Turqia reagon ndaj SHBA: “Do të kundërpërgjigjemi në kuadër të reciprocitetit të plotë”
Në përgjigjen me shkrim në pyetjen në lidhje me deklaratat e Departamentit Amerikan të Thesarit se mund të vendosen sanksione kundrejt Turqisë, Aksoy ka nënvizuar se “Turqia do t’i kundërpërgjigjet sanksioneve të mundshme”.
Aksoy bëri të ditur se qeverisë amerikane i janë përcjellë informacione në çdo fazë kur filloi operacioni “Burimi i Paqes” dhe se në konferencat për media të Ministrisë së Jashtme me opinionin e komunitetit ndërkombëtar janë ndarë qartë objektivat dhe fushëveprimi i operacionit.
“Turqia po lufton me organizatat terroriste që përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare dhe kjo luftë do të vazhdojë me vendosmëri. Askush të mos ketë dyshime që ne do të kundërpërgjigjemi në kuadër të reciprocitetit të plotë ndaj çdo hapi që do të hidhet kundër kësaj”, shtoi Aksoy.
Sekretari i Departamentit Amerikan të Thesarit, Steven Mnuchin ka thënë se presidenti i SHBA-ve, Donald Trump do të nënshkruante një dekret që i jep autoritet Departamentit të Thesarit për vendosjen e sanksioneve ndaj Turqisë, por se këto sanksione nuk do të zbatohen tani.
Ai ka bërë të ditur se Trump kishte “shqetësime” nga operacioni “Burimi i Paqes” në Siri dhe se “presidenti dëshiron të theksojë se Turqia është e detyruar që të mos lejojë largimin as edhe të një luftëtari të DEASH-it”.