Rajoni

“Turqia mbështet anëtarësimin e Maqedonisë dhe BeH-së në NATO”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se NATO përshëndet “transparencën” e Turqisë në operacionin e saj kundër-terrorist “Dega e Ullirit”, i cili zhvillohet në Afrin të Sirisë.

“Ministri Çavuşoğlu më tregoi për operacionin ‘Dega e Ullirit’ dhe unë jam mirënjohës për transparencën e vazhdueshme të Turqisë mbi këtë”, tha Stoltenberg në konferencën e përbashkët për media me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu.

Shefi i Aleancës së NATO-s tha se Turqia “me të vërtetë” bëri shumë për aleancën, pavarësisht përballjes me sfidat “serioze” të sigurisë. “Asnjë aleat tjetër i NATO-s nuk ka pësuar aq shumë sulme terroriste sa Turqia. Dhe, ju jeni aleati më i ekspozuar ndaj paqëndrueshmërisë në këtë rajon”, tha Stoltenberg.

Turqia nisi operacionin “Dega e Ullirit” më 20 janar për të pastruar grupet terroriste YPG/PKK dhe të DEASH-it nga Afrini mes kërcënimeve në rritje nga rajoni.

– Çavuşoğlu: Më shumë mbështetje nga NATO

Ndërkaq, shefi i diplomacisë turke, i cili kërkoi mbështetje më të madhe në procesin e zgjerimit të NATO-s, deklaroi se Turqia mbështet proceset e anëtarësimit të Maqedonisë, Bosnje e Hercegovinës dhe Gjeorgjisë.

Ministri Çavuşoğlu tha se ai dhe Stoltenberg diskutuan për çështjet rajonale, duke përfshirë Sirinë, Libinë, Irakun dhe një takim të NATO-s të planifikuar për në muajin korrik në Bruksel.

Çavuşoğlu tha se Stoltenberg kishte vizituar Turqinë shtatë herë, duke shtuar se, “Kjo është një shenjë e rëndësisë së vendosur ndaj Turqisë si një aleat”.

Ai tha se Turqia po luftonte kundër të gjitha llojeve të organizatave terroriste, duke shtuar se, “Ne presim më shumë mbështetje nga NATO në luftën tonë kundër terrorizmit”.

Stoltenberg tha se të dy palët poashtu diskutuan për sulmin me armëve kimike në rajonin Duma në Siri, që shkaktoi vdekjen e78 civilëve dhe plagosjen e qindra të tjerëve.

“NATO dënon ashpër përdorimin e vazhdueshëm të armëve kimike nga regjimi sirian si një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ata përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha Stoltenberg.

Shefi i NATO-s përsëriti se nuk kishte zgjidhje ushtarake për këtë konflikt dhe NATO “plotësisht” mbështet përpjekjet e udhëhequra nga OKB.

Stoltenberg e falënderoi Turqinë për mbështetjen e sulmeve ajrore të udhëhequra nga SHBA-të kundër regjimit të Bashar al-Asadit.

SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca të shtunën nisën një seri sulmesh në hapësirat e armëve kimike të regjimit të Asadit në Siri.

– Lidhje të forta me Rusinë

Çavuşoğlu kritikoi komentet e presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili dje tha se kishte planifikuar të vizitonte Ankaranë për të marrë pjesë në takimin e 4 prillit në Siri midis presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, presidentit rus Vladimir Putin dhe atij iranian Hassan Rouhani.

“Para takimit tre-palësh, Macron tha se donte të vinte në Ankara dhe të bashkohej me samitin… Mirëpo, këto zhvillime ishin para përdorimit të armëve kimike në Gutën Lindore. Nuk ka lidhje me këto zhvillime. Ai donte të vinte në mënyrë të pavarur nga kjo dhe ai nuk erdhi pasi nuk ishte i përfshirë në takimin tre-palësh”, Çavuşoğlu.

Ministri turk poashtu tha se pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme, marrëdhëniet e Turqisë me Rusinë nuk ishin “të dobëta”, ndërsa dje Macron tha se sulmet në Siri kishin “ndarë” rusët dhe turqit.

Ai poashtu i bëri thirrje Greqisë për të shmangur marrjen e hapave që do të përshkallëzojnë tensionet mes dy vendeve. Ai tha se ministri grek i mbrojtjes, pëlqen “populizëm”. “Nuk duhet të vijë deri në një pikë për të dëmtuar lidhjet midis vendeve”, u shpreh ministri Çavuşoğlu.

Ai shtoi se Ankaraja dhe Athina duhet të vazhdojnë bisedimet eksploruese për të gjetur zgjidhje për mosmarrëveshjet, duke shtuar se, “Si aleatë të NATO-s, ne duhet të përqendrohemi në një axhendë më pozitive”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button