Turqi, arrestohen dy prezantues të televizionit opozitar
Dy prezantues të rrjetit televiziv opozitar turk Halk TV, i cili u mor në kontroll nga shteti në tetor, janë arrestuar dhe është lëshuar një urdhër arresti për kryeredaktorin, njoftoi sot zyra e prokurorit.
“Nëntë persona u arrestuan”, përfshirë dy ish-prezantues, Ece Uner dhe Deniz Bayramoglu , me akuza që përfshijnë pastrim parash, përhapje informacioni mashtrues, falsifikim të tenderëve dhe korrupsion, tha zyra e prokurorit.
Sipas deklaratës, të dy gazetarët akuzohen për “prodhimin e raporteve të rreme” kundrejt pagesës . Drejtori editorial Kursad Oguz ndodhet jashtë vendit.
Dy gazetarë të tjerë, Mustafa Balci i gazetës opozitare Sözcü dhe Saban Sevinc i kanalit të lajmeve online Bizim TV , u liruan sot pas 49 ditësh paraburgim, sipas Sindikatës së Gazetarëve Turq (TGS).
Ata ishin lënë në paraburgim për dyshimin se kishin përhapur informacione të rreme në lidhje me skandalin e fondeve të investimeve që ka tronditur qeverinë që nga shtatori.
Në tetor, policia turke mori kontrollin e selisë së Halk TV , stacionit kryesor televiziv të opozitës përpara se ai të merrej nën kontroll nga shteti, dhe arrestoi 11 persona – episodi i fundit në një fushatë të vazhdueshme nga qeveria e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan kundër mediave, organizatave politike dhe organizatave të shoqërisë civile.
Një urdhër arresti është lëshuar gjithashtu për drejtorin ekzekutiv të Halk TV, Kafer Mahiroglu, i cili jeton në Londër. Qeveria turke po përpiqet në çdo mënyrë të “shpërqendrojë vëmendjen e publikut” nga skandali i kryeqytetit, tha ky i fundit në një intervistë me AFP-në.
Autoritetet kanë vendosur gjithashtu nën administrim shtetëror një tjetër kanal televiziv të opozitës, Sözcü TV.
Gazetarët dhe mediat opozitare janë vazhdimisht në shënjestër të gjyqësorit turk për një gamë të gjerë veprash penale, nga shpifja te fyerja, por edhe për korrupsion ose përhapje të lajmeve të rreme.
“E përsërisim edhe një herë: aktiviteti gazetaresk nuk mund të jetë në asnjë rrethanë arsye për ndjekje penale”, tha sindikata TGS në një postim në X.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.