FOKUS – Shtetet baltike vendosin sanksione ndaj dy oligarkëve rusë, pas vendimit të BE-së
RIGË, 24 shtator /ATSH-DPA/- Estonia, Letonia dhe Lituania kanë vendosur masa ndëshkuese ndaj dy biznesmenëve të pasur rusë, Alisher Usmanov dhe Mikhail Fridman, pasi Bashkimi Evropian hoqi sanksionet ndaj tyre.
Estonia tha se nuk ishte dakord me vendimin e BE-së për t’i hequr dy biznesmenët nga lista e sanksioneve.
Ministri i Jashtëm estonez, Margus Tsahkna tha se Rusia nuk po tregonte gatishmëri për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe se Usmanov dhe Fridman vazhdonin të mbështesnin Rusinë.
Letonia dhe Lituania kanë vendosur gjithashtu masa ndaj tyre. Letonia u ka vendosur kufizime financiare dhe ndalim hyrjeje në vend.
BE-ja i hoqi sanksionet ndaj dy oligarkëve të martën, pas një mosmarrëveshjeje të gjatë mes vendeve anëtare.
Sipas burimeve të BE-së, Franca kishte shpresuar të siguronte lirimin e shtetasve francezë të burgosur jashtë vendit në këmbim të heqjes së sanksioneve.
Ukraina e kritikoi vendimin e BE-së, duke e cilësuar “të turpshëm”.
Ndërkohë, BE-ja zgjati me 36 muaj sanksionet ndaj rreth 3 000 personave, organizatave dhe kompanive të tjera, që akuzohen se mbështesin luftën e Rusisë ose përfitojnë nga politikat e Kremlinit. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.