U kap duke transportuar pistoletën, arrestohet 29-vjeçari në Kamëz! Dyshime për trafik armësh, sekuestrohet dhe një pushkë gjahu
Një 29-vjeçar është arrestuar në Kamëz, pasi dyshohet se transportonte me automjet një armë zjarri pistoletë me qëllim trafikimin e saj. Në kuadër të hetimeve, ka nisur edhe hetimi pasuror ndaj tij.
Policia bën me dije se operacioni i koduar “LAST DRIVE II” u finalizua nga Forca e Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për një shtetas që qarkullonte i armatosur me automjet.
Në pranga u vu shtetasi E. C., 29 vjeç, banues në Krujë, i dënuar më parë për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Gjatë kontrollit të automjetit që drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën një pistoletë, e cila u sekuestrua së bashku me automjetin dhe një celular.
Ndërsa gjatë kontrollit të banesës së tij, u gjet një armë gjahu pa leje, si dhe 50 fishekë. Policia sekuestroi gjithashtu një bllok shënimesh, ku dyshohet se mbaheshin të dhëna për shuma të ndryshme parash.
Në vijim të hetimeve, ndaj 29-vjeçarit ka nisur edhe hetimi pasuror.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit” dhe “Fshehja e të ardhurave”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.