëjtën normë dhomëzënie të hotelit”, thuhet në raportin e aktivitetit.

Megjithatë fitimet ranë me 16%, në 86 milionë lekë, me një normë prej vetëm 6%.

“Geci”, që administron “Hotel Tirana International”, raportoi të ardhura vetëm nga hoteli rreth 900 milionë lekë. Hoteli sjell më pak se një të tretën e të ardhurave të kompanisë, me pjesën tjetër që vjen nga ndërtimi.

Kompania ka investuar në hotelin e ri, me markën ndërkombëtare “InterContinental”, që pritet të vihet në funksion së shpejti.

“Bonita”, me aktivitet në zonën e Golemit, raportoi të ardhura prej 665 milionë lekësh, me rritje 30%, duke qenë i dyti më i madh në zonën e Golemit, pas hoteleve të grupit “Fafa”.

Fitimet ishin minimale prej 45 milionë lekësh, me një normë 7%. Shoqëria ka disa komplekse hoteliere të mëdha dhe ka marrë në administrim hotelin “Dolce Vita”.

“Hotel Internacional Skelë” është më i madhi në zonën e Jugut, me të ardhura prej 638 milionë lekësh, me tkurrje 20% me bazë vjetore në vitin 2025. Fitimet ishin minimale në vetëm 16 milionë lekë, me normë 3%.

“Xheko Imperial” në Tiranë raporti 626 milionë lekë të ardhura në vitin 2025, me tkurrje të lehtë prej 3%. Por, ky hotel është më fitimprurësi në Tiranë, me një rezultat para taksave prej 215 milionë lekësh dhe normë 34%.

“Kastrati Hotels & Towers”, që menaxhon “Mak Albania Hotel”, raportoi të ardhura 533 milionë lekë në 2024-n, ndërsa për vitin 2025 nuk i ka publikuar ende të dhënat.

Në Jug, struktura e dytë më e madhe hoteliere është “Marina Bay”, pjesë e “Maritim”, me të ardhura 591 milionë lekë në vitin 2025, me rritje 19.4%. Fitimet ishin 53 milionë lekë, me një normë prej 9%.

“Alpas 2E”, operatori pas administrimit të “Hilton Garden INN Tirana”, kishte të ardhura 517 milionë lekë, me rritje 19.1%. Kompania deklaroi fitime prej 52 milionë lekësh (normë 9%), pas humbjeve vitin e mëparshëm.

“Hotel Brilliant” në Durrës deklaroi 503 milionë lekë të ardhura, me rritje 4.1%. Fitimet ishin 167 milionë lekë, më fitimprurësi në bregdetin e Durrësit, me një normë 34%.

“Green Coast Hotel – MGallery Collection” filloi aktivitetin nga 2 korriku 2025.

Në vitin e parë jo të plotë të aktivitetit, hoteli, që shënoi një tjetër hap drejt konsolidimit të ofertës së luksit në Jug të vendit, realizoi të ardhura prej gati 470 milionë lekësh, duke qenë në rrugë për t’u bërë struktura më e madhe hoteliere në Jug. Aktiviteti rezultoi me një humbje minimale prej 44 milionë lekësh.

Ky është hoteli i parë i markës “MGallery” në vend dhe është rezultat i një partneriteti strategjik midis Grupit BALFIN dhe Grupit Accor. Hoteli me 5 yje shtrihet në një sipërfaqe totale ndërtimi prej 16,379 m² dhe përfaqëson një investim deri më sot prej 37 milionë eurosh (pa TVSH), sipas burimeve zyrtare. Hoteli disponon 131 dhoma.

Mali i Zi, treg turistik më i vogël se Shqipëria, por me struktura hoteliere dy herë më të mëdha

Mali i Zi tërheq më pak se tre milionë turistë në vit, ose katër herë më pak se të ashtuquajturit turistë të Shqipërisë, por kompanitë më të mëdha të hotelerisë në shtetin fqinjë realizojnë deri në dyfishin e të ardhurave të operatorëve kryesorë te ne.

Ndërsa struktura më e madhe hoteliere në Shqipëri, “Meliá”, raportoi rreth 22 milionë euro xhiro, në Mal të Zi, disa operatorë dhe komplekse turistike i kalojnë 25–40 milionë euro të ardhura në vit.

Zhvilluesit e resorteve luksoze, që ndërthurin hotelerinë me shitjen e rezidencave dhe administrimin e marinave, arrijnë xhiro edhe më të larta.

Sipas MONSTAT, në vitin 2025, Mali i Zi regjistroi 2.73 milionë mbërritje turistësh, me rritje 4.7% krahasuar me vitin e mëparshëm.

Megjithatë, numri i net-qëndrimeve ra me 1.5%, në 15.37 milionë. Rreth 95.8% e net-qëndrimeve u realizuan nga turistët e huaj, ndërsa 92.6% u përqendruan në destinacionet bregdetare.

Tregjet më të rëndësishme janë Serbia, Rusia, Bosnjë-Hercegovina, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.

Përmasat e tregut turistik nuk janë drejtpërdrejt të krahasueshme me 12.5 milionë hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri, pasi statistikat shqiptare përfshijnë edhe vizita për arsye të tjera, jo vetëm turistët që qëndrojnë në struktura akomoduese.

Megjithatë, përqendrimi i aktivitetit në operatorë të mëdhenj hotelierë është dukshëm më i lartë në Mal të Zi.

Kapacitetet akomoduese, orientim drejt hoteleve me katër dhe pesë yje

Mali i Zi ka investuar prej vitesh në zgjerimin e kapaciteteve hoteliere të kategorive të larta, krahas zhvillimit të apartamenteve dhe vilave turistike.

Në fund të vitit 2024, vendi kishte 515 struktura akomoduese të kategorizuara, me rreth 50,770 shtretër. Nga këto, 39 ishin hotele me pesë yje, me rreth 5,577 shtretër, ndërsa 229 hotele me katër yje ofronin 27,071 shtretër.

Së bashku, këto dy kategori përfaqësonin rreth 64% të kapaciteteve të kategorizuara.

Sipas OECD, lehtësitë fiskale të vendosura për ndërtimin e hoteleve të kategorive të larta kanë nxitur shtimin e investimeve.

Ndërtimet e hoteleve me pesë yje përfitojnë lehtësi për TVSH-në në importet e lidhura me investimin, ndërsa taksa e pasurisë ulet me 70% për hotelet me pesë yje dhe 30% për ato me katër yje që operojnë gjatë gjithë vitit, sipas burimeve zyrtare nga agjencia e investimeve të Malit të Zi.

Megjithatë, akomodimi privat mbetet pjesa më e madhe e tregut. Nga 15.37 milionë net-qëndrime të vitit 2025, rreth 10.18 milionë u regjistruan në apartamente, dhoma dhe banesa private, ndërsa 5.19 milionë në hotele dhe struktura të tjera kolektive akomodimi.

Komplekset luksoze, të ardhura deri në 90 milionë euro

Në renditjen e kompanive më të mëdha të Malit të Zi sipas të ardhurave spikat “Luštica Development”, zhvilluesi i kompleksit turistik dhe rezidencial “Luštica Bay”, në gadishullin e Lušticës, pranë Tivatit.

Projekti përfshin hotelin me pesë yje “The Chedi”, marina, apartamente, vila dhe një fushë golfi. Kompania realizoi 90.3 milionë euro të ardhura në vitin 2025, por fitimi neto ishte vetëm 567 mijë euro, me normë fitimi 0.6%.

Një tjetër kompleks i rëndësishëm është Porto Montenegro në Tivat, me marinë për jahte luksoze, rezidenca, hotele, restorante dhe hapësira tregtare.

Kompania “Adriatic Marinas”, e lidhur me zhvillimin dhe administrimin e kompleksit, realizoi 60.4 milionë euro të ardhura dhe 12.9 milionë euro fitim neto, me një normë fitimi prej 21.4%.

Në të dy rastet, të ardhurat nuk lidhen vetëm me akomodimin turistik, por edhe me zhvillimin dhe shfrytëzimin e pasurive të paluajtshme dhe shërbime të tjera.

Në Shqipëri, zhvilluesi më i madh i pasurive të paluajtshme në bregdet, “Green Coast”, realizoi të ardhura të ngjashme rreth 85 milionë euro në vitin 2024, kur projekti ishte në kulmin e tij, për të rënë më pas në rreth 32 milionë euro në vitin 2025, pasi pjesa më e madhe e njësive u shitën.

Operatorët hotelierë, deri në 41 milionë euro të ardhura, por fitime minimale

Modeli i hotelerisë mbetet një biznes i vështirë dhe në Mal të Zi. Ndonëse strukturat hoteliere janë më të mëdha e të strukturuara se në Shqipëri dhe arrijnë të kenë të ardhura më të larta, fitimet mbeten minimale.

Ndër kompanitë e përqendruara në shërbimet hoteliere, më e madhja në listë është “Portonovi Hospitality Management Company”, që operon në kompleksin luksoz “Portonovi”, në Herceg Novi, ku ndodhet edhe hoteli “One&Only Portonovi”.

Kompania realizoi 41.3 milionë euro të ardhura dhe 1.98 milionë euro fitim neto, me normë fitimi 4.8%.

“Budvanska Rivijera”, grup hotelier që administron ndër të tjera komplekset “Slovenska Plaža”, “Aleksandar”, “Palas” dhe “Castellastva”, raportoi 29.7 milionë euro të ardhura dhe 1.5 milionë euro fitime, me normë 5.1%.

“Hotels Group Montenegro Stars”, që operon “Splendid Conference & Spa Resort”, me pesë yje, dhe “Montenegro Beach Resort në Bečići”, realizoi 28.4 milionë euro të ardhura, por vetëm 180 mijë euro fitim neto, me normë 0.6%.

“Maestral Hotels and Casinos”, që administron resortin luksoz “Maestral” në Pržno, pranë Sveti Stefanit, kishte 25.9 milionë euro të ardhura dhe rreth 2 milionë euro fitime, me normë 7.6%. Kompania ndërthur shërbimet hoteliere me aktivitetin e kazinosë.

“Carine”, që operon disa hotele në Gjirin e Kotorrit, përfshirë “Kumbor”, “Park” dhe “Delfin”, realizoi 22.5 milionë euro të ardhura dhe rreth 2 milionë euro fitime neto, me normë 8.8%.

Norma më të larta fitimi regjistruan disa operatorë me xhiro më të vogël. “Bellevue Hotels Group” raportoi 20.5 milionë euro të ardhura dhe 5.4 milionë euro fitime, me normë 26.2%, ndërsa “Recreatours”, e lidhur me kompleksin turistik “Biserna Obala” në Čanj, realizoi 11 milionë euro të ardhura dhe 5 milionë euro fitime, me një normë prej 45.8%.

“Karisma Hotels Adriatic Montenegro”, operator i lidhur me kompleksin “Holiday Village Montenegro” në Ulqin, regjistroi 14 milionë euro të ardhura dhe 2.4 milionë euro fitime, me normë 17.3%.

LEXONI EDHE:

200 kompanitë me fitime më të larta; Ekonomia e shtrembëruar nga tenderat dhe informaliteti

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.